Regjistri i Kredisë

Banka e Shqipërisë mban dhe administron Regjistrin e Kredive, me qëllim trajtimin e centralizuar dhe shpërndarjen e informacionit të regjistruar në të.

Raportuesit e të dhënave janë përgjegjës për saktësinë dhe plotësinë e informacionit të raportuar pranë këtij sistemi.

Për t’u njohur me të dhënat që janë raportuar për ju në Regjistrin e Kredive, ju duhet të paraqisni kërkesën pranë Bankës së Shqipërisë si dhe të plotësoni dokumentacionin e nevojshëm, për t’u pajisur me Raportin Zyrtar të Kredimarrësit.

Dokumentacioni mund të dorëzohet pranë Bankës së Shqipërisë, në zyrat qendrore të saj në Tiranë. Për kërkesat nga rrethet, dokumentacioni i nevojshëm mund të depozitohet dhe pranë degëve të Bankës së Shqipërisë në rrethet: Shkodër, Elbasan ;Gjirokastër ; Korçë dhe Lushnje.

Mbas tërheqjes së raportit Zyrtar të Kredimarrësit, nëse keni pretendime mbi të dhënat e pasqyruara në të, duhet të paraqiteni pranë zyrave të Bankës ose në degët e saj, për të plotësuar formularin e kërkesës për rishikimin e të dhënave. Punonjësi i autorizuar fillon trajtimin e kërkesës, duke kontaktuar menjëherë raportuesin e të dhënave, për verifikimin e të dhënave të pretenduara si të pasakta dhe/ose të paplota.

Nëse nga verifikimi i kryer konstatohet se të dhënat/informacioni i raportuar është i pasaktë ose i paplotë, raportuesi i të dhënave i korrigjon ato dhe bën përditësimet e nevojshme.

Nëse pas verifikimit rezulton se informacioni i cili kërkohet të rishikohet është i saktë, atëherë informacioni i Raportit për Kredimarrësin nuk ndryshon.

Në Regjistrin e Kredive raportohen të dhëna mbi identitetin e kredimarrësve, personave të lidhur me ta dhe të dhëna mbi ekspozimet e tyre në sistemin bankar e financiar.

Kategoritë e ekspozimeve që raportohen pranë këtij sistemi janë:

  1. Kreditë
  2. Kartat e Kreditit
  3. Overdraftet
  4. Letërkreditë –Të financuara me fondet e Raportuesit të të dhënave
  5. Letërgarancitë – Të financuara me fondet e Raportuesit të të dhënave
  6. Qiratë financiare

Në Regjistrin e Kredive raportohen edhe të dhëna lidhur me pasuritë (të luajtshme/të paluajtshme) të lëna si garanci.

Raportuesit e të dhënave raportojnë brenda ditës së nesërme të punës:

  • çdo kredi të re, kredi të paguar dhe kredi të fshirë nga bilanci; si dhe
  • çdo Letërkredi ose Letërgaranci të miratuar dhe të financuar .

Raportuesit e të dhënave raportojnë në Regjistrin e Kredive, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve të para të punës të muajit pasardhës, përditësimin e të dhënave të kredimarrësit, si dhe gjendjen e portofolit të kredive bashkë me klasifikimet përkatëse.

Informacioni dhe të dhënat në Regjistrin e Kredive qëndrojnë përgjatë të gjithë kohëzgjatjes së kredisë, si dhe për 5 vite të tjera, nga data në të cilën kredia është raportuar si “kredi e paguar - statusi 5” ose e “fshirë nga bilanci - statusi 6”.

Informacioni dhe të dhënat negative, fshihen nga regjistri i kredive, pas përfundimit të afatit të lartpërmendur