Rreth Bankës

Banka e Shqipërisë është banka qendrore e Republikës së Shqipërisë. Ky status sanksionohet në nenin 161 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjin 8269/1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i cili përcakton objektivat, detyrat, marrëdhëniet me sistemin bankar dhe me shtetin, organizimin dhe drejtimin, pronësinë mbi kapitalin, pasqyrat financiare dhe shpërndarjen e fitimit.

Banka e Shqipërisë ka si objektiv kryesor arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Ajo është autonome dhe e pavarur nga çdo pushtet tjetër në realizimin e objektivit kryesor dhe objektivave e detyrave të tjera.
 
Banka e Shqipërisë është bankë me kapital tërësisht shtetëror dhe përgjigjet përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ajo drejtohet nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili kryesohet nga Guvernatori, që vepron edhe si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i saj.

Vizioni

Vizioni i Bankës së Shqipërisë është forcimi i mirëqeverisjes, përmes forcimit të pavarësisë, rritjes së llogaridhënies e transparencës, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek institucioni.

Misioni

Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Nëpërmjet arritjes së këtij objektivi, Banka e Shqipërisë ndihmon në krijimin e premisave të duhura për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit, të punësimit dhe të mirëqenies, ruan vlerat e kursimeve, si dhe ndihmon stabilitetin e zhvillimin e sistemit financiar. Përmbushja e objektivit realizohet nëpërmjet hartimit dhe zbatimit në mënyrë të pavarur të politikës monetare.

Si emetuese e monedhës kombëtare, Banka e Shqipërisë nxit funksionimin normal të sistemit të pagesave me synim: sigurimin e qarkullimit të sigurt, të shpejtë dhe me  kosto  të  ulët  të  parasë  në  ekonomi;  parandalimin  e  rrezikut  sistemik;  dhe  ruajtjen e stabilitetit të institucioneve dhe tregjeve financiare.

Banka e Shqipërisë promovon stabilitetin e sistemit financiar – besimin publik tek institucionet, tregjet dhe infrastruktura financiare – duke rregulluar, licencuar dhe mbikëqyrur  bankat  dhe  institucionet  e  tjera  financiare,  si  dhe  duke  identifikuar  dhe analizuar rregullisht rreziqet dhe kërcënimet ndaj stabilitetit financiar.

Vlerat

Në funksion të forcimit të besimit publik tek institucioni, veprimtaria e Bankës së Shqipërisë udhëhiqet nga këto parime:

  • Integriteti dhe etika
  • Kompetenca dhe profesionalizmi
  • Efektiviteti dhe efikasiteti
  • Puna në grup dhe inovacioni

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu