BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje – Përgjigjet e konferencës për shtyp, 8 maj 2024

Data e publikimit: 08.05.2024

 

Pyetje: Kur është sinjalizuar për herë të parë Banka e Shqipërisë nga bankat e nivelit të dytë në lidhje me shkeljet e Micro Credit Albania dhe zyrave përmbarimore që vepronin në emër të saj? Flitet për 100 mijë qytetarë, nga shtresat më vulnerabël të shoqërisë që janë viktima të zhvatjes përmes kredive nga MCA, a ka Banka e Shqipërisë një numër të saktë të tyre? Prokuroria e Tiranës ka kaluar në SPAK dosjen hetimore për veprimtarinë e institucionit jofinanciar, Micro Credit Albania dhe disa zyrave përmbarimore që vepronin në emër të saj nën dyshimet e shpërdorimit të detyrës nga zyrtarë të Bankës së Shqipërisë. A jeni thirrur Ju, apo ndonjë zyrtar tjetër i Bankës së Shqipërisë në SPAK apo dhe aktualisht është marrë në pyetje në lidhje me këtë dosje? Aktualisht, licenca e e Micro Credit Albania është e pezulluar nga Banka e Shqipërisë, por institucioni vijon të operojë veprimtarinë. Çfarë e pengon Bankën e Shqipërisë që t’ia heqë licencën?

Guvernatori: Ju falënderoj për pyetjen sepse më jep dhe një mundësi sqarimi në një situatë lajmesh mediash online dhe mirë është që të sqarohet qartësisht e gjithë historia e operimit me mikrokreditë dhe konkretisht për pyetjen që ju bëtë.

Në radhë të parë përpara se të detajoj pyetjen tuaj, dua të sqaroj që problematika lidhur me mikrokreditë dhe me kompaninë specifike lidhet me mbledhjen e kredive të këqija të mbartura rreth viteve 2010 pas krizës financiare globale të vitit 2008. Ne u përballëm në vitin 2014-2015 me një portofol kredie shumë të lartë të keq pra 25 për qind e kredive në sistemin bankar ishin kredi të pakthyera. Kjo shifër ishte më e larta në rajon, por ndoshta dhe në eurozonë e cila cenonte stabilitetin financiar, cenonte sigurinë e bankave, depozitat e qytetarëve.

Në këto kushte me rekomandim të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ne bëmë një plan masash urgjent me Qeverinë Shqiptare. Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare iu referuan të gjithë elementëve që do të adresoheshin mbi rikuperimin e kredisë së keqe, kredive me probleme. Ky plan masash përfshinte një set me rregullime rregullative dhe ligjore, përfshirë ligjin mbi falimentin, fshirjen e kredive nga bilanci, ristrukturimin e tyre, atribute fiskale, etj.. Një nga pikat ishte dhe fshirja e kredive nga bilancet pasi ky është standard ndërkombëtar i ndodhur në të gjithë shtetet që kanë pasur probleme të tilla. Serbia ka patur një situatë të ngjashme pikërisht në atë periudhë dhe më pas Greqia ka bërë ekzaktësisht në njëjtën gjë.

Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ishte e detyruar që të adresonte me urgjencë problemin e administrimit të kredive me probleme dhe të licenconte disa kompani që ishin në treg ose dhe kompani të tjera. Nuk është vetëm kjo kompani, që është e akuzuar nga mediat, por ka dhe disa kompani të tjera që kryejnë këtë operim. Banka e Shqipërisë ka kryer këtë aktivitet duke e adresuar këtë problem të stabilitetit financiar; ka licencuar kompanitë dhe i ka mbikëqyrur në mënyrë të vazhdueshme të gjitha ato, duke dhënë dhe rekomandimet përkatëse lidhur me këto kompani.

Ky është historiku i fillimit të performancës së kredive me probleme të ndjekura nga kompanitë që kanë specifikisht këtë aktivitet. Praktikisht ne nuk kemi asnjë informacion zyrtar nga Prokuroria ose nga SPAK. Ne kemi marrë dijeni nga mediat, kryesisht lajmet online, pasi nuk kam një informacion zyrtar konkret që do të shpjegojë me detaje se cila është lidhja e shpërdorimit të detyrës ose akuzës ngritur me këtë kompani.

