BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të dytë 2014

Data e publikimit: 20.09.2014

 

1.1. Operacione të tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim të likuiditetit dhe operacione të përhershme, me qëllim strukturimin e portofolit të BSH-së.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar ka rezultuar mesatarisht 20.61 miliardë lekë, kundrejt 21.22 miliardë lekëve në tremujorin e parë të vitit 2014. Likuiditeti mesatar i injektuar rezulton rreth 9.6% më i larte se 1 vit më parë, kur kjo vlerë ishte rreth 18.8 mld lekë.  

Gjatë tremujorit të dytë, likuiditeti në sistem bankar u ndikua negativisht nga efekti i cash-it (-3.27 mld lekë), dhe pozitivisht për 4.7 mld lekë nga efekti i buxhetit.

Për injektimin e likuiditetit të përkohshëm, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 14.29 miliardë lekë në javë*, shoqëruar njëkohësisht me marrëveshje të anasjelltë riblerjeje me maturim njëmujor, mesatarisht 2.07 miliardë lekë në javë*. Ndërkohë, injektimet njëditore në datat 18-23 Prill 2014, kanë synuar plotësimin e mungesës së krijuar në ditët e fundit të periudhës së mbajtjes se rezervës.

Edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit është vijuar me operacionet për shitblerje me të drejta të plota, duke synuar uljen e zotërimit të BSH-së në bono thesari jo me shumë se niveli 70% i totalit të çdo emetimi. Duke qenë se portofoli i BSH-së, gjatë tremujorit të parë të vitit, ishte rritur me 100 milionë lekë kundrejt nivelit të fundvitit 2013, në tremujorin e dytë është zhvilluar një ankand për blerje bono thesari 12-mujore të sapoemetuara me shumë të shpallur 300 milionë lekë, shoqëruar me ulje të riinvestimit në bono thesari 6-mujore për 200 milionë lekë. Ndërhyrja në blerje u realizua vetëm për 150 milionë lekë. Për rrjedhojë, gjatë tremujorit të dytë të vitit, rritja e portofolit të BSH-së u korrigjua me 50 milionë lekë.


1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Depozita njëditore është përdorur në 6 raste, mesatarisht për 0.11 miliard lekë, me të njëjtën frekuencë përdorimi të regjistruar në tremujorin e kaluar kur mesatarja ka qenë 0.12 miliard lekë.

Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 6 raste, mesatarisht 0.45 miliard lekë. Gjatë tremujorit të dytë të vitit, ky instrument u përdor në 6 raste, mesatarisht 0.63 miliard lekë.

Grafiku i mëposhtëm paraqet në mënyrë të përmbledhur ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë për periudhën 2011-2014.