BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të tretë 2014

Data e publikimit: 20.12.2014

 

1.1. Operacione të tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2014, përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim të përkohshëm të likuiditetit dhe operacione të përhershme, me qëllim strukturimin e portofolit të BSH-së.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar ka rezultuar mesatarisht 28.06 miliardë lekë, kundrejt 20.61 miliardë lekëve në tremujorin e dytë të vitit 2014. Likuiditeti mesatar i injektuar rezulton rreth 61% më i larte se 1 vit më parë, kur kjo vlerë ishte rreth 17.38 mld lekë.  

Për injektimin e likuiditetit të përkohshëm, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 25.80 miliardë lekë në javë*, shoqëruar njëkohësisht me marrëveshje të anasjelltë riblerjeje me maturim njëmujor, mesatarisht 2.07 miliardë lekë në javë*. Injektimi njëditor, në datë 22.08.2014, synonte mbylljen e periudhës me teprica pozitive, duke shmangur njëkohësisht edhe nisjen e periudhës se re me teprica të larta.

Edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit është vijuar me operacionet për shitblerje me të drejta të plota, duke synuar uljen e zotërimit të BSH-së në bono thesari jo me shumë se niveli 70% i totalit të çdo emetimi. Duke qenë se portofoli i BSH-së, gjatë operacioneve në gjysmën e parë të vitit 2014, rezultonte të ishte 50 milion lekë më i lartë se niveli i fillimvitit, gjatë tremujorit të tretë u zhvillua një ankand për blerje bonosh thesari 12-mujore të sapoemetuara, me shumë të shpallur 400 milionë lekë, shoqëruar me ulje të riinvestimit në bono thesari 6-mujore për 450 milionë lekë. Ndërhyrja në blerje u realizua vetëm për 270 milionë lekë. Në vijim janë kryer tre ndërhyrje në treg të hapur për blerje të bonove të thesarit 12-mujore të sapoemetuara, realizuar për 465 milion lekë, pjesërisht korrigjuar nëpërmjet një ndërhyrjeje në shitje për 250 milion lekë. Portofoli i BSH-së, në fund të tremujorit të tretë, është 85 milion lekë më i lartë se në fillim të vitit 2014.

1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Depozita njëditore është përdorur në 27 raste, mesatarisht për 2.07 miliardë lekë, kundrejt 6 rasteve në tremujorin e kaluar, me mesatare përdorimi 0.11 miliardë lekë.  


Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 1 rast, në datë 22 gusht, për shumën 225 milionë lekë, kundrejt 6 rastesh përdorimi në tremujorin e kaluar, për mesatarisht 450 milionë lekë.

Grafiku i mëposhtëm paraqet në mënyrë të përmbledhur ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë për periudhën 2011-2014.