BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2010

Data e publikimit: 21.04.2011

 

1.Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2010

1.1 Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2010 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektimin e likuiditetit.

Për injektimin e likuiditetit, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 10.36 miliardë lekë1 në javë si dhe instrumentet rregulluese me maturim më të gjatë se një javë - marrëveshjen e riblerjes me maturim një dhe tremujor. Marrëveshja e anasjelltë e riblerjes me maturim njëmujor u përdor në 4 raste, mesatarisht 2.5 miliardë lekë për ankand. Përdorimi i marrëveshjes së anasjelltë të riblerjes me maturim tremujor ka vijuar të jetë i pranishëm, por në raste dhe sasi më të reduktuara. Në fillim të muajit nëntor, janë kryer 2 ankande me vlerë nominale 2.00 miliardë lekë për ankand.

1.2 Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2010, depozita njëditore u përdor në 32 raste, mesatarisht 0.71 miliardë lekë, gati 0.23 miliardë lekë më shumë se tremujorin e kaluar, kur ky instrument është përdorur në 27 raste. Edhe gjatë këtij tremujori, përdorimi i depozitës njëditore ishte më intensiv gjatë ditëve të fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar.

Instrumenti i kredisë njëditore është përdorur në 5 raste mesatarisht 0.71 miliardë lekë, kundrejt 18 rasteve të tremujorit të kaluar me një mesatare prej 0.89 miliardë lekësh.
Grafiku i mëposhtëm paraqet në mënyrë të përmbledhur ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë për vitin 2010.