BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të parë 2014

Data e publikimit: 07.07.2014

 

1.1 Operacione të tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim të likuiditetit dhe operacione të përhershme me qëllim strukturimin e portofolit të Bankës së Shqipërisë.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar ka rezultuar mesatarisht 21.22 miliardë lekë, kundrejt 16.05 miliardë lekëve të injektuara në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Likuiditeti mesatar i injektuar është rreth 25% më i lartë se 1 vit më parë, kur kjo vlerë ishte rreth 17 mld lekë. 
  Për injektimin e likuiditetit, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 12.84 miliardë lekë në javë*, shoqëruar njëkohësisht me marrëveshje të anasjelltë riblerjeje me maturim njëmujor, mesatarisht 2.00 miliardë lekë në javë*. Për t?i ofruar bankave mundësinë e përkohshme për të rritur shumën e siguruar kundrejt totalit të injektuar nga Banka e Shqipërisë mbi nivelin 70%, në vijim të operacionit injektues tremujor të zhvilluar në javën e fundit të vitit 2013, gjatë tremujorit të parë të vitit u zhvilluan tre ankande me marrëveshje të anasjelltë riblerjeje tremujore, ku nuk u përdor kufizimi maksimal i pjesëmarrjes.

Me qëllim strukturimin e portofolit të Bankës së Shqipërisë, ka vijuar të synohet ulja e zotërimit në bono thesari jo më shumë se niveli 70% i totalit të emetuar. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 janë kryer gjashtë ndërhyrje në treg të hapur për blerje të bonove të thesarit 12-mujore të sapoemetuara për shumën 1.65 miliardë lekë, si dhe dy ankande për shitje të tyre për shumën 0.80 miliardë lekë. Ulja e pjesëmarrjes në bono 3 dhe 6-mujore nëpërmjet riinvestimit në treg primar rezulton 0.75 miliardë lekë. Në fund të tremujorit të parë, portofoli i BSh-së rezulton 100 milionë më shumë se në fillim të vitit 2014, për shkak të mosplotësimit të ankadeve të shitjeve për shuma të vogla.

1.2 Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Depozita njëditore është përdorur gjatë tremujorit të parë të vitit në 6 raste, mesatarisht për 0.12 miliardë lekë, ndërkohë që në tremujorin e kaluar ky instrument është përdorur në 21 raste duke regjistruar një mesatare prej rreth 0.49 miliardë lekësh.

Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 6 raste, mesatarisht për 0.63 miliardë lekë, kundrejt 4 rasteve në tremujorin e kaluar, mesatarisht 0.25 miliardë lekë.