Modalitete të kryerjes së praktikës mësimore në Bankën e Shqipërisë

Kandidatët që do të pranohen për kryerjen e praktikës pranë Bankës së Shqipërisë, duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  1. Të kenë kryer ose janë duke kryer studimet e larta brenda ose jashtë vendit;
  2. Të mos jenë të dënuar me një vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
  3. Të mos jenë në ndjekje penale;
  4. Të mos kenë kryer më parë praktikë mësimore pranë Bankës së Shqipërisë.
  5. Të angazhohen në respektimin e zbatimit të:
    • Ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”;
    • Rregullores ”Për Kodin e Etikës në Bankën e Shqipërisë”;
    • Rregullave mbi konfidencialitetin ndaj informacionit të klasifikuar, si dhe dispozitat e tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Kohëzgjatja e praktikës

Praktika mësimore në Bankë është deri në 1 (një) muaj, gjithsesi kohëzgjatja e zhvillimit të praktikës do të përcaktohet në varësi të disponibilitetit të departamenteve dhe numrit të kandidatëve.

Kërkesa për kryerjen e praktikës

Kandidatët e interesuar për kryerjen e praktikës mësimore pranë Bankës, duhet të paraqesin kërkesën e tyre pranë Departamentit të Burimeve Njerëzore nëpërmjet këtij formular-aplikimi. 

*Sqarim: Nëse nuk ka një fushë specifike interesi atëherë pika a ose b, sipas këtij formulari duhet të plotësohet nëpërmjet vendosjes së emrave të departamenteve të Bankës në rend prioritar për kandidatin. Lutemi kandidatëve që të informohen paraprakisht për funksionet e departamenteve (njësive organizative) përpara shprehjes së interesit në formular.

Kandidatët e interesuar duhet ta shoqërojnë kërkesën me dokumentacionin e mëposhtëm:

  • Curriculum Vitae;
  • Letër-rekomandimi nga një prej pedagogëve të tij me gradë shkencore “Doktor” ose “Profesor” në fushën për të cilën praktikanti po aplikon;
  • Diplomë e shkollës së lartë, në rastin kur kandidati ka përfunduar studimet e larta;
  • Lista e notave (në rastin e kandidatit i cili vazhdon studimet e larta, lista e notave të të gjitha semestrave të përfunduar deri në momentin e aplikimit) e lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë ku kandidati ka përfunduar studimet e larta ose është duke vazhduar këto studime;
  • Formular Vetëdeklarimi;
  • Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;
  • Vërtetim nga gjykata që nuk është në gjykim penal;
  • Fotokopje të dokumentit të identifikimit; si dhe
  • Fotografi 1 (një) copë.

*Dokumentacioni i praktikave mësimore duhet të jetë origjinal ose i njehsuar me origjinalin dhe të dorëzohet dorazi pranë Godinës Qendrore të Bankës së Shqipërisë në Sheshin Skënderbe, ose nëpërmjet postës me adresë, Banka e Shqipërisë, Sheshi Skënderbe, nr. 1.

Procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve dhe kryerjen e praktikës

Departamenti i Burimeve Njerëzore shqyrton të gjitha kërkesat dhe plotësimin e dokumentacionit të kërkuar nga kandidatët si dhe përgatit listën e kandidatëve të cilët plotësojnë kriteret sipas dispozitave të rregullores përkatëse, duke i grupuar ata sipas njësive organizative në të cilat do të kryejnë praktikën, bazuar në kërkesën e tyre.

Njoftimi i kandidatëve të përzgjedhur kryhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e fundit e afatit të aplikimit të publikuar në faqen e mëparshme (praktika mesimore).

Përzgjedhja e praktikantëve, në rastin kur qëllimi i kryerjes së praktikës prej tyre është realizimi i një studimi kërkimor/zhvillimi me një temë të caktuar, kryhet nga drejtuesi i njësisë organizative të interesuar, në varësi të objektit të studimit në raport me fushën e veprimtarisë së njësisë organizative; si dhe objektivat/përparësitë e njësisë organizative.

Praktika zhvillohet sipas një programi individual për çdo praktikant, të hartuar nga njësia përkatëse në përputhje me detyrat kryesore të kësaj njësie organizative dhe bazuar në kërkesën e praktikantit.

Njësia përkatëse organizative cakton një kujdestar të drejtpërdrejtë, i cili është përgjegjës për orientimin dhe ndjekjen nga afër të praktikës mësimore nga praktikantët.

Në përfundim të praktikës, praktikantët pasi plotësojnë të gjitha detyrimet pajisen me dëshminë për kryerjen e praktikës mësimore pranë Bankës së Shqipërisë.

Për më shumë informacion mund të na kontaktoni nëpërmjet postës elektronike: [email protected] duke vendosur në subjekt “Praktika Mësimore”.