BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të katërt 2014

Data e publikimit: 24.03.2015

 

1.1. Operacione të tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të fundit të vitit 2014 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim të përkohshëm të likuiditetit dhe operacione të përhershme me qëllim strukturimin e portofolit të BSH-së.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar ka rezultuar mesatarisht 28.21 miliardë lekë, duke qëndruar pranë nivelit prej 28.06 miliardë lekësh të regjistruar në tremujorin e tretë të vitit 2014. Likuiditeti mesatar i injektuar rezulton rreth 76% më i lartë se 1 vit më parë, kur kjo vlerë ishte rreth 16.05 mld lekë.

Për injektimin e likuiditetit të përkohshëm në tremujorin e fundit të vitit, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 23.68 miliardë lekë në javë*, shoqëruar njëkohësisht me marrëveshje të anasjelltë riblerjeje me maturim njëmujor, mesatarisht 2.45 miliardë lekë në javë*. Ndërkohë, në dy javët e para të muajit dhjetor është përdorur edhe marrëveshja e anasjelltë e riblerjes me maturim tremujor, mesatarisht për 1.85 miliardë lekë për ankand*. Operacionet injektuese njëditore janë përdorur në tre raste, në datë 17 tetor, me qëllim korrigjimin e sasisë së likuiditetit në sistem për efekt të devijimit në kah negativ të faktorëve si dhe në datat 22-23 dhjetor, që përkojnë me fundin e periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar, pas mosplotësimit të ankandit injektues njëjavor të radhës.

Edhe gjatë tremujorit të fundit të vitit është vijuar me operacionet për shitblerje me të drejta të plota, duke synuar uljen e zotërimit të BSh-së në bono thesari në jo më shumë se niveli 70% i totalit të çdo emetimi. Në tremujorin e fundit janë realizuar tre ankande për shitje me të drejta të plota të bonove 6-mujore me maturim në janar 2015 dhe shkurt 2015, duke ulur zotërimin e BSh-së në këto letra në total për 220 milionë lekë, ndërkohë që u zhvillua edhe një ankand për blerje bono thesari 12-mujore të sapoemetuara me shumë të shpallur 100 milionë lekë. Portofoli i BSh-së në fund të vitit 2014 rezulton të jetë 35 milionë lekë më i ulët se një vit më parë.

1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Depozita njëditore është përdorur në 35 raste, mesatarisht për 5.39 miliardë lekë, kundrejt 27 rasteve në tremujorin e kaluar, ekuivalente me kthim likuiditeti në BSH për 2.07 mld lekë në ditë.

Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 2 raste, në datat 23 tetor dhe 23 dhjetor, që përkojnë me fundin e periudhës së mbajtjes së rezervës, për shumën, respektivisht, 1.95 mld lekë dhe 2.39 mld lekë.

Grafiku i mëposhtëm paraqet në mënyrë të përmbledhur ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë për periudhën 2011-2014.