BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2013

Data e publikimit: 26.05.2014

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2013, gjendja dhe ecuria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar u paraqit e qëndrueshme. Me gjithë rritjen më të ulët ekonomike, zhvillimet në kuadrin makroekonomik kanë mbështetur ecurinë e sistemit financiar. Kuadri makroekonomik është karakterizuar nga një luhatshmëri e ulët në kursin e këmbimit dhe presione të dobëta inflacioniste me gjithë lehtësimin e politikës monetare. Ndërkohë, kostoja e huamarrjes së qeverisë ka rënë në mënyrë të ndjeshme pavarësisht nga rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Realizimi i marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar është një hap i rëndësishëm për të siguruar stabilitetin makroekonomik dhe për të stabilizuar pritshmëritë e agjentëve ekonomikë. Megjithatë, përshpejtimi i rritjes ekonomike merr rëndësi parësore për vendosjen e aktivitetit financiar në një prirje të qëndrueshme rritëse. Në tregjet financiare, vëllimi i tregtimit dhe numri i transaksioneve kanë qenë të qëndrueshme. Për sektorin bankar, treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë ishin në nivele të kënaqshme, mbështetur edhe nga përmirësimi i rezultatit financiar neto. Vëllimi i aktivitetit bankar u zgjerua me ritme të ngadalësuara, teksa depozitat u rritën me ritme më të ngadalta dhe kreditimi u tkurr. Ritmi vjetor i rritjes së kredisë me probleme ka shënuar nivelin më të ulët që prej vitit 2008. Rreziku i kreditit përfaqëson sfidën më të rëndësishme të veprimtarisë së sektorit bankar, por madhësia e tij pritet të jetë më e kontrollueshme dhe të nisë një prirje rënëse graduale në të ardhmen afatshkurtër. Kjo pritshmëri lidhet me efektin e ndryshimeve ligjore dhe operacionale, që do të hyjnë në fuqi ose që do të gjejnë përdorim më efektiv gjatë vitit 2014. Këto ndryshime do ta përmirësojnë aftësinë e industrisë bankare për trajtimin sistematik të kredive me probleme. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut dhe të likuiditetit mbetet i kufizuar.

Në vijim, paraqiten në mënyrë të përmbledhur zhvillimet kryesore në mjedisin ekonomik dhe në sistemin financiar, dhe vlerësimi për rreziqet me të cilat ndeshet veprimtaria e sektorit bankar, përfshirë edhe rrezikun sistemik.

  • Zhvillimet ekonomike dhe financiare

Ekonomia botërore ka vazhduar të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme gjatë gjysmës së dytë të vitit 2013, gjithsesi me ritëm të ulët dhe diferenca të dukshme mes rajoneve.

Ekonomitë e vendeve të zhvilluara kanë shfaqur shenja pozitive të qëndrueshmërisë, ndërsa në disa prej ekonomive në zhvillim ritmi i rritjes është ngadalësuar. Ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vazhduar të rritet me ritme të kënaqshme e mbështetur nga rritja e konsumit dhe e eksporteve. Ekonomia e Eurozonës po jep shenja të qëndrueshme të rimëkëmbjes graduale, ndonëse ekzistojnë dallime të dukshme në ecurinë ekonomike të vendeve anëtare. Ekonomitë në zhvillim kanë vazhduar të mbajnë peshën kryesore të rritjes globale gjatë vitit 2013, por me ritëm të ngadalësuar krahasuar me një vit më parë. Kjo dukuri ka reflektuar dobësimin e kërkesës së brendshme në disa prej tyre, edhe si rezultat i kushteve më të shtrënguara financiare, pasigurive politike dhe rritjes së tensioneve në tregjet financiare. Presionet inflacioniste në nivel botëror kanë qenë të ulëta si rezultat i çmimeve përgjithësisht të qëndrueshme të lëndëve të para, kapaciteteve të lira prodhuese, dhe pritjeve të mirankoruara të inflacionit. Në sfondin e një ecurie ekonomike pozitive, por modeste, politika monetare në vendet e zhvilluara ka vijuar të mbetet akomoduese.

