BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të parë 2015

Data e publikimit: 09.07.2015

 

1.1. Operacione të tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të parë të vitit 2015, përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim të përkohshëm të likuiditetit dhe operacione të përhershme, me qëllim strukturimin e portofolit të BSH-së.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar ka rezultuar mesatarisht 21.30 miliardë lekë, kundrejt nivelit 28.21 miliardë lekë të regjistruar në tremujorin e fundit të vitit 2014. Likuiditeti mesatar i injektuar rezulton pranë nivelit të tremujorit të parë të vitit 2014, kur kjo vlerë ishte rreth 21.22 mld lekë.

Për injektimin e likuiditetit të përkohshëm në tremujorin e parë të vitit, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjellë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 16.37 miliardë lekë në javë*, shoqëruar njëkohësisht me marrëveshje të anasjellë riblerjeje me maturim njëmujor, mesatarisht 2.49 miliardë lekë në javë*.

Operacionet injektuese njëditore janë përdorur në gjashtë raste, përqendruar në fund të periudhës së mbajtjes së rezervës.

Në fund të tremujorit të parë të vitit është rifilluar me operacionet për shitblerje me të drejta të plota, duke synuar uljen e zotërimit të BSh-së në bono thesari. Në tremujorin e parë të vitit, është realizuar vetëm një ankand për shitje me të drejta të plota të bonove të thesarit 6-mujore për shumën 500 milionë lekë. Si rrjedhim, portofoli i BSh-së, në fund të tremujorit të parë të vitit 2015, rezulton të jetë 500 milionë lekë më i ulët se niveli i fillimvitit.

1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Depozita njëditore është përdorur në 46 raste, mesatarisht për 6.74 miliardë lekë, kundrejt 35 rasteve në
tremujorin e kaluar me mesatare përdorimi 5.39 miliardë lekë.

Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 10 raste, përqendruar në ditët e fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës, për mesatarisht 2.61 mld lekë. Në tremujorin e kaluar, instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 2 raste përkatësisht për 1.95 mld lekë dhe 2.39 mld lekë.