Raportet e stabilitetit financiar

Banka e Shqipërisë ka detyrimin ligjor që, çdo gjashtë muaj, nëpërmjet një deklarate, të informojë Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin e Shqipërisë, nëse ekzistojnë kërcënime mbi stabilitetin e sistemit financiar, mbi natyrën dhe llojin e kërcënimit, si edhe nëse nevojiten përmirësime ligjore dhe nënligjore apo ndonjë iniciativë tjetër ligjore për të adresuar kërcënimet dhe rreziqet e identifikuara. Këtë detyrim, Banka e përmbush duke publikuar Deklaratën e Stabilitetit Financiar, e cila është pjesë e Raportit të Stabilitetit Financiar. 

Raporti i Stabilitetit Financiar përgatitet nga Departamenti i Stabilitetit Financiar dhe ka filluar të publikohet që në vitin 2007. Raporti përmban:

  • një vlerësim të rreziqeve kryesore të stabilitetit financiar;
  • një analizë të zhvillimeve ndërkombëtare dhe atyre makroekonomike në vend;
  • një analizë mbi pozicionin financiar dhe ekspozimin ndaj rreziqeve të individëve dhe bizneseve;
  • një analizë të tregjeve financiare, dhe
  • një analizë të detajuar të sektorit bankar, që përfshin rezultatet e ushtrimeve të rezistencës së qëndrueshmërisë dhe likuiditetit.

Raporti gjithashtu përmban analiza të veçanta dhe përmbledhje të punimeve kërkimore mbi tema të rëndësishme të kohës, të përfshira në hapësirat informuese.