Strategjia makroprudenciale

Politika makroprudenciale i kushtohet analizës dhe vlerësimit të rrezikut sistemik, si edhe përfshin zbatimin e masave, kryesisht me natyrë prudenciale, për zbutjen e tij.

Politika makroprudenciale kontribuon në ruajtjen e stabilitetit financiar në dy drejtime:

a) duke vepruar për parandalimin e akumulimit të rreziqeve në sistemin financiar, dhe

b) duke forcuar rezistencën e sistemit financiar.

Strategjia e politikës makroprudenciale ka si qëllim kryesor të ofrojë një kuadër operacional të përgjithshëm për zbatimin e politikës makroprudenciale. Kjo strategji synon:

a) të lidhë objektivin final të politikës makroprudenciale me objektivat e ndërmjetëm dhe instrumentet makroprudenciale;

b) të përcaktojë një kuadër bazë për zbatimin e instrumenteve makroprudenciale, duke përfshirë treguesit që ndjekin ecurinë e rreziqeve sistemike, dhe të orientojë vendimet lidhur me zbatimin, çaktivizimin ose kalibrimin e instrumenteve makroprudenciale përgjatë kohës;

c) të shpjegojë procesin e vendimmarrjes në Bankën e Shqipërisë, të koordinimit ndërinstitucional dhe të komunikimit në publik, mbi politikën makroprudenciale.