BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe atë valutor gjatë tremujorit të katërt 2006

Data e publikimit: 16.04.2007

 
Teprica e likuiditetit që karakterizoi nëntë muajt e parë të vitit 2006, erdhi duke u pakësuar në tremujorin e fundit të vitit. Për të ruajtur nivelin e normave të interesit, Banka e Shqipërisë vazhdoi ndërhyrjet javore për tërheqjen e likuiditetit të tepërt. Por duke parashikuar mungesën e likuiditetit në muajt e ardhshëm, njëkohësisht vazhdoi injektimin e likuiditetit, sikundër në fund të tremujorit të tretë nëpërmjet instrumenteve të përkohshme (repo të anasjellta 3-mujore) dhe të përhershme (blerje me të drejta të plota e bonove të thesarit). Thellimi i mungesës së likuiditetit, solli në muajin nëntor ndryshimin e kahut të ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë nëpërmjet instrumentit kryesor, duke filluar injektimin e likuiditetit edhe në bazë javore, krahas injektimit me instrumentet e përkohshme me afat më të gjatë.