BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në atë valutor gjatë tremujorit të parë të 2004

Data e publikimit: 12.07.2004

 
Situata e likuiditetit, në tremujorin e parë të vitit 2004, u karakterizua nga tepricë likuiditeti, e shkaktuar nga rritja e depozitave të sistemit dhe rënia e nivelit të investimit në tregun primar. Për menaxhimin e likuiditetit, Banka e Shqiperisë, përveç ndërhyrjeve me instrumentin kryesor të tregut në vlerë mesatare prej 3.4 miliardë lekë, përdori dhe ankandin e marrëveshjes së riblerjes me maturim njemujor duke tërhequr 1.9 miliardë lekë gjatë pjesës së parë të tremujorit. Rritja e vazhdueshme e likuiditetit bëri të nevojshëm organizimin e shitjes me të drejta të plota të bonove të thesarit nga portofoli i Bankës së Shqipërisë. Vlera nominale e bonove të shitura ishte 4.5 miliardë lekë (ose 4.4 miliardë lekë e llogaritur me çmim blerjeje).