Ne i kemi mbikëqyrur këto kompani brenda të gjithave kërkesave ligjore dhe rregullative që ka Banka Qendrore, konkretisht me disa ekzaminime të plota dhe të pjesshme gjatë periudhës dhe kemi marrë masa në përputhje të plotë ligjore dhe rregullative në bazë të gjetjeve dhe shkeljeve të konstatuara. Gjetjet dhe shkeljet e konstatuara kanë qenë të natyrës ligjore rregullative brenda kontekstit dhe kuadrit ligjor që ka Banka Qendrore, që kanë të bëjnë me provigjionim, raportimin financiar dhe me rregullime të tjera të cilat nuk kanë lidhje me mashtrimin financiar pasi ne nuk kemi atribut si Bankë Qendrore që të hetojmë mashtrimin financiar. Mashtrimi financiar hetohet nga Prokuroria dhe Gjykata. Banka Qendrore ka setin e saj rregullativ dhe ligjor dhe i atribuohet atij seti. Bazuar në gjetjet dhe shkeljet që ka parë Banka Qendrore brenda kontekstit rregullativ ka marrë dhe masat që ka qenë pezullimi i licencës.

Pyetja juaj ishte që pse nuk është hequr licenca? Pse nuk është revokuar licenca? Licenca nuk është revokuar sepse revokimi i licencës do të nxirrte portofolin e këtyre klientëve jashtë regjistrit të kredive që administrohet nga Banka Qendrore. Pra nxjerrja nga regjistri i kredisë i klientëve të cilët jo të gjithë janë joperformues - një pjesë paguajnë, një pjesë kanë vështirësi pagese - do të bënte që në radhë të parë të kryhej perceptimi që kreditë falen dhe nuk do të paguanin, pra kjo do të krijonte një precedent dhe në vetë sistemin bankar, dhe një rrezik për të rritur kredinë me probleme të cilën e përmenda që e ulëm nga 25 për qind në 4.7 për qind. Kjo është një arritje shumë e mirë dhe një tregues shumë i mirë dhe kjo ka marrë shumë punë dhe përpjekje në vite jo vetëm në drejtim të rikuperimit të kredive me probleme, fshirjen e kredive por dhe shumë iniciativa dhe veprime të tjera nga Banka Qendrore. Pra, kjo do të sillte problematika të tjera që ata klientë të cilët kanë paguar do të mbeteshin të listuar si kreditor të këqinj, klientë të tjerë që nuk kanë paguar nuk do të ndiqeshin dhe nuk do të paguanin, pra problematika nuk do të zgjidhej.

Shqetësimi më i madh që une lexoj në mediat është revokimi i licencës që mendohet se do ti ndihmonte qytetarët. Revokimi i liçencës nuk do ti ndihmonte qytetarët sepse borxhi është titull ekzekutiv. Kontrata e kredisë është titull ekzekutiv, e cila kalon nëpërmjet gjykatës dhe zgjidhet me procedura përmbarimore. Pra nuk i zgjidh Banka Qendrore ose kompania por janë procedurat përmbarimore. Dhe që nga momenti që ky titull ekzekutiv qëndron, revokimi i liçencës nuk do të kishte asnjë ndryshim ose lehtësim në zgjidhjet e problemit të këtyre klientëve. Natyrisht është një problem social, dhe ne jemi sensitivë dhe Banka e Shqipërisë ka marrë masa, e ritheksoj brenda kërkesave të saj ligjore, dhe rregullative, në funksion të ndihmesës të klientëve, të problematikave që kanë ata dhe gjithë konsumatorët.

