Rreth Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave

Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave ushtron funksionet e mëposhtme:

  • këshillon kryesisht organet vendimmarrëse të Bankës së Shqipërisë për çështje të sistemit të pagesave dhe të përdorimit të instrumenteve të pagesave;
  • këshillon organet vendimmarrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për çështje të licencimit dhe të mbikëqyrjes së sistemit të shlyerjes së titujve dhe të shtëpisë së klerimit të titujve;
  • këshillon institucionet pjesëmarrëse për çështje të sistemit të pagesave dhe të përdorimit të instrumenteve të pagesave;
  • këshillon institucionet pjesëmarrëse me qëllim promovimin dhe standardizimin e procedurave dhe sistemeve të pagesave.

Për të arritur objektivat e tij, Komiteti ndërmerr aktivitetet e mëposhtme:

  • harton pozicione të përbashkëta, deklarata dhe udhëzime, me aktorët e tregut, për çështje strategjike të sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes;
  • nxit dhe lehtëson bashkëpunimin e nevojshëm ndërmjet palëve të interesuara në fushën e sistemit të pagesave dhe infrastrukturës së tregjeve financiare;
  • identifikon nevojat infrastrukturore dhe juridike në fushën e sistemit të pagesave duke dhënë rekomandime/sugjerime, si dhe sipas rastit ngre grupe pune, të cilat mbështesin procesin vendimmarrës të Komitetit për këto qëllime;
  • analizon dhe diskuton inovacionet dhe praktikat/standardet më të mira ndërkombëtare në fushën e sistemit të pagesave duke vlerësuar rast pas rasti mundësinë e zbatimit të tyre në tregun shqiptar, si dhe ndikimet që krijohen në treg nga implementimi i tyre;
  • informon dhe diskuton me institucionet pjesëmarrëse, si dhe me aktorët e tregut financiar, mbi të rejat e fundit në fushën e përafrimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian;
  • harton politika/strategji me qëllim që të mbështesë rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave në Shqipëri, duke përcaktuar objektivat dhe duke monitoruar dhe vlerësuar ndikimin që ato kanë në treg, si dhe zbatimin e tyre; dhe
  • bashkëpunon, direkt apo indirekt, me autoritete vendase apo të huaja, me qëllim shkëmbimin e informacioneve apo bashkërendimin e veprimtarive që lidhen me fushën e sistemit të pagesave në bazë të memorandumeve të bashkëpunimit të lidhura me këto autoritete.

Komiteti përgatit dhe publikon në faqen zyrtare të internetit të Bankës së Shqipërisë një informacion përmbledhës të veprimtarisë së tij bazuar në mbledhjet e kryera.