Inflacioni bazë

Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK), i llogaritur dhe i publikuar nga INSTAT-i, shërben për të matur inflacionin total. Por, vlerat e inflacionit total mund të reflektojnë edhe veprimin e faktorëve me natyrë të përkohshme, apo të goditjeve që ndodhin vetëm një herë dhe që shuhen me kalimin e kohës. Inflacioni i vlerësuar duke përjashtuar ndikimet nga luhatjet afatshkurtra, goditjet njëherëshe dhe ato të ofertës quhet inflacion bazë. Ai përfaqëson pjesën më të qëndrueshme të inflacionit që ndikohet nga faktorë të kërkesës dhe për rrjedhim dhe të politikës monetare.

Për qëllime të analizave dhe të vendimmarrjes, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar matje të ndryshme të inflacionit bazë. Matja kryesore e inflacionit bazë, e cila referohet në Raportet e Politikës Monetare është ajo me “përjashtim të përhershëm”. Kjo përqasje nënkupton përjashtimin e përhershëm të disa artikujve të shportës, çmimet e të cilëve paraqesin luhatshmëri të lartë në afat të shkurtër apo ndryshime që nuk varen nga politika monetare. Të dhënat për vlerësimin e inflacionit bazë merren nga IÇK-ja e publikuar nga INSTAT-i.

Përditësimi i serisë së inflacionit bazë bëhet, si rregull, rreth datës 14 të çdo muaji, ose në ditën pasuese nëse kjo bie ditë pushimi.

Seritë kohore