Praktikisht ankesat që kanë ardhur tek ne lidhen me procedurat përmbarimore. Në harkun e 2016 -2024 ne kemi marrë rreth 85 kërkesa në total për këtë kompani. Dy vitet e fundit kemi marrë vetëm 35 kërkesa të cilat lidhen dhe me procedurat përmbarimore të cilat janë jashtë tagrit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Nuk e ka Banka e Shqipërisë tagrin e zgjidhjes së procedurave përmbarimore. Edhe detyrimi i përcaktuar me vendim gjykate ndiqet me procedurë përmbarimore. Dhe ankesat dhe problematikat e klientëve që ne jemi përballur si instutucion kanë lidhje me këtë proces të cilin nuk mund ta zgjidhim ne si Bankë Qendrore.

Natyrisht që duhet një koordinim midis institucioneve dhe unë kam biseduar dhe së fundmi me Ministrin e Drejtësisë, dhe me institucione të tjera për përcaktime më të sakta ligjore në të ardhmen, për ndryshimin e ligjit të procedurave përmbarimore, ose ligjin për fajdet me Ministrinë e Financave. Pra, për gjithcka që në të ardhmen do përmirësojë këtë proces.

Por konkretisht në atë që ju ngrini dhe që unë lexoj, skam asnjë informacion konkret. Ankesat që ne kemi marrë kanë të bëjnë me këtë proces. Nuk kanë të bëjnë me të drejta ose detyrime të Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë për të ndihmuar konsumatorët të cilët kanë probleme në aspektin financiar, se kjo është pjesë e akteve rregullative të Bankës Qendrore, ka marrë dy vendime në kohë gjatë këtyre viteve. Ka vënë një kufi maksimal për penalitetet që është niveli 30% i penaliteteve sduhet të kalojë. Sikurse ka prezantuar dhe normën efektive të interesit, që është NEI efektiv, për të kufizuar zmadhimin e detyrimit të klientëve, për të pasur një llogjikë normale, Kjo është bërë në mënyrë rregullative por duhet përkthyer në ligj. Duhet që parlamenti këtë ta përkthejë në ligj por gjithsesi institucionet financiare të mikrokredisë e kanë zbatuar.

Tani praktikisht revokimi i licencës për atë që diskutohet nuk do të bënte që mos të ndiqeshin nga shoqëritë e përmbarimit këta klientë. 100 mijë klientë diskutohet në totalin e të gjithë kompanive që po thuhet nga media, por në fakt jo të 100 mijë klientët janë nga ata që kanë ankesë. Natyrisht që të 100 mijë klientëve po t’ju falej borxhi do të ishin të lumtur. Se sigurisht nëse ke një detyrim të pa paguar, për energjinë, për bankën dhe merret një amnisti... por nuk e kemi ne këtë atribut për të bëtë amnisti të faljes së borxheve. Nuk e ka Banka Qendrore.

Banka Qendrore ka asetin e saj rregullativ dhe detyrimet e saj ligjore, dhe numri i klientëve të cilët kanë ankesa nuk janë 100 mijë. Natyrisht janë të prekur për të paguar detyrimet 100 mijë klientë në total në të gjithë instutucionet e mikrokredisë, por numri i klientëve që ankohen dhe që kanë problematika që ne shohim, që janë kryesisht me proçeset përmbarimore që vijnë pas gjykatave, është shumë i vogël. Unë nuk kam një numër të saktë tani të këtyre klientëve por ndoshta shumica e ankesave janë bërë në prokurori, gjykata ose Ministri të Drejtësisë, por shifra zyrtare që ne kemi e ankesave në Bankë Qendrore është 85 ankesa në harkun e 8 viteve dhe 35 ankesa në dy vitet e fundit.

Këto janë ankesa zyrtare të cilat ne i kemi listuar, të çertifikuara, të protokolluara, të ndjekura dhe të zgjidhura. Pra këto ankesa në totalin e tyre kanë të bëjnë e ritheksoj me procedurat përmbarimore. Ankesave që kanë lidhje me statusin e regjistrit të kredisë ne gjithmonë i adresojmë në bashkëpunim me institucionet qe ne mbikëqyrim por ankesat që kanë lidhje sociale lidhur me pamundësi pagese Banka e Shqipërisë nuk ka mundësi ti zgjidhë sepse janë jashtë tagrit të saj ligjor dhe rregullativ. Këto janë çështje sociale të cilat janë jashtë tagrit tonë. Kontrata e kredisë është titull ekzekutiv dhe n.q.s. nuk respektohet çohet në gjyq dhe pastaj ndiqet si procedurë. Ky është procesi normal i ndjekjes. Informacioni që marr më surprizon në fakt, të lidhësh situatën me shpërdorimin e detyrës së Bankës së Shqipërisë, më duket pak e tepërt.

