BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018

Data e publikimit: 26.04.2019

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Në raportin e stabilitetit financiar dhe në këtë deklaratë që e paraprin, vlerësohet ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve që burojnë prej ndërveprimit të tij me zhvillimet ekonomike, të jashtme dhe të brendshme, me agjentët e ekonomisë reale, me tregjet financiare në vend, si edhe ndaj rreziqeve që lidhen me mënyrën se si sektori bankar zhvillon veprimtarinë e tij. Në vijim, këto rreziqe theksohen nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës dhe përballen me gjendjen financiare të sektorit bankar për të vlerësuar qëndrueshmërinë e tij.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018 (më tej, “periudha”), sektori bankar mbeti i qëndrueshëm. Në ngjashmëri me periudhat e kaluara, veprimtaria e tij u karakterizua nga ekspozimi i kontrolluar ndaj rreziqeve dhe nga tregues të mirë të performancës e të rezistencës financiare. Si rezultat, aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet e veprimtarisë vlerësohet e fortë. Zhvillimet ekonomike dhe ecuria e tregjeve financiare mbështetën në tërësi veprimtarinë e sistemit financiar.

 

Zhvillimet në mjedisin ekonomik dhe financiar

Gjatë periudhës, ritmi i rritjes së aktivitetit ekonomik botëror është ngadalësuar, nën ndikimin e tensioneve tregtare mes vendeve të zhvilluara. Si rezultat, edhe kushtet financiare në këto vende kanë qenë disi më të shtrënguara, në ndryshim nga vendet në zhvillim ku kushtet e financimit kanë treguar një larmi më të madhe. Presionet inflacioniste në nivel botëror kanë mbetur të ndrydhura, duke reflektuar pritjet më të dobëta për rritjen e ekonomisë dhe rënien e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Në kushtet e pasigurisë më të lartë për rritjen ekonomike, bankat qendrore të vendeve të zhvilluara kanë zbutur pritjet për normalizimin e politikës monetare. Në rajonin e Ballkanit, ngadalësimi i rritjes ekonomike nuk ndaloi përmirësimin e përgjithshëm të treguesve të punësimit. Pritjet për zhvillimet ekonomike botërore reflektojnë rritjen e pasigurisë së tregjeve për mënyrën se si do të zgjidhen faktorët pengues ekonomikë dhe politikë. Vendet në zhvillim vlerësohet se mund të jenë më të ndjeshme ndaj ngadalësimit të mundshëm të rritjes ekonomike.

Në Shqipëri, norma vjetore e rritjes ekonomike shënoi 4.5%[1] në tremujorin e tretë të vitit 2018. Në rritjen ekonomike kontribuuan sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve. Rritja e kërkesës agregate u mbështet nga zgjerimi i konsumit final të popullatës dhe investimet, kryesisht ato private. Në terma vjetorë, deficiti i llogarisë korrente u zgjerua në tremujorin e katërt të vitit, por ai u mbulua plotësisht nga tepricat në llogarinë kapitale dhe financiare. Vijimi i zhvillimeve pozitive në tregun e punës u konfirmua me rënien e normës së papunësisë në nivelin 12.3% në fund të vitit. Gjatë periudhës, Banka e Shqipërisë ruajti politikën monetare lehtësuese dhe ndërhyri në tregun e këmbimit për të frenuar ndikimin e mbiçmimit të lekut në arritjen e objektivit për normën e inflacionit. Në fund të periudhës, norma e inflacionit shënoi 1.8%, pa ndryshime kundrejt një viti më parë. Politika fiskale ka ruajtur prirjen për konsolidim fiskal.

 

Tregjet financiare dhe sistemet e pagesave

Veprimtaria e tregjeve financiare u zhvillua normalisht gjatë periudhës. Në tregun e titujve të borxhit të qeverisë, normat e interesit ranë me gati 1 pikë përqindje, në kushtet kur oferta e investitorëve për blerjen e titujve ka qenë vazhdimisht më e lartë sesa kërkesa për huamarrje nga ana e qeverisë. Zgjatja e afatit mesatar të borxhit të qeverisë ka vijuar gjatë periudhës. Në tregun ndërbankar, vëllimi mesatar i transaksioneve shënoi rritje, ndërsa normat ditore të interesit qëndruan pranë nivelit të normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë. Në tregun e këmbimit të monedhave, leku u mbiçmua ndaj euros dhe u nënçmua ndaj dollarit amerikan. Ritmi i mbiçmimit të lekut ndaj euros, gjatë periudhës, ishte dukshëm më i ulët, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit. Indekset që përdoren për të monitoruar ecurinë e tregut të banesave në rang vendi dhe në Tiranë, shënuan rritje gjatë periudhës. Zhvillimet në disa faktorë përcaktues tregojnë për rritjen e kërkesës dhe të ofertës në këtë treg.

