Kuadri institucional

Në nivel institucional, Banka e Shqipërisë kujdeset që, në përputhje me hierarkinë ligjore të objektivave lidhur me politikat dhe funksionet që zbaton, të sigurojë sinergjitë maksimale mes tyre. Për këtë qëllim, organizimi i strukturës së brendshme institucionale mbështet përcaktimin e saktë të përgjegjësive në çdo fazë të hartimit dhe zbatimit të politikave, dhe nxit shkëmbimin e rregullt dhe në kohën e duhur të informacionit dhe të vlerësimeve kritike. Si rezultat i këtij procesi, vendimmarrja finale e Bankës së Shqipërisë pritet të jetë e informuar, dhe të reflektojë kontributin që politikat që zbaton institucioni janë në mbështetje të njëra-tjetrës.   
 
Strukturat e Bankës së Shqipërisë të përfshira në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe sekuenciale në zbatimin e politikës makroprudenciale janë:
 

  • Departamenti i Stabilitetit Financiar: monitoron treguesit e rrezikut sistemik, zhvillon metodologjitë e vlerësimit të tij dhe të operacionalizimit të instrumenteve makroprudenciale, propozon në Komitetin Këshillimor të Stabilitetit Financiar instrumentin dhe mënyrën e zbatimit, monitoron ndikimin e instrumentit, përgatit raportet dhe analizat për ecurinë e rrezikut sistemik si edhe bën vlerësimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar;
  • Komiteti Këshillimor i Stabilitetit Financiar: vlerëson ecurinë e rreziqeve sistemike, përzgjedh instrumentin makroprudencial dhe përcakton mënyrën e zbatimit të tij, monitoron koordinimin e punës për diskutimin brenda institucionit dhe përgatitjen e akteve ligjore ose nënligjore që nevojiten për zbatimin e instrumentit, formulon qëndrimet makroprudenciale për Guvernatorin ose Këshillin Mbikëqyrës në kuadër të rolit të Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar;
  • Guvernatori: komunikon qëndrimet e Bankës së Shqipërisë për rreziqet sistemike dhe qëndrueshmërinë e stabilitetit financiar, dhe që vendos për zbatimin e instrumentit makroprudencial nëse kjo përcaktohet nga aktet mbi procedurat e vendimmarrjes; 
  • Këshilli Mbikëqyrës: merr në shqyrtim dhe miraton raportet dhe analizat e Bankës së Shqipërisë për vlerësimin e gjendjes së stabilitetit financiar, informohet mbi vlerësimet për mënyrën e zbatimit të politikës makroprudenciale, si dhe miraton aktet e ndryshme nënligjore të nevojshme për zbatimin e instrumenteve përkatëse të politikës makroprudenciale. 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu