Çfarë është Politika Monetare?

Banka e Shqipërisë është institucioni i vetëm në Republikën e Shqipërisë përgjegjës për konceptimin, hartimin, miratimin dhe zbatimin e politikës monetare. Politika monetare përfshin një bashkësi parimesh, masash dhe instrumentesh, nëpërmjet të cilave banka qendrore ndërhyn në tregjet financiare dhe në ekonomi, duke synuar të përmbushë objektivin e saj të stabilitetit të çmimeve.

Politika monetare hartohet në funksion të përmbushjes së objektivit kryesor të Bankës së Shqipërisë: arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Ajo përfshin ndërhyrjen dhe/ose qëndrimin e Bankës së Shqipërisë ndaj tregjeve financiare për të arritur objektivin e saj kryesor.

Në tërësinë e saj, politika monetare përmbledh bazën ligjore (link) në të cilën mbështetet, kuadrin teorik që përdoret për modelimin e saj, objektivin operacional të politikës monetare dhe kuadrin e instrumenteve, të cilat përdoren për përmbushjen e tyre.