Gjatë periudhës, funksionimi i sistemeve të pagesave ka qenë optimal. Midis instrumenteve të pagesave vijoi zgjerimi i përdorimit të atyre në formë elektronike.

 

Individët dhe bizneset

Gjatë periudhës, pozicioni kreditor i individëve është zgjeruar, ndërsa ai debitor i bizneseve është ngushtuar. Për të dy sektorët, kjo ecuri u ndikua nga rritja më e shpejtë e depozitave, kryesisht në valutë, në krahasim me rritjen e kredisë. Tek individët, preferenca për të kursyer në formën e depozitave ka qenë më e lartë se për investime në tituj të borxhit të qeverisë apo pjesëmarrje në fonde investimi. Ecuria e kredisë për individë dhe cilësia e saj janë përmirësuar gjatë periudhës, kryesisht si rezultat i performancës së kredisë në lekë. Raporti i kredive me probleme për individët zbriti në 6.4%. Rezultatet e vrojtimit mbi gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve, tregojnë që ngarkesa e tyre me borxh mbetet përgjithësisht në nivele të përshtatshme. Për gati ¾ e familjeve huamarrëse, vlerat e shërbimit të borxhit zënë deri në 30% të nivelit të të ardhurave.

Për sektorin e bizneseve, kredia gjatë periudhës shënoi rënie, e ndikuar nga kredia në lekë për bizneset rezidente. Edhe për bizneset, cilësia e kredisë është përmirësuar dukshëm. Raporti i kredive me probleme shënoi nivelin 14.3%. Sipas vrojtimit mbi gjendjen financiare dhe huamarrjen e bizneseve, ngarkesa e tyre me borxh vlerësohet e përballueshme. Për gati 80% të bizneseve huamarrëse, borxhi vlerësohet të jetë sa gjysma e vlerës së kapitalit. Shumica e bizneseve që kanë borxh deklarojnë se shërbimi i borxhit (i huasë) është sa rreth 20% e të ardhurave të ndërmarrjes. Sipas rezultateve të vrojtimit, kërkesa për kredi e familjeve dhe e bizneseve për të ardhmen afatshkurtër shfaqet e moderuar.

 

Veprimtaria e sistemit financiar

Raporti i aktiveve të sistemit financiar ndaj Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), në fund të tremujorit të tretë, ishte 107.6% - pothuaj i pandryshuar nga fundi i gjashtëmujorit të mëparshëm dhe gati 2.7 pikë përqindjeje më i ulët se në fund të 2017-ës. Pesha e sektorit bankar ishte sa rreth 96.8% e PBB-së. Gjatë periudhës, aktivet e sektorit bankar u zgjeruan me 1.9%, ose 27 miliardë lekë, duke u ngjitur në nivelin 1,453 miliardë lekë. Kontributin kryesor në këtë rritje të tepricës së bilancit e dha rritja e investimeve në tituj. Mbiçmimi i kursit të këmbimit të lekut ka ndikuar negativisht në raportimin e vlerave në valutë të bilancit të sektorit bankar, për gati 15 miliardë lekë. Ndikimi ka qenë i përqendruar në tremujorin e fundit të vitit. Në marrëdhënien me subjektet jorezidente, sektori bankar ka ruajtur nivelet e larta të pozicionit kreditor neto, pa ndryshime të ndjeshme gjatë periudhës. Në terma të treguesve të shëndetit financiar, sektori bankar u karakterizua nga rritja e niveleve të kapitalizimit. Nivelet e përfitueshmërisë vlerësohen të larta, ndonëse më të ulëta se në vitin 2017. Treguesit e likuiditetit vlerësohen të kënaqshëm. Ekspozimi i drejtpërdrejtë i sektorit bankar ndaj sektorit jobankar vlerësohet i ulët, ndërkohë që performanca e sektorit bankar mbetet me rëndësi kritike për aktivitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar jobankar.

 

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë

Në lidhje me rreziqet e veprimtarisë me të cilat përballet sektori bankar, Banka e Shqipërisë vlerëson si më poshtë:

  1. Kredia me probleme vijoi rënien me ritme të mira. Gjatë periudhës, ajo ra me gati 17% në nivelin 64 miliardë lekë. Si rezultat, raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 11.1%, duke qenë rreth 2.2 pikë përqindjeje më i ulët se në fund të gjysmës së parë të vitit. Sipas kontributit, në rënien e kredive me probleme kanë ndikuar shlyerjet (për gati 17.6 miliardë lekë), fshirjet e kredive të humbura (për gati 4.5 miliardë lekë) dhe ristrukturimet. Që prej fillimit të vitit 2015, vlerësohet se bankat kanë larguar nga bilancet e tyre gati 55.5 miliardë lekë kredi të humbura. Pakësimi i kredive me probleme është shoqëruar me uljen më të shpejtë të rezervave për rrezikun e kredisë (provigjioneve), gjë që ka sjellë uljen e raportit të mbulimit të tyre me provigjione me rreth 0.8 pikë përqindje, në nivelin 65.6%. Pavarësisht rënies së raportit të mbulimit me provigjione, mbulimi me kapital i kredive me probleme neto është përmirësuar. Mbulimi me kolateral mbetet gjithashtu në nivele të larta.

Megjithë përmirësimin, është e nevojshme që bankat të ruajnë ritmet e uljes së kredive me probleme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ato banka për të cilat niveli i kredive me probleme është mbi mesataren e sektorit. Vlerat e arkëtimeve të kredive me probleme paraqiten në nivele të mira, duke evidentuar përpjekjet e bankave për arkëtimin e tyre dhe duke forcuar qëndrueshmërinë e prirjes rënëse të kredive me probleme. Mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe normat më të ulëta të interesit kanë ndikuar në përmirësimin e aftësisë paguese të huamarrësve. Megjithatë, vëmendje duhet treguar për kreditë “standard” që lëvizin drejt klasave të kredisë me probleme, pasi në dy vitet e fundit flukset nga klasat performuese, drejt atyre joperformuese, kanë qenë relativisht të qëndrueshme. Kjo evidenton nevojën për ruajtjen e kujdesit në procesin e dhënies dhe monitorimit të kredisë.

  1. Rreziku i likuiditetit në veprimtarinë bankare mbetet i ulët. Raportet e aktiveve likuide, në lekë dhe valutë, ndaj detyrimeve afatshkurtra, janë ndjeshëm mbi nivelet minimale të kërkuara nga kuadri rregullator. Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë së bankave mbeten depozitat, që zënë gati 81% të detyrimeve dhe që mbulojnë me mbi dy herë vëllimin e kredive të sektorit.

Krahas rënies së mëtejshme të depozitave me afat në strukturën e depozitave të sektorit bankar, gjatë periudhës u vërejt edhe rritja e mëtejshme e depozitave në valutë, si nga individët ashtu edhe nga bizneset, ndonëse në peshë nuk ka pasur ndryshime të ndjeshme. Ky është një zhvillim që reflekton praninë e gjerë të valutës në ekonomi, e cila shoqërohet me sfida në drejtim të efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare, si edhe me rreziqe të caktuara për stabilitetin financiar. Ndaj, në zbatim të Memorandumit Ndërinstitucional për Fuqizimin e Përdorimit të Monedhës Vendase në ekonomi dhe në sistemin financiar, është e nevojshme që autoritetet përkatëse të ndërmarrin veprime konkrete në drejtim të uljes së përdorimit të valutave nga agjentët realë të ekonomisë. Banka e Shqipërisë është e gatshme që në këtë proces të ofrojë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm.