Megjithatë duke mos e pas lexuar dhe duke mos pasur informacion, ky është një koment që mund ta them përgjithësisht për pyetjen tuaj. Natyrisht që një informacion më të saktë do ta keni, nëse do të informohemi dhe do të thirremi. Ne jemi të hapur për të bërë transparencë me të gjithë institucionet dhe patjetër që do të bashkëpunojmë për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ për të adresuar problemin sepse është një problem social për ata qytetarë të cilët e kanë këtë problem. Ne nuk mund ta neglizhojmë ose ta lëmë problemin pa zgjidhur. Por nuk e zgjidh dot vetëm Banka e Shqipërisë këtë problem. Zgjidhet duke koordinuar punën me disa institucione dhe duke përcaktuar procedurat më të mira të mundshme në ndihmesën e klientëve.

Banka e Shqipërisë është institucion mbikëqyrës, rregullator dhe përgjegjës për stabilitetin financiar. Dhe mbi të gjitha duhet të theksoj se ky funksion i Bankës së Shqipërisë për këto kompani që kanë blerë borxhet e këqija është në funksion të stabilitetit financiar të kursimeve të qytetarëve. Kursimet e qytetarëve janë shumë herë më shumë se sa këto borxhe. Bëhet fjalë për gjithë numrin total të depozitave, sistemi financiar sot është afër GDP-së, është afër 20 miliardë euro dhe depozitat e qytetarëve janë me shifra të përafërta mbi 10 miliardë euro, ku me qindra mijëra qytetarë kanë depozita.

Në rast se cenohet stabiliteti financiar, në rast se ne krijojmë precedentë në shkelje të ligjeve dhe detyrimeve tona ligjore dhe rregullatorë dhe krijojmë një precedent mos pagesë do të përballemi me një situatë të ngjashme me atë që kishim në vitin 2015 me një kredi të keqe me shifra shumë të larta. Ai do të ishte problem madhor; do të ishte shqetësimi kryesor jo vetëm i Bankës së Shqipërisë që e ka me ligj detyrim stabilitetin financiar, por i gjithë institucioneve kushtetuese, ligj zbatuese dhe qeverisë nëse do te ndodhte kjo.

Të shkëpusësh element të veçantë, të marrësh një shifër totale dhe ta prezantosh si problem ndërkohë që brenda kësaj shifre është një numër më i vogël duke harruar pjesën tjetër të luanit ky është një keqkuptim i madh. Të keqkuptosh rolin e institucioneve ligj zbatuese dhe ti atribuosh Bankës së Shqipërisë detyra që nuk janë të saj dhe ky është një keqkuptim i madh.

Shpresoj që të sqarohen detyrimet dhe ndarjet e përgjegjësive midis institucioneve dhe shpresoj që të vazhdojmë të koordinojmë punën me institucionet relevante që përmenda për zgjidhjen dhe adresimin e problematikave në të ardhmen dhe lehtësimin e detyrimit qytetar. Por e ritheksoj detyrim kryesor i Bankës së Shqipërisë është stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar dhe çdo funksion, aktivitet dhe veprim ne e kemi bërë në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret, e kemi riparë dhe e theksoj që ne nuk cedojme nga objektivat tona.

