BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vizitë zyrtare e Guvernatorit Sejko në Bankën e Italisë

Data e publikimit: 14.03.2024

 

Në datën 13 mars 2024, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Italisë, Guvernatori Gent Sejko kryesoi delegacionin e nivelit të lartë nga Banka e Shqipërisë, në një vizitë zyrtare pranë Bankës së Italisë, në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy bankave qendrore dhe zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit teknik në fusha të ndryshme.

 DSC0283 498

Gjatë vizitës, Guvernatori Sejko u prit nga Guvernatori i Bankës së Italisë, z. Fabio Panetta, si dhe zhvilloi takime të rëndësishme me drejtues të tjerë të këtij institucioni, si z. Patrizio Pagano, Drejtues i Sekretariatit të Këshillit Drejtues dhe z. Luigi Cannari, Drejtor i Përgjithshëm për Tregjet dhe Sistemet e Pagesave. Bisedimet u përqendruan kryesisht në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, në ecurinë e sistemit bankar shqiptar, si dhe në zhvillimet më të fundit në Eurozonë.

 DSC0521 498

Fillimisht, Guvernatori Sejko e uroi homologun Panetta për marrjen e detyrës së re të Guvernatorit në krye të Bankës së Italisë dhe u shpreh besimplotë se bashkëpunimi midis dy institucioneve do të vijojë të forcohet edhe më tej.

 DSC0339 498

Guvernatori u shpreh se aktiviteti i Bankës së Shqipërisë është orientuar nga përmbushja e misionit dhe detyrave ligjore, si dhe nga jetësimi i angazhimeve të marra në strategjinë afatmesme të zhvillimit. Një ndër objektivat strategjikë të Bankës së Shqipërisë është modernizimi i sistemeve të pagesave dhe më konkretisht anëtarësimi në Tregun Unik të Pagesave në Euro, njohur ndryshe si SEPA, dhe zbatimi i projektit për pagesat e shpejta (Instant Payment), për të cilin Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me Bankën e Italisë dhe Bankën Qendrore Evropiane.

 DSC0551 498

Ai theksoi se përtej modernizimit të sistemit të pagesave në vetvete dhe standardizimit me praktikat evropiane, integrimi në një treg më të gjerë evropian, do të sjellë përfitime për ekonominë reale vendase. Pjesëmarrja në SEPA mundëson kryerjen e pagesave ndërkufitare më eficiente në terma të kostos, kohës dhe sigurisë. Nisur nga rëndësia që ka për Shqipërinë anëtarësimi në SEPA, në kuadër edhe të procesit të integrimit evropian të vendit, ai përbën prioritet për Bankën e Shqipërisë, e cila ka përmbushur me sukses të gjitha kërkesat ligjore e rregullatore dhe është plotësisht e angazhuar për të finalizuar procesin e aplikimit brenda muajit qershor 2024.

 DSC0390 498

Gjithashtu, Guvernatori Sejko shtoi se implementimi me sukses i projektit për pagesat e shpejta do të krijojë kushtet për integrimin e sistemit të pagesave në vend me sistemin evropian TIPS (TARGET Instant Payment Settlement), si dhe mund të shërbejë potencialisht si një zgjidhje shembull dhe për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

 DSC0358 498

Më konkretisht, ky sistem do të jetë një kopje e sistemit TIPS që operon Eurosistemi për pagesat e shpejta dhe do të ketë të njëjtat funksionalitete dhe ndërfaqe me të, duke bërë të mundur që në të ardhmen, sistemi lokal të integrohet lehtësisht me sistemin TIPS.

634

Banka e Shqipërisë do të përfitojë nga mbështetja teknike e Bankës së Italisë, ekspertiza dhe roli i saj i rëndësishëm si një nga bankat anëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.

 DSC0430 498

Guvernatori Panetta vlerësoi kontributin dhe rolin e rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë në sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Ai theksoi se politika monetare e ndjekur dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë ndikuar që Shqipëria të ketë një ndër normat më të ulëta të inflacionit dhe një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon. Gjithashtu z. Panetta vlerësoi dhe iniciativat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për uljen e borxhit publik të vendit, i cili ka shënuar dhe nivelin më të ulët të tij për më shumë se një dekadë.

562

Ndër të tjera, ai theksoi se bashkëpunimi midis dy institucioneve ka qenë afatgjatë dhe ka rezultuar gjithnjë i frytshëm. Guvernatori Panetta çmoi lidhjet e gjata historike e kulturore midis dy vendeve, si themele të qenësishme në drejtim të këtij bashkëpunimi afatgjatë, i cili do të vijojë si me projektin e pagesave të shpejta ashtu edhe me projektin e krijimit të një sistemi të administrimit dhe përpunimit të të dhënave statistikore.

 DSC0811  498

Në këtë drejtim, Guvernatori italian u shpreh se mbështetja dhe asistenca e Bankës së Italisë është dhe do të jetë maksimale për zbatimin e suksesshëm të projektit të modernizimit të sistemeve të pagesave dhe ofrimit të klonit të TIPS.

 DSC0788  498

Ofrimi i klonit të TIPS është një projekt me rëndësi për Bankën e Italisë, i cili përfshin përfitime konkrete për Bankën e Shqipërisë në dy drejtime. Së pari, ky projekt i jep tregut dhe ekonomisë shqiptare një infrastrukturë pagesash të shpejta, në përputhje me standardet evropiane sipas SEPA-s, dhe në një hap zhvillimesh e përmirësimesh me vetë infrastrukturën evropiane TIPS. Së dyti, përgatit tregun e ofruesve të pagesave me një infrastrukturë (kloni i Tips) identike me atë të përdorur nga vendet e Bashkimit Evropian (TIPS). Kjo lehtëson integrimin e mëtejshëm të tregut në momentin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aksesin në infrastrukturat evropiane të pagesave me lehtësi e me kosto minimale.

498  DSC0834

Z. Panetta u ndal në fushën e mbulimit të klonit të TIPS, e cila do të mundësojë pagesat e shpejta brenda vendit në Shqipëri në Lekë dhe ne Euro, si një infrastrukturë që mbështet disa valuta.

Ai e adresoi rëndësinë e aksesit në SEPA, duke vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë për përfshirjen në zonën SEPA dhe zhvillimet e deritanishme të vendit në kuadrin ligjor e rregullativ për t’u përafruar me kuadrin e Bashkimit Evropian.

Guvernatori Panetta siguroi Guvernatorin Sejko se Banka e Italisë do të vazhdojë asistencën e saj në fushat si: sistemet e pagesave, mbikëqyrja bankare dhe statistikat; si dhe ofroi mbështetje të plotë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe procesin e integrimit evropian, derisa Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Në përfundim, Guvernatori Sejko falënderoi Guvernatorin Panetta për bashkëpunimin e suksesshëm midis dy institucioneve, e veçanërisht për asistencën e dhënë nga Banka e Italisë në projektet e përbashkëta të zhvilluara deri tani në fushat kryesore të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë.