BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë për periudhën Janar-Mars 2003

Data e publikimit: 14.07.2003

 

Në kuadër të rritjes së transparencës me publikun, Banka e Shqipërisë publikon informacionin mbi ndërhyrjet e saj në tregun e parasë në një periudhë të paktën tremujore nga momenti i ndërhyrjes.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2003, situata e likuiditetit në sistemin bankar ka ndryshuar nga mungesë likuiditeti në tepricë likuiditeti. Tregu u karakterizua me mungesë likuiditeti deri në fund të muajit janar por, Banka e Shqipërisë ndërhyri me marrëveshjet e anasjellta të riblerjes të tipit me çmim fiks (8.50%) dhe me shumë të pashpallur, deri në fillim të muajit mars. Veçojmë se katër nga ankandet e marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes nuk u organizuan për shkak të mosparaqitjes së kërkesave nga ana e bankave të nivelit te dytë. Vendimi për vazhdimin e ndërhyrjeve me Reverse-REPO(marrëveshjet e anasjellta të riblerjes) edhe kur tregu nuk paraqitej me mungesë likuiditeti, kishte për qëllim lënien e likuiditeteve të lira në treg me synimin rritjen e presionit për uljen e yeild-it të bonove të thesarit.