Nëse ne do të cedonim nga objektivat tona që është stabiliteti i çmimeve, do të rriteshin çmimet për qytetarët dhe atëherë problemi do të ishte shumë madhor për gjithë shqiptarët. Nëse ne do të cedojmë nga objektivat tona që është stabiliteti financiar, do të cenoheshin depozitat e qytetarëve që janë kursimet e tërë jetës dhe këto janë dy elementë shumë thelbësorë për një bankë qendrore. Këto janë dy elementët më thelbësorë. Gjithçka tjetër qe vjen në vijimësi është në vëmendjen e Bankës Qendrore, rregullohet me ligj dhe ndiqet. Çdo veprim i bankës qendrore për institucionet e mikrokredisë është në përputhje me ligjin dhe rregulloret, por funksionet kryesore dhe objektivat kryesore ne nuk do ti cenonim kurrë në kurriz të objektivave të tjerë.

Ky është një informacion që unë dua ta sqaroj, dhe në funksion të pyetjes suaj dhe për publikun. Është shumë i rëndësishëm informimi i publikut duke qenë se janë të paqarta, ndoshta dhe nga niveli i ulët i edukimit financiar. Ne kemi një nivel të ulët edukimi financiar në përgjithësi, unë e shoh në të gjitha nivelet, qoftë në nivel popullate dhe nivele të tjera, prandaj ne bëjmë fushata shumë intensive për edukimin financiar, sikundër kemi diskutuar edhe me Kryeministrin dhe qeverinë shqiptare për ta intensifikuar edukimin financiar në bashkëpunim me bankat. Një edukim më i mirë financiar do të sqaronte qytetarët lidhur me detyrimet, do të sqaronte institucionet dhe mediat ku ndahen, ku priten detyrimet, kush janë përgjegjësit, si duhen zgjidhur problemet, nuk do të krijonte këto konfondime dhe nuk do të krijonte keqkuptime të kësaj natyre.

Shpeshherë bankës qëndrore, duke qenë një institucion serioz dhe performues, i janë kërkuar ose i kërkohen performance për subjekte, objektiva dhe fusha të cilat janë jashtë kuadrit ligjor të një banke qendrore. Është e pamundur për një bankë qendrore që të zgjidhë objektivat jashtë kuadrit ligjor dhe rregullator që i referohen ministrive të caktuara ose fushave të caktuara. Banka qendrore ka dy objektiva, shpresoj që unë jam i qartë për ju, pra 85 ankesa ne kemi marrë, jemi informuar për herë të parë, në mos gaboj, nga banka Raiffeisen ne vitin 2022, me një shkresë që prapë ka të bëjë me procedura përmbarimore, nuk ka të bëjë me rolin e Bankës së Shqipërisë, por natyrisht Banka e Shqipërisë përfshihet sepse është institucion rregullator dhe koordinohet me Ministrinë e Drejtësisë, se nuk punojmë të ndarë, punojmë së bashku për një funksion të caktuar. Nuk kemi asnjë informacion nga Prokuroria e Tiranës apo nga organe të tjera ligjzbatuese, jemi të hapur për të ndarë çdo informacion për të sqaruar publikun, siç po e informojmë sot dhe të gjithë institucionet e tjera për të kuptuar rolin dhe funksionimin . Këto janë besoj përgjigjet e pyetjeve, por në këtë rast ju falenderojë që me dhe mundësinë të theksoj dhe të sqaroj pasi vë re që kjo është e paqartë nga shkrimet: pse është berë?, si është bërë?, dhe kush është qëllimi? Kjo është esenciale, duhet të sqaroj problemin në esencë. Të kuptojmë problemin në esencë pastaj le të hyjmë e ta zbërthejmë atë me detyrimet, me funksionet pse janë bërë gjërat. Ne jemi të hapur për të gjithë informacionin e nevojshëm, në radhë të parë për të informuar publikun se është shumë e nevojshme, Parlamentin, si dhe gjithë grupeve të interesit, të cilët kanë interes.

Në datën 29 maj, besoj, do të jem në Parlament për llogaridhënien e institucionit të Bankës së Shqipërisë që bëhet para Komisionit dhe para seancës plenare dhe unë shpresoj që do ta sqaroj edhe njëherë më në detaje Parlamentin e Republikës së Shqipërisë se ku qëndron roli dhe detyrimet e një banke qendrore dhe konkretisht se çfarë ka bërë dhe çfarë duhet të bëjë Banka e Shqipërisë për këtë çështje.