Parandalimi i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Çfarë është pastrimi i parave?
Pastrimi i parave është procesi i përdorur për të fshehur burimin e parave ose pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale dhe përgjithësisht përfshin shndërrimin e të ardhurave të krimit në një formë "të ligjshme".

Çfarë është financimi i terrorizmit?
Financimi i terrorizmit është sigurimi i fondeve për të mbështetur veprimtari terroriste.

Pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit mund të përfshijnë edhe institucionet financiare si bankat, subjektet financiare jobanka dhe zyrat e këmbimit valutor, nëpërmjet kanaleve të transferimit të parave, pagesave apo kredisë.

Përfshirja, edhe pa dijeni, në këto procese mund t'i shkaktojë dëm serioz reputacionit të një institucioni, sistemit financiar, organit të tij rregullator, si dhe vendit në përgjithësi.

Cili është roli i Bankës së Shqipërisë në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit?
Banka e Shqipërisë në zbatim të Ligjit "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit", dhe Ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" mbikëqyr veprimtarinë e subjekteve të licencuara prej saj dhe vlerëson zbatueshmërinë e akteve ligjore dhe rregullative mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.