BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Deklaratë për shtyp mbi normat e interesit të bankave të nivelit të dytë për kreditë gjatë vitit 2003

Data e publikimit: 06.01.2004

 

Tashmë Banka e Shqipërisë ka bërë publik vendimin e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të datës 30 dhjetor 2003 për uljen me 0.5 për qind të normës bazë të interesit në ekonomi, ose siç quhet ndryshe norma e marrëveshjeve të riblerjes. Në këtë mënyrë norma bazë e interesit të lekut shqiptar u ul nga 7 në 6.5 për qind. Kjo ishte ulja e katërt e normës bazë të interesit për vitin 2003 si pasojë e një politike monetare zbutëse që ndoqi Banka e Shqipërisë gjatë gjithë vitit 2003.

Banka e Shqipërisë ka paraqitur në mënyrë transparente dhe qartësisht argumentat që kanë çuar në marrjen e vendimeve të Këshillit Mbikëqyrës në muajt prill, korrik, tetor dhe dhjetor të vitit 2003, për uljen respektivisht me 0.5 për qind të normës bazë të interesit. Këto argumente janë janë bërë publike dhe ndërmjet të tjerash ende mund të gjenden lehtësisht në faqen e saj të internetit.

Bankat e nivelit të dytë, në reagimin e tyre ndaj këtyre vendimeve, gjatë gjithë vitit 2003, kanë ndjekur të njëjtin drejtim, duke ulur normat e interesit në përgjithësi. Por, çuditërisht, disa organe të medias më shumë se nga një herë kanë raportuar se reagimi i bankave tregtare ka qenë i njëanshëm, duke ulur vetëm normat e interesit të depozitave ndërkohë që nuk kanë ndryshuar normat e interesit të kredive. Banka e Shqipërisë gjykon se këto këto shkrime, kronika lajmesh apo konstatime në përgjithësi janë të shtrembëruara dhe jo të mbështetura në të dhëna konkrete. E vërteta është krejt ndryshe: Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ulja e normës së ponderuar të interesit të kredive në lekë është më e madhe se ulja e normës së ponderuar të interesit të depozitave në lekë. Kështu, nga 15.73 % që ishte interesi mesatar i ponderuar i kredive në lekë në muajin janar 2003, në tetor arriti në 11.97 për qind, pra është ulur rreth 4 pikë përqindjeje. Ndërsa për depozitat në lekë me afat 12-mujor interesi mesatar i ponderuar nga 9.26 % që ishte në muajin janar 2003, arriti në 7.81 për qind në muajin tetor, pra vetëm 1.35 pikë përqindjeje më pak. Tendenca e vërejtur gjatë vitit 2003 ka qenë reduktimi i vazhdueshëm i kostos së ndërmjetësimit të sistemit në interes të nxitjes së kreditimit të sektorit privat. Banka e Shqipërisë e ka theksuar në vazhdimësi këtë fakt në analizat e saj periodike të publikuara.

Banka e Shqipërisë, në kuadër të transparencës dhe marrëdhënieve të partneritetit me median kërkon mirëkuptimin e të gjithë gazetarëve të spektrit ekonomik e më gjerë, duke qenë e hapur për çdo pyetje, vërejtje apo sygjerim në funksion të informimit të drejtë e të saktë të publikut, realizimit me sukses të objektivave të saj dhe të zhvillimit e forcimit të mëtejshëm të sistemit bankar në përgjithsi, aq shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.