BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi ndërhyrjet në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të parë të vitit 2009

Data e publikimit: 16.07.2009

 


1. NDËRHYRJET E BANKËS SË SHQIPËRISË NË TREGUN E PARASË

1.1. Operacionet e tregut të hapur

Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektimin e likuiditetit.

Për të injektuar likuiditetin, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor mesatarisht 11.51 miliardë lekë* në javë si dhe instrumentin rregullues me maturim më të gjatë se një javë - marrëveshjen e riblerjes me maturim 3-mujor. Instrumenti rregullues u përdor në 6 raste (mesatarisht 2.4 miliardë lekë për ankand), ndërkohë që llogaritur në bazë kumulative, likuiditeti i injektuar nëpërmjet këtij instrumenti në fund të tremujorit të parë, ishte 14.24 miliardë lekë 1*.

1.2 . Përdorimi i instrumenteve mbështetëse

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2009, për investimin e likuiditeteve të lira të krijuara në bazë ditore, bankat përdorën depozitën njëditore, niveli mesatar ditor i të cilës ishte 0.94 miliardë lekë, në krahasim me 2.78 miliardë lekë në tremujorin e kaluar.

Instrumenti i kredisë njëditoresh gjeti përdorim në 8 raste gjatë tremujorit të parë me një mesatare prej 1.55 miliardë lekë për çdo rast përdorimi.

Grafiku i mëposhtëm paraqet në mënyrë të përmbledhur ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë gjatë tremujorit të parë të vitit 2009.