Stabiliteti Financiar

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me autoritete të tjera, kontribuon në ruajtjen e stabilitetit financiar. Si pjesë e këtij kontributi, Banka e Shqipërisë harton dhe zbaton politikën makroprudenciale, e cila synon të parandalojë rreziqet që kërcënojnë stabilitetin financiar dhe të rrisë qëndrueshmërinë e bankave dhe të institucioneve të tjera financiare.

ÇFARË ËSHTË STABILITETI FINANCIAR DHE ÇFARË E RREZIKON ATË?
Një ekonomi zhvillohet në kushtet e stabilitetit financiar, kur sistemi financiar:

  • kryen funksionet e tij të ndërmjetësimit financiar dhe të administrimit të rreziqeve, duke ndihmuar publikun dhe subjektet ekonomike në kryerjen e transaksioneve financiare të lidhura me kursimin, investimin, huamarrjen, kryerjen e pagesave dhe administrimin e rreziqeve; 
  • institucionet financiare janë të përgatitura për të përballuar goditje të përmasave dhe formave të ndryshme.

Stabiliteti financiar mund të cenohet nga:

  • dobësi të brendshme të një apo disa institucioneve të sistemit financiar,
  • goditje prej ndërveprimit me mjedisin e jashtëm ekonomik,
  • veprimi i kombinuar i këtyre faktorëve.

Goditjet prej ndërveprimit me mjedisin e jashtëm ekonomik mund të shkaktohen nga:

  • ndryshime në politikat makroekonomike ose në kuadrin institucional,
  • luhatshmëri e theksuar në flukset e kapitalit, veçanërisht në ato të portofolit, shkaktuar nga ndryshimet në ciklin financiar dhe ekonomik me vendet partnere në marrëdhëniet ekonomike.

KUSH PËRFITON NGA STABILITETI FINANCIAR?
Stabiliteti financiar i shërben ekonomisë dhe agjentëve ekonomikë në tërësi, dhe më konkretisht prej tij përfitojnë:

  • familjet, ndërmarrjet, subjektet e tjera ekonomike private dhe publike;
  • sistemi financiar; 
  • tregjet
  • autoritetet publike 

Kur ka stabilitet financiar, rritja ekonomike është më e shëndetshme dhe e qëndrueshme, pasi: kursimet dhe investimet e agjentëve ekonomikë, privatë e publikë, sillen më pranë pritshmërive dhe përcaktimeve kontraktore; tregjet funksionojnë më mirë dhe ndihmojnë që nevojat financiare të subjekteve ekonomike të realizohen në mënyrë më eficiente; ka rezistencë më të lartë ndaj situatave të stresit financiar, krizat financiare shmangen dhe taksapaguesit nuk paguajnë për mbulimin e kostove të tyre; politikat ekonomike të bankës qendrore dhe autoriteteve të tjera publike janë më efektive.

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu