Çfarë është ndërhyrja e jashtëzakonshme?
Ndërhyrja e jashtëzakonshme është zbatimi i një ose më shumë instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme për bankat në vështirësi financiare që synon të sigurojë:
- vijueshmërinë e funksioneve kritike të bankës
- ruajtjen e interesit publik dhe stabilitetit financiar
- minizimin e kostos së taksapaguesve
Pse lindi?
Kriza e fundit financiare botërore tregoi se instrumentet ekzistuese të autoriteteve mbikëqyrëse të bankave, nuk mjaftuan për të trajtuar në mënyrë të efektshme vështirësitë e reja me të cilat po përballeshin bankat. Kështu, autoritetet shpesh përdorën fondet publike për t’i shpëtuar bankat nga likuidimi i detyruar, i cili do të kishte ndikime të rëndësishme negative në stabilitetin financiar të vendit.
Për të përcaktuar rregulla dhe mekanizma të qarta për ndërhyrjen, Bashkimi Evropian hartoi Direktivën 2014/59/BE për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në institucionet financiare. Direktiva hyri në fuqi më 1 janar 2015 në të gjitha shtetet anëtare të BE.
Ndërhyrja e Jashtëzakonshme në Bankën e Shqipërisë
Duke filluar nga viti 2017, Banka e Shqipërisë është Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për bankat dhe degët e bankave të huaja që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri, sipas ligjit 133/2016 "Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë". Ky ligj harmonizon kuadrin ligjor në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në Shqipëri me Direktivën 2014/59/BE dhe praktikat më të mira ndërkombëtare rregullatore.
Në kuadër të përmbushjes së mandatit si Autoritet i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, Banka e Shqipërisë:
- harton planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme
- vlerëson mundësinë për ndërhyrje të jashtëzakonshme dhe trajton e eliminon pengesat ndaj mundësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme
- vendos nivelin minimal të instrumenteve të kapitalit dhe të detyrimeve të pranuara, që përdoren në rastin e instrumentit të rikapitalizimit nga brenda
- harton dhe zbaton strategjitë e ndërhyrjes së jashtëzakonshme (vendos bankën në ndërhyrje të jashtëzakonshme, zbaton instrumentet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe në rast nevoje, përdor Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme)
- mbledh kontributet për plotësimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe miraton politikat për investimin e tij.

Linkedin
X
Facebook
Instagram
YouTube
Flickr
RSS
Regjistrim
Kontakte
Përshtypje