Ekonomitë e rajonit të Evropës Qendrore Lindore dhe Juglindore kanë vazhduar të rimëkëmben gradualisht të ndihmuara nga përmirësimi ekonomik i Eurozonës. Ekonomitë e vendeve të rajonit, gjithashtu, janë përmirësuar gjatë vitit 2013. Rritja e PBB-së rezultoi pozitive në ato vende që kishin kaluar recesion gjatë vitit 2012, ndërkohë që ritmi u përmirësua dhe për vendet e tjera. Megjithatë, kreditimi i ulët ndaj sektorit privat dhe rritja e kredive me probleme përbëjnë sfidat kryesore për rimëkëmbjen ekonomike dhe stabilitetin financiar të këtyre vendeve.

Tregjet financiare kanë vazhduar të stabilizohen nën efektin pozitiv të masave mbështetëse të bankave qendrore dhe ecurisë më të mirë ekonomike të vendeve të zhvilluara. Në këto të fundit, kushtet e financimit kanë ardhur duke u lehtësuar gjatë gjysmës së dytë të vitit 2013, kryesisht në tregjet e borxhit sovran të vendeve të Eurozonës. Primet e rrezikut për titujt e qeverisë në vendet e prekura nga kriza e borxhit kanë rënë, dhe fragmentizimi brenda tregut është zbutur. Në tregjet në zhvillim, kushtet financiare kanë qenë më të shtrënguara, të ndikuara veçanërisht nga veprimet e Rezervës Federale për tkurrjen e programeve "të lehtësimit sasior" dhe mundësia e rikthimit të politikave monetare tradicionale në vendet e zhvilluara.

Aktiviteti ekonomik botëror pritet të vazhdojë të përmirësohet gjatë vitit në vazhdim, mbështetur kryesisht nga rimëkëmbja ekonomike e vendeve të zhvilluara. Gjithsesi, mbeten të pranishëm një sërë rreziqesh, të cilët lidhen kryesisht me nivelin tepër të ulët të inflacionit dhe mundësinë e rritjes së parakohshme të normave të interesit, për shkak të zhvillimeve të papritura në tregjet financiare.

Nevoja për përshpejtimin e rritjes ekonomike në vend, është theksuar më tej, pas ngadalësimit të ndjeshëm në vitin 2013. 

Pas tkurrjes me 2.5%, në tremujorin e tretë të vitit, ekonomia e vendit shënoi rritje reale prej 1.1%, në tremujorin e fundit të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Norma mesatare e rritjes ekonomike për vitin 2013 u vlerësua 0.44%. Me gjithë përmirësimin e tremujorit të fundit në disa sektorë të ekonomisë, si industria, bujqësia e ndërtimi, kërkesa agregate vlerësohet e dobët, pasi konsumi dhe investimet private qëndrojnë në nivele të ulëta dhe norma e papunësisë është rritur. Gjatë periudhës në analizë, kërkesa e jashtme dha kontribut negativ në rritjen ekonomike, në kushtet e zgjerimit të deficitit të llogarisë korrente. Sidoqoftë, eksportet kanë pasur ecuri të mirë, ndikuar nga produktet energjetike dhe ato minerare. Gjatë periudhës në analizë, politika fiskale ka qenë në tërësi ekspansioniste, por luhatshmëria në performancën fiskale ka qenë më e lartë, duke reflektuar disa ndryshime të politikës vendimmarrëse të diktuara nga zhvillimet politike. Deficiti buxhetor është financuar kryesisht me burime të brendshme dhe me kosto që ka ardhur në rënie. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, si dhe të presioneve të kontrolluara inflacioniste, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka vijuar të mbetet stimuluese. Kjo është reflektuar në rënien e normave të interesit në tregjet financiare në vend, duke mbështetur më mirë veprimet kundërciklike për veprimtarinë e sektorit bankar, të ndërmarra gjatë 2013.