  1. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut, ndonëse ka ardhur në rënie gjatë periudhës, mbetet i rëndësishëm. Ekspozimet ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të kursit të këmbimit, nuk treguan ndryshime të rëndësishme gjatë periudhës dhe gjatë vitit të fundit. Portofoli i kredisë në valutë të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit shënoi 24% të totalit të tepricës së kredisë, dhe bizneset vijojnë të mbajnë rreth 2/3 e tepricës së kësaj kredie. Në lidhje me ndikimin e lëvizjeve në normën e interesit, sektori bankar mbetet i ekspozuar ndaj luhatjeve të normës së interesit. Të dhënat tregojnë që ndikimi i drejtpërdrejtë është i moderuar, në kushtet kur pozicionet e hapura në bilanc midis aktiveve dhe pasiveve të ndjeshme ndaj normës së interesit, në raport me kapitalin rregullator të sektorit, janë të kufizuara. Ndikimi i tërthortë i rrezikut të normës së interesit mbetet i rëndësishëm, pasi në kushtet kur në portofolin e kredisë mbizotërojnë ato me normë interesi të ndryshueshme dhe kur vlerat e spread-eve të normave të interesit janë në nivele të ulëta historike, rritet madhësia e ndikimit të një korrektimi të mundshëm të normave të interesit në aftësinë paguese të huamarrësve, në periudhën afatmesme.  
  1. Procesi i ristrukturimit të bankave në vend, po shoqërohet me rritjen e kontrollit të bankave nga kapitali vendas. Kjo është një dukuri e viteve të fundit, e cila ka ndodhur edhe në vende të tjera të rajonit. Krahas konsolidimit të veprimtarisë bankare, mbështetur në përvojën e deritanishme, ky zhvillim pritet të kontribuojë në një rol më aktiv të sektorit bankar drejt ndërmjetësimit financiar. Paralelisht, Banka e Shqipërisë do të ruajë qasjen e përshtatshme mbikëqyrëse, për të siguruar që veprimtaria bankare të vijojë të kryhet sipas standardeve më të mira të qeverisjes dhe të administrimit të rrezikut.

 

Rreziqet për stabilitetin financiar

Për vlerësimin e rreziqeve sistemike është analizuar ecuria e treguesve që lidhen me materializimin dhe me akumulimin e rrezikut sistemik, me nivelin e stresit në sistemin financiar dhe me perceptimin e industrisë bankare lidhur me ekspozimin e veprimtarisë bankare ndaj rrezikut sistemik. Gjithashtu, harta e stabilitetit financiar synon të ofrojë një qasje të konsoliduar të vlerësimit për këto rreziqe.

Harta e stabilitetit financiar, indekset e materializimit dhe të akumulimit të rrezikut sistemik dhe indeksi i stresit financiar, përgjithësisht tregojnë rreziqe të kontrolluara për stabilitetin financiar. Kontribut pozitiv në këtë drejtim kanë dhënë treguesit që lidhen me zhvillimet në sektorin real të ekonomisë dhe në sektorin bankar, ndërsa treguesit e rreziqeve që lidhen me mjedisin e huaj ekonomik shfaqin një rritje të lehtë. Përgjigjet e bankave në vrojtimin përkatës tregojnë se ato nuk patën ndryshime të rëndësishme në perceptimin e tërësisë së rreziqeve sistemike gjatë periudhës, por vërehet se ato perceptojnë nivel më të lartë rreziku të lidhur me situatën politike. Kjo përgjigje e bankave ishte e pritshme në vijim të ashpërsimit të klimës politike në vend në fund të periudhës. Ajo gjithashtu evidenton rëndësinë e përmirësimit të kësaj klime për mbështetjen më të mirë të zhvillimeve ekonomike dhe financiare, si edhe kontrollin e rreziqeve të veprimtarisë bankare.

 

Politika makroprudenciale

Gjatë periudhës, u punua për finalizimin e treguesve të rinj që sinjalizojnë zhvillimet e rreziqeve sistemike, në elementet ciklike dhe strukturore të tij. Lista e treguesve përfshin edhe ato të përcaktimit të ciklit financiar dhe të bankave me rëndësi sistemike, të cilët më pas do të shërbejnë për të sinjalizuar mundësinë e zbatimit të instrumenteve të caktuara makroprudenciale.

Më tej, në kuadër të masave të marra për fuqizimin e përdorimit të lekut në veprimtarinë bankare që hynë në fuqi të plota gjatë periudhës (në korrik 2018), Banka e Shqipërisë ka identifikuar dhe monitoron disa tregues për të vlerësuar efektin e këtyre masave dhe nevojën për rishikimin/pasurimin e tyre. Bazuar në ecurinë e këtyre treguesve gjatë gjashtëmujorit të dytë 2018, vërehet se lëvizjet në shumicën e tyre janë të vogla dhe, në tërësi, vlerat e treguesve mbeten të shmangura ndjeshëm nga vlerat mesatare të treguesve për vende me ekonomi të ngjashme si Shqipëria. Në këto kushte, është e parakohshme dhënia e një vlerësimi për ndikimin e këtyre masave dhe nevojitet monitorimi i vazhdueshëm i treguesve përkatës.

