BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe atë valutor gjatë tremujorit të parë 2006

Data e publikimit: 12.07.2006

 

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2006, sistemi bankar u karakterizua nga teprica e likuiditetit. Rritja e depozitave me ritme më të larta se kredia në lekë, si dhe gjendja e lartë e likuiditetit në llogarinë e qeverisë ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e terpricës së likuiditetit të sistemit bankar. Likuiditeti i qeverisë kaloi në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet uljes së emetimit të bonove të thesarit në tregun primar si dhe nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes midis Ministrisë së Financave dhe sistemit bankar.


Duke marrë në konsideratë parashikimet për vazhdimin e gjendjes së tepricës së likuiditetit, bazuar kjo edhe në parashikimin e qeverisë për gjendjen suficit të buxhetit gjatë pjesë së parë të vitit, si dhe për të lehtësuar presionin që ushtronte kjo tepricë mbi  interesat e tregjeve, Banka e Shqipërisë në ankandin e bonove të thesarit të javës së dytë të muajit mars, uli investimin e saj në bonot e thesarit me maturim 6-mujor me shumën 1.50 miliardë lekë.