Politika makroprudenciale

Çfarë janë politikat makroprudenciale dhe cili institucion i zbaton?

Politikat makroprudenciale i kushtohen analizës dhe vlerësimit të rrezikut sistemik, si dhe përfshijnë zbatimin e masave për parandalimin dhe zbutjen e tij. Politika makroprudenciale hartohet dhe zbatohet nga autoriteti makroprudencial i një vendi i cili, në varësi të strukturës së sistemit financiar dhe të formës së mbikëqyrjes së tij, mund të jetë banka qendrore ose një forum ndërinstitucional në të cilin marrin pjesë disa autoritete publike.

Pse duhen politikat makroprudenciale?

Në praktikë, qëllimi i masave makroprudenciale është të parandalojnë kthimin e një rreziku me shtrirje të kufizuar në rrezik sistemik, si edhe të ruajnë pjesën tjetër të sistemit nga pasojat negative të dështimit të institucioneve ose bankave me rëndësi sistemike. Politikat makroprudenciale kanë si qëllim të:

  • identifikojnë, monitorojnë dhe vlerësojnë llojet dhe madhësinë e rreziqeve që kërcënojnë stabilitetin financiar,
  • të forcojnë aftësitë e sistemit financiar për të shmangur ose përballuar këto rreziqe me sa më pak humbje.