BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi workshop-in e 9-të të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore, me temë “Rikonceptimi i politikave ekonomike dhe metodologjive të bankave qendrore”

Data e publikimit: 04.12.2015

 

Në datat 3-4 dhjetor 2015, Banka e Shqipërisë organizoi workshop-in e 9-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore me temë “Rikonceptimi i politikave ekonomike dhe metodologjive të bankave qendrore”.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të bankave qendrore të Italisë, Greqisë, Malit të Zi, Turqisë, akademikë si dhe ekspertë të Bankës së Shqipërisë. Gjatë punimeve dyditore, pjesëmarrësit prezantuan 20 punime kërkimore shkencore, nga të cilat 12 i përkisnin punonjësve të Bankës së Shqipërisë.

Workshop-i u organizua në sesione të veçanta dedikuar çështjeve të momentit që lidhen me stabilitetin e sistemit bankar evropian, me kreditë me probleme, me faktorët e rritjes së kredidhënies, me eficiencën e shpërndarjes së kredisë, me efektet e politikës monetare dhe me ndërhyrjet në tregun valutor, me transmetimin e çmimeve të importeve në ekonominë e brendshme, me investimet e huaja direkte dhe besimin e konsumatorit.

Punimet e këtij seminari u përshëndetën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili në fjalën e tij theksoi se përfundimet dhe konkluzionet e punës kërkimore përbëjnë një element të rëndësishëm që ushqen vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë. Për këtë arsye organizimi i aktivitete të tilla kërkimore ka një rëndësi të veçantë si për bankat qendrore, ashtu edhe për akademikët e fushës së ekonomisë.