Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015

Authori: Sektori i Bilancit të Pagesave dhe Vrojtimeve
Data e prodhimit: 15.04.2016
Data e shtypjes: 15.04.2016
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti i Stabilitetit Financiar
Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015, aktiviteti ekonomik u zgjerua i mbështetur kryesisht nga kontributi pozitiv i investimeve private dhe eksporteve neto. Investimet publike dhe konsumi privat patën një ecuri më të dobët. Rritja ekonomike ende nuk është përkthyer në ulje të normës së papunësisë. Politika fiskale vijoi prirjen e saj konsoliduese dhe financimi i deficitit buxhetor u realizua kryesisht me burime të huaja financiare. Politika monetare lehtësuese është reflektuar në rënien e interesave mesatare për huamarrje në tregun ndërbankar, në tregun e parasë, në produktet bankare dhe në tregun e titujve të borxhit të qeverisë. Luhatshmëria në kursin e këmbimit të lekut ka qenë e ulët, duke reflektuar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe ndryshimet e kërkesës dhe ofertës për valutë në tregun e brendshëm. Tregu i emetimit të titujve të borxhit të qeverisë dhe tregu ndërbankar, kanë funksionuar sipas pritshmërive, duke u mbështetur nga operacionet e nevojshme të administrimit të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë. Në botë, vijuan përpjekjet e autoriteteve për të rigjallëruar kreditimin dhe rritjen ekonomike, përmes ruajtjes së një mjedisi me norma të ulëta interesi dhe kushte të bollshme likuiditeti. Megjithatë, tregjet ndërkombëtare reflektojnë paqëndrueshmëri, si rezultat i brishtësisë së rritjes ekonomike në vendet e zhvilluara dhe dobësisë ekonomike të vendeve në zhvillim.