Lehtësirat e Përhershme

Lehtësirat e përhershme janë instrumente që janë normalisht pa kufizime në dispozicion të bankave të nivelit të dytë për investimin e likuiditetit të tepërt ose huamarrjen e likuiditetit me afat kohor njëditor. Normat e interesit të këtyre instrumenteve përcaktojnë korridorin ku mund të luhaten interesat e tregut ndërbankar. Karakteristikë është se përdorimi i tyre realizohet gjithmonë dhe ekskluzivisht me nismën e bankave të nivelit të dytë.

DEPOZITA NJËDITORE

a. Lloji i instrumentit

Depozita njëditore është një instrument afatshkurtër investimi në dispozicion të bankave të nivelit të dytë, nëpërmjet të cilit bankat mund të investojnë likuiditetin e tyre të lirë në afatin kohor njëditor dhe me interes të parapërcaktuar. Në kushte normale norma e interesit të depozitës njëditore shërben si dysheme për nivelin e interesit në tregun ndërbankar.

b. Natyra ligjore e instrumentit

Bankat e nivelit të dytë kanë të drejtë të vendosin depozitë njëditore pranë Bankës së Shqipërisë në shumë të pakufizuar. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka të drejtë të refuzojë kërkesën e çdo banke për vendosje depozite, në përputhje me synimet e saj, pa mbartur detyrimin e dhënies së shpjegimeve. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë nuk vendos kolateral për depozitat e pranuara.

c. Kushtet e përdorimit të instrumentit

Depozitë njëditore në Bankën e Shqipërisë mund të vendosin të gjitha bankat dhe degët e bankave, që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri dhe që mbajnë llogari pranë Bankës së Shqipërisë. Për pranimin e depozitës, banka duhet të paraqesë kërkesën e saj me shumën përkatëse deri në orën e paracaktuar nga Banka e Shqipërisë, dhe të bjerë dakord me interesin dhe me maturimin e depozitës së vendosur.

d. Maturimi dhe interesi i instrumentit

Maturimi i këtij instrumenti është njëditor. Interesi bashkë me shumën i ripaguhen bankës ditën vijuese të punës. Dita e maturimit mund të shtyhet vetëm në rastin kur dita vijuese është ditë pushimi. Interesi i depozitës njëditore është i paralajmëruar dhe llogaritet me bazë 365 ditë. Norma e interesit që u paguhet bankave të nivelit të dytë për depozitën njëditore në bazë vjetore është 1.0 pikë përqindje  më e ulët se interesi i marrëveshjeve të riblerjeve me maturim shtatë ditë, i përcaktuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

KREDIA NJËDITORE

a. Lloji i instrumentit

Kredia njëditore është një instrument afatshkurtër borxhi që u vihet në dispozicion bankave të nivelit të dytë. Ajo është kredi plotësisht e garantuar, që akordohet për të asistuar bankat me nevoja ditore likuiditeti. Në kushte normale norma e interesit të kredisë njëditore shërben si tavan për nivelin e interesit në tregun ndërbankar.

b. Natyra ligjore e instrumentit

Banka e Shqipërisë akordon kredi njëditore vetëm në formën e kredisë së kolateralizuar që do të thotë banka që kërkon kredi një ditore duhet të vendosë si kolateral një(disa) letër(a) me vlerë, e cila(të cilat) vlerësohet(en) sipas kushteve të bëra të njohura paraprakisht.. Duke marrë në konsideratë plotësimin e detyrimit për kthimin e borxhit, e drejta e pronësisë së letrës me vlerë i mbetet debitorit (bankës që kërkon likuiditet) gjatë kohëzgjatjes së kredisë, por në rast të mosshlyerjes së detyrimit kolaterali kalon në pronësi të Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë mund të refuzojë kërkesën e çdo banke për kredi njëditore, në përputhje me synimet e saj pa dhënë shpjegime.

c. Kushtet e përdorimit të instrumentit

Instrumenti i kredisë njëditore mund të përdoret të gjitha bankat dhe degët e bankave, që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri dhe që mbajnë llogari pranë Bankës së Shqipërisë. Bankat, që në përfundim të veprimeve rezultojnë me mungesë likuiditeti, bëjnë kërkesë për kredi njëditore. Nga ana tjetër, në mbyllje të ditës së punës, në rast se konstatohet që banka e nivelit të dytë nuk ka kthyer kredinë brenda ditës të marrë nga Banka e Shqipërisë, atëherë kredia brenda ditës konvertohet në kredi njëditore me të njëjtin kolateral. Banka e Shqipërisë njofton bankën përkatëse për kredinë automatike të akorduar si dhe për bllokimin e kolateralit. Përtej nevojës për të pasur kolatateral të mjaftueshëm për garantimin e kredisë njëditore, nuk ka kufizim mbi shumën që një bankë mund të marrë kredi njëditore.

d. Maturimi dhe interesi i instrumentit

Maturimi i instrumentit të kredisë është njëditor. Interesi bashkë me shumën i paguhen Bankës së Shqipërisë ditën vijuese të punës dhe shtyhet për ditën e parë të punës në rast se dita vijuese është pushim.Interesi i kredisë njëditore është i paralajmëruar dhe llogaritet me bazë 365 ditë. Kjo normë është 1.0 pikë përqindje më e lartë se norma e marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me maturim shtatë ditë të miratuar nga Këshilli Mbikqyrës. 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu