Aktiviteti

Për sa u përket aktiviteteve mbikëqyrëse, roli i Bankës së Shqipërisë në lidhje me sistemet e pagesave dhe të shlyerjes, përqendrohet si më poshtë:

  • monitorimi i zhvillimeve në fushën e sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes, për të vlerësuar gamën e rreziqeve ndaj të cilave mund të jenë të ekspozuara sistemet dhe niveli i efikasitetit që mund të arrihet; Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ndërmerr një aktivitet specifik hulumtimi mbi zhvillimet e reja në infrastrukturën e sistemit të pagesave;
  • përcaktimi i parimeve dhe standardeve të mbikëqyrjes për ndërtimin dhe funksionimin e sigurt dhe efikas të sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes; Këto standarde sigurojnë një qasje transparente, duke garantuar kushte të barabarta konkurrimi midis të gjitha sistemeve të mbikëqyrura;
  • analizimi i të dhënave dhe informacioneve mbi aktivitetin e sistemeve me anë të raportimeve, dhe vlerësimi i përputhshmërisë me këto parime dhe standarde të sistemeve të administruara nga vetë Banka e Shqipërisë apo nga operatorë privatë;
  • kryerja e aktiviteteve pasuese si fazë e mëtejshme e vlerësimit të sistemit.