 

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet vlerësohet duke analizuar gjendjen e tij të kapitalizimit dhe të përfitueshmërisë, si edhe duke provuar përshtatshmërinë e vlerave të këtyre treguesve në skenarë stresi, nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës. Këtë herë, ushtrimi provës së rezistencës u krye edhe për të vlerësuar gjendjen e likuiditetit të sektorit bankar.

Në fund të periudhës, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar shënoi nivelin 18.2%, duke qenë 1.2 pikë përqindje më i lartë se niveli i fundit të vitit 2017 dhe dukshëm mbi nivelin minimal të kërkuar për këtë tregues prej 12%. Përmirësimi në treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit është diktuar kryesisht nga rënia e vlerës së aktiveve të ponderuara me rrezik. Kjo rënie ka ardhur nga faktorë të njëhershëm që lidhen me ndryshime në kuadrin rregullativ. Rezultati financiar i sektorit, për periudhën, ishte në nivele të mira. Treguesit e rentabilitetit të sektorit, kthimi mbi aktivet (RoA) dhe kthimi mbi kapitalin (RoE), rezultuan përkatësisht 1.3% dhe 13%, duke qenë përkatësisht 2.4 pikë përqindje dhe 2.0 pikë përqindje më të ulët se një vit më parë. Gjatë periudhës, marzhi neto nga interesat zbriti në 3.75%, kundrejt 3.9% një vit më parë, duke reflektuar ndikimin e ekzistencës për një kohë të gjatë të mjedisit me norma të ulëta të interesit.  

Përshtatshmëria e niveleve të regjistruara nga treguesit e lartpërmendur është verifikuar gjatë ushtrimit të provës së rezistencës, me skenarë që supozonin ndryshime të pafavorshme në treguesit makroekonomikë dhe financiarë, për periudhën 2019-2020. Si edhe më parë, pjesë e supozimeve ekstreme në skenarin e rënduar (me një probabilitet të ulët ndodhjeje) ishin tkurrja e fortë e ekonomisë dhe e kredisë, rritja e shpejtë e normave mesatare të interesit dhe nënçmimi i fortë i kursit të këmbimit.

Në përgjithësi, rezultatet e provave të rezistencës tregojnë se sektori bankar mbetet i kapitalizuar dhe me performancë të mirë në skenarët që përmbajnë supozime me probabilitet ndodhjeje më të lartë. Në skenarët më ekstremë, banka të veçanta dhe sektori bankar në tërësi do të kishin nevojë për rritje të kapitalit.

Në lidhje me ushtrimin për të vlerësuar rezistencën e sektorit bankar dhe të bankave të veçanta ndaj goditjeve në kushtet e likuiditetit, rezultatet e ushtrimit tregojnë se sektori bankar është rezistent ndaj këtyre goditjeve. Sipas monedhave, rezistenca është më e mirë për lekun dhe dollarin amerikan, në krahasim me euron. Forcimi i rezistencës për lekun lidhet me rritjen e vlerës së aseteve që mund të likuidohen në rast nevoje, ndërsa dobësimi i rezistencës në monedhën euro reflekton një ulje të vlerës së raportit mes flukseve hyrëse dhe dalëse, dhe një rënie të lehtë në vëllimin e aktiveve likuide të vlefshme për likuidim, në rastin e një goditjeje likuiditeti.

Mbështetur në këtë analizë, Banka e Shqipërisë vlerëson se gjendja e kapitalizimit, e përfitueshmërisë dhe e likuiditetit të bankave, paraqitet aktualisht e përshtatshme për të përballuar rreziqet e veprimtarisë. Si edhe më parë, nevojitet që bankat të analizojnë dhe testojnë aftësinë e tyre për të përballuar rreziqet e ndryshme, në mënyrë të rregullt, në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës.

Në vijim, gjeni të detajuar përmbajtjen e raportit të stabilitetit financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018.


[1] Kjo është vlera e publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) deri në datën e dërgimit të këtij raporti për shqyrtim nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Prej asaj date, INSTAT-i ka rishikuar vlerën e rritjes ekonomike të tremujorit të tretë 2018, në 4.66%, dhe ka publikuar edhe normën e rritjes ekonomike të tremujorit të katërt të vitit 2018, të barabartë me 3.1%. Vlerësohet se këto vlera nuk sjellin ndryshime të rëndësishme në këtë analizë.