BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe atë valutor gjatë tremujorit të tretë të vitit 2005

Data e publikimit: 16.01.2006

 
Në muajin e parë të tremujorit të tretë të vitit 2005, sistemi bankar u karakterizua nga tepricë likuiditeti. Kjo tepricë erdhi duke u ulur dhe në pjesën e dytë të tremujorit të tretë sistemi bankar u paraqit me mungesë likuiditeti, kryesisht si rezultat i rritjes së parasë jashtë bankave. Për të rritur sigurinë e bankave, Banka e Shqipërisë filloi injektimin e likuiditetit në sistem në gjysmën e dytë të muajit korrik, pavarësisht se likuiditeti i sistemit ishte në vlera pozitive. Ky injektim u ndërpre për një javë, me qëllim korrektimin e nivelit të treguesit të mjeteve të brendshme neto. Duke rinisur javën e dytë të muajit gusht, injektimi i likuiditetit nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes më maturim njëjavor rezultoi në mesatarisht 2.4 miliardë lekë në javë. Për të stimuluar konkurencën në tregun primar, Banka e Shqipërisë injektoi likuiditet në mënyrë të përhershme nëpërmjet blerjes së bonove të thesarit nga portofoli i bankave të nivelit të dytë. Në total, blerjet e bonove të thesarit ishin 3.50 miliardë lekë.