BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të tretë 2015

Data e publikimit: 07.01.2016

 

1.1. Operacione të tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2015 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektim të përkohshëm të likuiditetit.

Sasia totale e likuiditetit të injektuar ka rezultuar mesatarisht 36.4 mld lek kundrejt 28.4 miliardë lekë në tremujorin e mëparshëm dhe 30.2 miliardë lekë një vit më parë.

Për injektimin e likuiditetit të përkohshëm, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor në mesatarisht 22.14 miliardë lekë, kundrejt mesatarisht 19.50 miliardë lekë në javë* në tremujorin e mëparshëm, ndërsa injektimet njëmujore kanë qenë mesatarisht 3.94 miliardë lekë, kundrejt 3.28 miliardë lekë në javë* në tremujorin e dytë. Prej fundit të muajit korrik, Banka e Shqipërisë ka kryer injektime 3-mujore në 3 raste, duke bërë që likuiditeti mesatar i injektuar nëpërmjet këtij maturimi në tremujorin aktual të jetë 2.55 miliardë lekë në vlerë nominale dhe 5.7 miliardë lekë në fund të tij.

Operacioni injektues njëditor është përdorur vetëm në një rast, në datën 23 shtator në fund të periudhës së mbajtjes së rezervës.


Gjatë tremujorit të tretë, Banka e Shqipërisë nuk ka kryer operacione blerjeje dhe shitjeje të letrave me vlerë.


1.2. Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Bankat kanë përdorur depozitën njëditore vetëm në dy raste, kundrejt 11 rasteve një tremujor më parë dhe shuma mesatare e përdorimit të saj qe 2.0 miliardë lekë, kundrejt 0.95 miliardë lekëve në tremujorin e dytë. Kredia njëditore është përdorur në dy raste për mesatarisht 1.4 miliardë lekë, kundrejt 3 rasteve dhe mesatarisht 1.0 miliardë lekë një tremujor më parë.