Vrojtim mbi “Ecurinë e Tregut të Pasurive të Paluajtshme në Shqipëri”

Historia botërore ka treguar lidhjen e rëndësishme që ekziston midis ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme dhe gjendjes së ekonomisë e të sistemit financiar. Analizimi i kësaj lidhjeje, në mjaft raste hedh dritë mbi ecurinë e cikleve financiare dhe ekonomike, qëndrueshmërinë e treguesve përkatës dhe mundësinë e korrektimit të tyre. Më tej, kjo mundëson analizën e pasojave që ecuria e këtyre tregjeve sjell mbi operatorët ekonomikë dhe financiarë. Për këtë arsye, monitorimi i zhvillimeve në tregun e pasurive të paluajtshme, zë një pjesë të rëndësishme të analizave të bankave qendrore mbi stabilitetin financiar.

Prej disa vitesh, në analizat e saj periodike, Banka e Shqipërisë i kushton një vëmendje të veçantë monitorimit dhe analizës së tregut të pasurive të paluajtshme. Për këtë qëllim, në vitin 2013 është kryer për herë të parë vrojtimi “Mbi ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme”. Vrojtimi mbledh informacion të rregullt (çdo gjashtë muaj) nga 230 shoqëri ndërtimi dhe agjenci që tregtojnë pasuri të paluajtshme. Intervistimi në terren dhe përzgjedhja e subjekteve realizohen nga INSTAT sipas metodave përkatëse. Informacioni që mblidhet është cilësor dhe sasior, dhe pyetjet mbulojnë ecurinë e kaluar, të tanishme dhe të pritshme në tregun e pasurive të paluajtshme në vend. Në bazë të informacionit të mbledhur nga ky vrojtim hartohet Indeksi i Çmimit të Banesave, i cili përmban informacion që aktualisht nuk sigurohet në mënyrë të agreguar nga të dhënat zyrtare.

Informacioni i mbledhur nëpërmjet vrojtimit synon t’i përgjigjet interesit të publikut për ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme dhe për implikimet e zhvillimeve të këtij tregu në veprimtarinë e tyre. Kjo qasje:

  1. nuk është shteruese, përkundrazi vlerësohet si e përkohshme derisa të ndërtohet një sistem më i plotë në të cilin entet publike dhe subjektet private të shkëmbejnë rregullisht informacion mbi të gjitha elementet që ndikojnë kërkesën dhe ofertën në tregun e pasurive të paluajtshme; shkëmbimi i informacionit në kohën dhe formën e nevojshme do të mundësojë prodhimin e statistikave të tregut të pasurive të paluajtshme sipas standardeve metodologjike të ndjekura në Bashkimin Evropian;
  2. si e tillë, nuk përmban dhe nuk mundëson arritjen e konkluzioneve nëse ecuria e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme (rritja apo rënia e tyre) është normale apo e tepruar. Kjo analizë do të kërkonte fillimisht përmirësimet metodologjike të përmendura në shkronjën “a”.

Pas një periudhe disavjeçare që i ka shërbyer krijimit të serive me një gjatësi të përshtatshme dhe verifikimit të qëndrueshmërisë së rezultateve në kohë, Banka e Shqipërisë vlerëson se analiza është e gatshme për publikim. Analiza shoqërohet me pyetësorin dhe metodologjinë e vrojtimit, si edhe tabelat me seritë kohore të treguesve më të rëndësishëm. Të interesuarit mund ta përdorin këtë informacion duke konsideruar, në çdo rast, kufizimet e qasjes së përzgjedhur, mangësitë potenciale të të dhënave të mbledhura nëpërmjet një vrojtimi dhe natyrën potencialisht të përkohshme të tij.