Shqipëria në S€PA

 

Pagesa më të lira, më të shpejta, më të sigurta

Çfarë është SEPA?

Zona Unike e Pagesave në Euro (SEPA) është një shtrirje gjeografike prej 41 shtetesh, një ndër të cilat edhe Shqipëria.

Të gjitha vendet anëtare të SEPA-s janë të detyruara të kryejnë dhe pranojnë pagesa në monedhën Euro për të gjithë, individë, biznese dhe institucione, brenda dhe midis vendeve anëtare të SEPA-s,  me të njëjtat kushte, rregulla dhe procedura si për pagesat kombëtare në Euro.

Nën drejtimin e Bankës së Shqipërisë dhe mbështetjen e Bankës Botërore, Shqipëria u anëtarësua në SEPA në vitin 2024, pas një procesi të gjerë harmonizimi rregullator, përditësimi të infrastrukturës, testimesh teknike dhe vendimmarrjes për uljen e komisioneve bankare për pagesat në Euro.

Prej 7 tetorit 2025, një transfertë elektronike në Euro nga Tirana në Bruksel përpunohet dhe kushton njësoj si një pagesë në Euro nga Tirana në Korçë.

“SEPA nuk është thjesht një arritje teknike, por një simbol i qartë i integrimit financiar të Shqipërisë në tregun evropian.” – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

 

Pse është e rëndësishme për Shqipërinë?

Qytetarët, bizneset dhe ekonomia shqiptare përfitojnë drejtpërdrejt:

  • Kosto 5-10 herë më të ulëta për transfertat ndërkufitare në Euro.
  • Shpejtësi më e lartë dhe përpunim automatik i transaksioneve.
  • Siguri dhe transparencë sipas standardeve evropiane.
  • Përfshirje e plotë në tregun unik të pagesave me 40+ vende.

Vlerësohet se qytetarët dhe ekonomia shqiptare do të kursejnë rreth 20 milionë € vetëm në vitin e parë, me rritje në vijim.

Kush përfiton?

  • Emigrantët: dërgojnë remitanca më lirë dhe më shpejt te familjet e tyre.
  • Studentët: paguajnë tarifat e universitetit jashtë vendit me kosto më të ulët.
  • Bizneset: paguajnë/arkëtojnë nga partnerët në BE më shpejt dhe shumë më lirë.
  • Familjet: u dërgojnë para fëmijëve jashtë vendit me tarifa minimale.
  • Pensionistët: marrin remitanca me shpejt dhe më lirë.
  • Të gjithë përdoruesit e shërbimeve bankare në Euro: përfitojnë nga standarde të unifikuara dhe siguri më e lartë.
  • Bankat: përfitojnë nga konkurrueshmëria, automatizimi dhe ndërveprimi me homologet evropiane.

Sa kushton?

  • Pagesat elektronike deri në 20,000 €: maksimumi 2 €.
  • Nga 20,000 € deri në 100,000 €: 2–10 € (deri 0.01% të vlerës).
  • Mbi 100,000 €: maksimumi 25 €.
  • Pagesat hyrëse (remitanca): maksimumi 3 €.

Kujdes!

Komisionet e aplikuara nga bankat evropiane nuk mund të kontrollohen dhe rregullohen nga Banka e Shqipërisë.

Si të kryeni një pagesë SEPA?

Për të kryer një transfertë SEPA nevojiten vetëm disa elemente të thjeshta:

  • Një llogari bankare ose pagesash në një institucion financiar, pjesë e SEPA-s;
  • IBAN-i i përfituesit (numri ndërkombëtar i llogarisë bankare);
  • BIC i bankës përfituese (kodi identifikues ndërkombëtar i bankës);
  • Pagesa duhet të jetë në Euro (€);
  • Të dy institucionet [i dërguesit dhe i përfituesit] duhet të jenë pjesë e zonës SEPA;
  • Në SEPA nuk përfshihen transaksione financiare për tituj, fonde investimesh ose vlera që tejkalojnë limitet e përcaktuara nga sistemi[1].

Për t’u pasur parasysh

  • Komisionet ndahen në mënyrë të barabartë mes dërguesit dhe përfituesit. Ky është një rregull i detyrueshëm i SEPA-s. Zgjidhni opsionin “SHARE”, kur bëni transferta në SEPA.
  • Pagesat e kryera fizikisht në sportelet e bankave kanë kosto më të lartë, për shkak të shërbimit manual.
  • Shuma e transferuar nuk preket: Vlera që dërgohet në/nga zona SEPA kreditohet e plotë në llogarinë e përfituesit. Komisionet e bankës së dërguesit/pritësit pasqyrohen veçmas në llogarinë e klientit.

Rekomandime

  • Transfertat të iniciohen përmes kanaleve bankare digjitale nëpërmjet telefonit ose kompjuterit: ju kushton më lirë.
  • Llogaria të jetë në Euro. Nëse llogaria e dërguesit apo përfituesit nuk është në Euro, banka e konverton shumën në monedhën e llogarisë, çka mund të ketë kosto shtesë.

Për më shumë

Për çdo paqartësi, ankesë ose kërkesë informacioni, kontaktoni fillimisht bankën tuaj dhe më pas mund t’i drejtoheni Bankës së Shqipërisë në adresën zyrtare: public@bankofalbania.org.

 

[1] 999,999,999 euro.