Paketa e deeuroizimit

Prania e euroizimit në sistemin financiar dhe më gjerë në ekonomi, ka ndikime të rëndësishme për efektivitetin e politikave ekonomike.

Në drejtim të politikave makroekonomike, niveli i lartë i euroizimit ndikon në uljen e efektivitetit të politikës monetare; kufizon rolin e kursit të lirë të këmbimit si një stabilizues automatik në rastin e goditjeve makroekonomike, në kushtet e ndjeshmërisë më të lartë të subjekteve ekonomike ndaj luhatjeve të mëdha të kursit të këmbimit; dhe cenon efektivitetin e politikës fiskale përmes rritjes së mundshme të kostos së shërbimit të borxhit dhe ndryshimit të padëshiruar strukturës së tij. Gjithashtu, niveli i lartë i euroizimit shoqërohet zakonisht me kosto për bankën qendrore në formën e kostos oportune për mbajtjen e një niveli relativisht më të lartë të rezervave valutore, si edhe për humbjen e të ardhurave (senjorazh) që shoqërojnë zëvendësimin e monedhës vendase nga ajo e huaj.

Në drejtim të stabilitetit financiar, euroizimi rrit ekspozimin e sistemit financiar dhe të operatorëve ekonomikë ndaj zhvillimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe ndaj situatave të stresit të likuiditetit në valutë.

Procesi i zgjerimit të përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonomi, (deeuroizimi) nuk është një objektiv vetëm për sistemin financiar, për sa kohë që përdorimi i valutës nga publiku në transaksionet e ndryshme, mbetet i gjerë. Për këtë arsye, qasja për deeuroizimin duhet të jetë gjithëpërfshirëse ku edhe autoritetet e tjera të vendit mund të identifikojnë dhe të ndërmarrin masa të caktuara që cilat nxisin publikun dhe agjentët ekonomikë të rrisin shkallën e përdorimit të monedhës kombëtare në transaksionet e tyre.

Për këtë qëllim, është realizuar Memorandumi i Bashkëpunimit ku Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare janë angazhuar që brenda fushave përkatëse të kompetencës dhe në mënyrë sa më të harmonizuar, të identifikojnë veprimet e nevojshme në drejtim të deeuroizimit më të përgjithshëm ekonomik, duke përfshirë edhe komunikimin me publikun.

Dokumenti përmban edhe mekanizma monitorues për të vlerësuar dhe raportuar rregullisht mbi efektin që mund të kenë masat e ndërmarra nga autoritetet në tregues të ndryshëm financiarë dhe ekonomikë.

Në këtë rubrikë, paraqiten veprimet e Bankës së Shqipërisë, në kuadër të strategjisë së deeuroizimit.