BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të dytë 2015

Data e publikimit: 09.10.2015

 

1.1. Operacione të tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim të përkohshëm të likuiditetit dhe operacione të përhershme me qëllim strukturimin e portofolit të BSH-së.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar ka rezultuar mesatarisht 28.35 miliardë lekë, kundrejt nivelit 21.30 miliardë lekë të regjistruar në tremujorin e parë dhe kundrejt 20.61 miliardë lekë në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Për injektimin e likuiditetit të përkohshëm, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 19.50 miliardë lekë në javë*, shoqëruar njëkohësisht me marrëveshje të anasjelltë riblerjeje me maturim njëmujor, mesatarisht 3.28 miliardë lekë në javë*.

Operacionet injektuese njëditore janë përdorur në pesë raste, të përqendruara në fund të periudhës së mbajtjes së rezervës.

Edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit është vijuar me operacionet për shitblerje me të drejta të plota, duke synuar mbajtjen e zotërimit të Bankës së Shqipërisë në bono thesari jo më të lartë se niveli 70% i totalit të çdo emetimi. Gjatë këtij tremujori janë zhvilluar katër ankande për shitje të bonove të thesarit me afat maturimi 6-mujor, duke ulur portofolin e BSh-së në total për 2 miliardë lekë, kompensuar me tetë ankande të blerjes së bonove të thesarit 12-mujore ku janë realizuar në total për 2.5 miliardë lekë. Për rrjedhojë, në fund të gjashtëmujorit të parë, portofoli i BSh-së iu rikthye nivelit të fillimvitit.

1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Depozita njëditore është përdorur nga bankat tregtare në 11 raste, mesatarisht për 0.95 miliardë lekë, kundrejt 46 rasteve në tremujorin e kaluar me mesatare përdorimi 6.74 miliardë lekë.

Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 3 raste, pikërisht në ditët e fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës, mesatarisht për 0.98 mld lekë. Në tremujorin e kaluar, instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 10 raste mesatarisht për 2.61 mld lekë.

Grafiku i mëposhtëm paraqet në mënyrë të përmbledhur ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë për periudhën 2011-2015.