Treguesit e shëndetit financiar

Në fillim të viteve 2000, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ndërmori projektin e Treguesve të Shëndetit Financiar (FSI) në përgjigje të krizave të tregut financiar të fundit të viteve ’90. Kjo nismë është një përpjekje për të përcaktuar, me një shkallë të lartë konsistence, tregues makrofinanciarë për vlerësimin e sistemeve financiare kombëtare në shumë vende dhe për t’i vënë ato në dispozicion të publikut.

Qëllimi kryesor i FSI-ve është të kontribuojnë në rritjen e transparencës së sistemeve financiare, veçanërisht në tregjet dhe vendet në zhvillim për të cilat të dhëna të tilla kanë qenë praktikisht të padisponueshme. 

Përveç kësaj, parandalimi i krizave përmirësohet nëpërmjet një vlerësimi të rregullt të gjendjes dhe rreziqeve bazuar në këta tregues. Kërkesa për/dhe botimi i rregullt i FSI-ve që pasoi nga vendet anëtare, zgjeruan mundësitë e monitorimit të vazhdueshëm të stabilitetit financiar, si dhe mundësinë e identifikimit të zhvillimeve të padëshirueshme që në faza të hershme. Gjithashtu, FMN-ja i përdor këta tregues edhe në procesin e Konsultimit të Artikullit IV dhe Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar për të vlerësuar stabilitetin e sistemeve financiare në vendet anëtare. 

Këta tregues ndahen në dy pjesë: (i) "tregues kryesorë", që përfshijnë treguesit bazë të sektorit bankar dhe janë të detyrueshëm për vendet pjesëmarrëse në hartimin dhe shpërndarjen e kësaj statistike; si dhe (ii) "tregues inkurajues", që përfshijnë përveç treguesve plotësues shtesë për sektorin bankar, edhe tregues të zgjedhur për institucione të tjera financiare dhe jofinanciare, individët, likuiditetin në treg dhe tregun e pasurive të paluajtshme.

Kontributi në bazën e të dhënave (FMN) të treguesve të shëndetit financiar është vullnetar. Megjithatë, nëse një vend angazhohet të japë informacion, ai detyrohet t’i përditësojë rregullisht të dhënat dhe metadatat që ofron. Në varësi të disponueshmërisë së të dhënave, çdo vend mund të zgjedhë frekuencën e raportimit. Një prezantim i përgjithshëm mbi treguesit e shëndetit financiar gjendet në faqen e internetit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (http://fsi.imf.org). 

Banka e Shqipërisë është përfshirë në këtë projekt të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ofron të plotë setin e treguesve kryesorë (12), si dhe mbulon në masë të konsiderueshme treguesit inkurajues të lidhur me sistemin bankar (15 nga 28). Raportimi pranë FMN-së bëhet me frekuencë mujore. 
Treguesit FSI të dërguar pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të publikohen rregullisht edhe në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë, së bashku me një përmbledhje metodologjike që përmban devijimet bazë nga metodologjia e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe dallimet kryesore ndaj treguesve të ngjashëm të përdorur nga Banka e Shqipërisë. Të dhënat do të përditësohen jo më vonë se 35 ditë pas fundit të muajit. 

Nuk mund të përjashtohen tërësisht diferencat e përkohshme e të pjesshme, midis vlerave të treguesve të stabilitetit financiar të paraqitura në faqen e internetit të BSH-së dhe vlerave të paraqitura në faqen e internetit të FMN-së, pasi çdo përditësim i FSI-ve (p.sh. pas një auditimi) do të publikohet në faqen e internetit të FMN-së me një vonesë të lehtë.

Rezultatet për Shqipërinë janë publikuar në (http://data.imf.org/regular.aspx?key=61404590). Përveç kësaj, do të gjeni shënime metodologjike për të kuptuar më mirë llogaritjen e treguesve për Shqipërinë. Metadata të mëtejshme për Shqipërinë, si dhe gjetje dhe metadata për vendet e tjera janë në dispozicion në faqen e internetit të FMN-së.