BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën e përbashkët për shtyp të misionit të FMN-së me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë

Data e publikimit: 03.11.2010

 

I nderuar zoti Ministër,

I nderuar zoti Bell,

Të nderuar pjesëmarrës të medias së shkruar dhe vizive,

Është kënaqësi për mua që në përfundim të një jave intensive e të frytshme bisedimesh, të dal para jush në këtë komunikim publik për të paraqitur pozicionin e Bankës së Shqipërisë në to. Megjithatë, më lejoni që në fillim të theksoj se këto takime konfirmuan në vija të përgjithshme konkluzionet e raportit tonë të fundit të politikës monetare dhe pikëpamjen e Bankës së Shqipërisë mbi zhvillimin e ardhshëm të saj.

Në vijim, do të bëj një pasqyrë të shkurtër të opinionit tonë, duke prekur më në detaje temat kryesore të diskutuara: zhvillimet aktuale dhe të pritshme ekonomike; rreziqet dhe problematikat e tyre; si dhe reagimin e duhur të politikave makroekonomike.

Ekonomia shqiptare ka patur një ecuri pozitive gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2010, e shprehur kjo në ritme pozitive të rritjes ekonomike dhe në përmirësimin e parametrave bazë të stabilitetit makroekonomik. Ky përmirësim është reflektuar në nivelet e kontrolluara dhe në rënie të inflacionit, në përmirësimin e deficitit të llogarisë korente, në tendencën rënëse të deficitit buxhetor dhe në qëndrueshmërinë relative të treguesve të borxhit publik. Këto zhvillime kanë ndikuar në rivendosjen e plotë të besimit në sistemin bankar, në rënien e normave të interesit dhe të primeve të rrezikut, në rritjen e qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit, si dhe në përmirësimin e treguesve të likuiditetit e të bilanceve të sektorit financiar. Analiza e faktorëve të rritjes ekonomike sugjeron se ndikimin kryesor në të e ka dhënë kërkesa e jashtme për produkte e shërbime shqiptare, ndërkohë që kërkesa e brendshme mbetet e zbehtë dhe vijon të vuajë pasigurinë e shtuar për të ardhmen dhe kushtet më të shtrënguara të financimit të aktivitetit. Politikat monetare dhe fiskale kanë qenë të kujdesshme, duke synuar krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare. Në terma praktikë, kjo është materializuar në një orientim në rritje të politikës fiskale drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë afatgjatë të borxhit publik, ndërkohë që politika monetare ka marrë një karakter më të madh stimulues.

Ashtu siç e theksova edhe në paraqitjen e konkluzioneve të raportit tremujor të politikës monetare, këto linja zhvillimi pritet të vijojnë edhe në periudhën e ardhshme. Stabiliteti makroekonomik dhe përmirësimi i bilanceve të sistemit bankar kanë krijuar parakushtet e duhura për një nxitje të mëtejshme të konsumit e të investimeve në ekonomi.

Megjithatë, duhet pranuar se zhvillimi i vendit në periudhën e ardhshme përballet me disa sfida të rëndësishme. Në periudhën afatshkurtër, korrektimi i sjelljes fiskale do të kërkojë një kontribut më të madh të sektorit privat në rritjen ekonomike. Kjo nënkupton një sjellje më realiste të konsumatorit e të biznesit në vendimet e tyre për konsum e investime, si dhe një mbështetje më të madhe të tyre me kredi nga sistemi bankar. Kjo kërkesë bëhet edhe më akute, në kontekstin e zhvillimit të pritur të kërkesës së jashtme. Eksportet shqiptare pritet të ruajnë një tendencë pozitive edhe gjatë vitit 2011, por kontributi i tyre në rritjen ekonomike do të jetë më i zbehtë. Ky zhvillim do të kërkojë gjenerimin e formave të brendshme të kërkesës agregate, duke qenë në të njëjtën linjë me atë që parashtrova më sipër. Në periudhën afatgjatë, vijimi i reformave strukturore mbetet një çështje parësore për nxitjen e ritmeve të rritjes ekonomike.

Banka e Shqipërisë ka theksuar në vijimësi nevojën për një ristrukturim të ekonomisë shqiptare dhe për një model të ri të rritjes ekonomike. Ky model duhet të orientohet më tepër drejt nxitjes së eksporteve dhe duhet të krijojë një ambient më të favorshëm për nxitjen e investimeve të huaja direkte në vend. Ndër të tjera, përmirësimi i potencialit të rritjes ekonomike është i domosdoshëm në kontekstin e një rritjeje të qëndrueshme të treguesve të punësimit dhe të uljes së papunësisë.

Banka e Shqipërisë ka patur një opinion konsistent dhe transparent mbi drejtimin e synuar të politikave makroekonomike. Ne e kemi kërkuar dhe përshëndetur riorientimin e politikës fiskale drejt uljes së deficitit buxhetor dhe kontrollit të nivelit të borxhit publik. Përfundimi me sukses i huamarrjes nëpërmjet eurobondit është një sinjal pozitiv për ekonominë shqiptare dhe do të ndihmojë në financimin me valutë të aktivitetit të sektorit publik në periudhën afatshkurtër. Nga ana tjetër, kuotimi i borxhit sovran shqiptar në tregjet ndërkombëtare do të kërkojë një impenjim më të madh për ruajtjen e parametrave të qëndrueshmërisë fiskale të vendit. Ndjekja e këtyre parimeve në buxhetin e vitit 2011 dhe në kuadrin afatmesëm të financave publike do të ishte hapi i parë i duhur në këtë drejtim.

Në kontekstin e politikës monetare, gjykimi dhe vendimmarrja jonë mbi normat e interesit dhe kushtet e likuiditetit në ekonomi do të vijojnë të udhëhiqen nga objektivi i kontrollit të inflacionit. Brenda këtyre kufijve, ne kemi qenë dhe mbetemi të angazhuar për të dhënë të gjithë stimujt e mundshëm monetarë për nxitjen e rritjes ekonomike, pa cënuar objektivin e stabilitetit të çmimeve. Së fundi, ne po shqyrtojmë mundësitë që në përputhje të plotë me stabilitetin financiar të vendit, të mbështesim këtë synim edhe me masa të kujdesshme rregullative.