Marrëveshje dhe bashkëpunime

Në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, Banka e Shqipërisë bashkëpunon me autoritete dhe partnerë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ky bashkëpunim mbështet mandatin e bankës qendrore, në drejtim të planifikimit dhe zbatimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Në nivel kombëtar, Banka e Shqipërisë bashkëpunon me autoritete publike si Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Komisioni i Ndihmës Shtetërore, si dhe auditorë, vlerësues, këshilltarë ligjorë, etj., për  përgatitjen në një kohë sa më të hershme të planifikimit dhe zbatimit të suksesshëm të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Në të njëjtën kohë, ky bashkëpunim shërben si një platformë e përshtatshme për koordinimin e veprimeve.

Në nivel ndërkombëtar, Banka e Shqipërisë realizon marrëveshje bashkëpunimi me autoritete homologe të ndërhyrjes së jashtëzakonshme të një shteti tjetër ose me organizata ndërkombëtare, të cilat janë përgjegjëse për ndërhyrjen e jashtëzakonshme.

Bankat me origjinë nga Bashkimi Evropian zënë një peshë të rëndësishme të totalit të aktiveve të sektorit bankar shqiptar. Për këtë arsye, bashkëpunimi dhe komunikimi me autoritetet evropiane të ndërhyrjes së jashtëzakonshme janë mjaft të rëndësishëm.