Sistemi i Pagesave

Sistemi financiar i një vendi nënkupton tërësinë e institucioneve, tregjeve dhe infrastrukturës mbështetëse të tregjeve financiare për kryerjen e pagesave dhe për klerimin e shlyerjen e instrumenteve financiare. Si komponent i këtij sistemi, infrastruktura për klerimin dhe shlyerjen luan rol thelbësor në lidhje me stabilitetin financiar si dhe zhvillimin ekonomik në tërësi. Gjithashtu,  zbatimi i politikës monetare në mënyrë efektive mbështetet në ekzistencën e një sistemi pagese të sigurt dhe efikas.

Sistemi i pagesave është një bashkësi instrumentesh, procedurash dhe rregullash për transferimin e fondeve midis pjesëmarrësve, bazuar në marrëveshjen midis këtyre pjesëmarrësve dhe operatorit të sistemit. Transferimi i fondeve kryhet nëpërmjet një infrastrukture teknike të posaçme.

Banka e Shqipërisë luan rol kyç në nxitjen e funksionimit normal të sistemit të pagesave, duke promovuar sigurinë dhe efikasitetin. Për arritjen e objektivit, Banka e Shqipërisë vepron si operator, mbikëqyrës dhe katalizator e reformator.