BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe atë valutor gjatë tremujorit e tretë 2007

Data e publikimit: 15.01.2008

 
Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2007 përfshinë operacione të tregut të hapur, kryesisht për injektimin e likuiditetit, në funksion të situatës së tij në sistemin bankar. Për të injektuar likuiditet, Banka e Shqipërisë ka përdorur pothuaj gjatë gjithë periudhës marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes, me maturim njëjavor. Nëpërmjet saj janë injektuar mesatarisht 1.1 miliardë lekë në javë. Duke parashikuar që mungesa e likuiditetit do të zgjaste gjatë gjithë tremujorit të tretë, parashikim ky i mbështetur në pritjet për daljen sezonale të cash-it, gjatë kësaj periudhe, u realizuan edhe katër ndërhyrje me marrëveshje riblerjeje, me afat maturimi më të gjatë se një javë. Kështu u injektuan respektivisht 5.00 miliardë lekë, nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta me maturim tremujor dhe 3 miliardë lekë , nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta me maturim njëmujor.