Në lidhje me zhvillimet e ardhshme, edhe pse në përmirësim, kërkesa e huaj vlerësohet se do të vijojë të mbetet e kufizuar. Kontributi në kërkesën e brendshme nga konsumi dhe investimet private mund të përmirësohet, mbështetur nga përmirësimi i pritjeve të agjentëve ekonomikë, si rezultat i nivelit të ulët të normave të interesit në tregje dhe përmirësimit të treguesve të likuiditetit. Politika fiskale pritet të jetë ekspansioniste në nivel të ngjashëm me vitin 2013. Megjithatë, përshpejtimi i rritjes ekonomike mbetet me rëndësi parësore për ta vendosur aktivitetin financiar në një prirje të qëndrueshme rritëse. Në këtë drejtim, reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe pagesa e detyrimeve të prapambetura për punët publike të kryera nga sektori privat mund të japin një kontribut të rëndësishëm.

Individët dhe bizneset mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve të tërthorta të kreditit, në nivele të ngjashme me periudhat paraardhëse.
Gjatë periudhës në analizë, individët dhe bizneset janë orientuar më tepër drejt kursimit, siç reflektohet nga ecuria e depozitave. Kredia për individët është zgjeruar me ritme të ulëta, ndërsa ajo për bizneset është tkurrur. Kontribut pozitiv në ecurinë e kredisë për të dy sektorët ka dhënë vetëm kredia në lek. Cilësia e kredisë paraqitet e përmirësuar për individët dhe me përkeqësim të moderuar për bizneset, përgjithësisht në sajë të ngadalësimit të rritjes së kredive me probleme. Individët dhe bizneset vijojnë të mbeten të ekspozuar ndaj rrezikut të tërthortë të kreditit, në varësi të ekspozimit të tyre ndaj kredisë së pambuluar ndaj ndryshimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit.

Në tregjet financiare, vëllimi i veprimtarisë është rritur ndërsa normat e interesit kanë thelluar prirjen rënëse
Në tregun e emetimit të titujve të borxhit të qeverisë, kërkesa për financim është përballuar me rritjen e interesit për investime nga investitorët. Ky ka qenë një faktor shtesë për uljen e normave të interesit në të gjitha maturitetet. Në tregun sekondar të tregtimit të titujve të borxhit të qeverisë, numri i transaksioneve shënoi një rënie të lehtë, ndërsa interesi për bonot me maturitet 3 dhe 6 mujor u rrit. Në tregun ndërbankar, vëllimi i aktivitetit u rrit dukshëm, kryesisht për likuiditetin afatshkurtër 1 dhe 7 ditor. Ndonëse shfaqi luhatshmëri më të theksuar në fund të periudhës, ecuria e normës mesatare të ponderuar të interesit qëndroi përgjithësisht poshtë normës bazë, duke reflektuar situatën e mirë të likuiditetit. Në tregun e këmbimeve valutore, gjatë vitit, leku u nënçmua lehtë ndaj euros dhe u mbiçmua ndaj dollarit amerikan, duke reflektuar kërkesën dhe ofertën në tregun e brendshëm dhe zhvillimet në tregun ndërkombëtar të këmbimit të valutave.

Infrastruktura teknike që mbështet veprimtarinë e sektorit bankar ka funksionuar në mënyrë efektive
Gjatë periudhës, sistemet e pagesave AIPS dhe AECH kanë operuar në përputhje me kushtet teknike për të plotësuar nevojat e sektorit bankar për shlyerjen e transaksioneve të pagesave në monedhën kombëtare. Në të dy sistemet është konstatuar një rritje e vëllimit dhe vlerës së transaksioneve, shoqëruar edhe me një rritje të vlerës mesatare për transaksion.

Gjatë periudhës, sistemi financiar e ka rritur më tej peshën e tij në aktivitetin ekonomik të vendit. 
Niveli i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri, i llogaritur si raport i aktiveve të sistemit financiar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), u rrit me 3 pikë përqindjeje gjatë periudhës, në nivelin 99.1%. Sektori bankar mbetet segmenti kryesor i ndërmjetësimit financiar, aktivet e të cilit përfaqësojnë rreth 91.4% të totalit të aktiveve të sistemit financiar në tërësi dhe rreth 90.5% të PBB-së.

Treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë bankare ishin në nivele të kënaqshme, mbështetur edhe nga përmirësimi i rezultatit financiar neto. 
Totali i aktiveve të sektorit bankar u ngjit në 1,234.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 3.9%. Në krahun e aktiveve, zëri që përmbledh veprimet në tregun ndërbankar dhe atë të titujve ka pasur rritjen kryesore, duke reflektuar kryesisht rritjen e pjesëmarrjes së sektorit bankar në ankandet e titujve të borxhit të qeverisë. Financimi i veprimtarisë është siguruar prej rritjes së depozitave nga publiku, ndonëse me ritme më të ulëta. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj subjekteve jorezidente është i ngjashëm me periudhën paraardhëse duke reflektuar një varësi të ulët të sektorit bankar ndaj burimeve të huaja të financimit. Gjatë vitit, kredia u tkurr me 1.8%. Rritja e kredisë në lek me 2.4% nuk mjaftoi për të kompensuar tkurrjen e kredisë në valutë me 4.2%. Rënia e stokut të kredisë është ndikuar ndjeshëm nga shitja e kredive me probleme nga bankat dhe fshirja e tyre nga bilanci.

Kredia e re e sektorit bankar, gjatë periudhës, ka qenë 16% më e ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në fund të vitit, raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë shënoi vlerën 23.5%, krahasuar me 22.5% në fund të vitit 2012 dhe 24.2% në fund të qershorit 2013. Për kredinë në lekë, ky raport shënoi vlerën 19.7%, me një rënie prej 0.4 pikë përqindjeje prej qershorit 2013. Për kredinë në valutë raporti shënoi vlerën 25.7%, me një rënie prej 0.8 pikë përqindjeje prej qershorit 2013. Depozitat shënuan vlerën 1,013.5 miliardë lekë, duke u rritur me 3.6% prej një viti më parë. Rritja vjetore për depozitat në lekë ishte 5.2%, ndërsa për depozitat në valutë ishte 1.7%. Raporti i kredive ndaj depozitave shënoi nivelin 55.6%. Për aktivitetin në lek, ky raport ishte 40.8%, duke ruajtur ecuri të qëndrueshme në dy vitet e fundit. Për aktivitetin në valutë, ky raport ishte 69.8%, niveli më i ulët prej vitit 2007, duke reflektuar kryesisht tkurrjen e kredisë në valutë.

Në nivel sektori, vërehet një rezultat financiar pozitiv me fitim neto të akumuluar prej 6.6 miliardë lekë, në krahasim me 3.8 miliardë lekë një vit më parë. Në rezultatin financiar, "Të ardhurat neto nga interesat" arritën vlerën 39.5 miliardë lekë, duke qenë 0.6% më të ulëta se një vit më parë. Ndërkohë, provigjionet për humbjet nga kreditë janë rritur me rreth 14.9 miliardë lekë, rreth 49% më të ulëta se një vit më parë. Gjatë periudhës, kapitali i paguar u rrit me rreth 10.5 miliardë lekë ose 11.3%. Kapitali rregullator u ngjit në nivelin 115.2 miliardë lekë, me rritje prej 10.6%, dhe aktivet me rrezik rezultuan në 641.3 miliardë lekë, me rënie prej 0.4%. Si rezultat, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit u ngjit në nivelin 18.0%.

  • Vlerësimi i rreziqeve

Për vlerësimin e rreziqeve, është konsideruar ecuria e sektorit bankar dhe ndërveprimi i tij me zhvillimet në ekonominë reale, gjendjen financiare te agjenteve ekonomike dhe segmente të tjera të sistemit financiar. Për qëndrueshmërinë e sektorit bankar ndaj zhvillimeve të pafavorshme në kuadrin makroekonomik dhe veprimtarinë e sektorit bankar, është kryer ushtrimi i provës së rezistencës.

Për të vlerësuar në mënyrë të sintetizuar rreziqet në sektorin bankar, ekonominë reale dhe agjentët ekonomikë, është përdorur Harta e Stabilitetit Financiar (HSF). Për vitin 2013, HSF-ja tregon që rreziqet ndaj stabilitetit financiar janë zhvendosur disi në drejtim të agjentëve ekonomikë. Më konkretisht, në rastin e "ekonomisë së brendshme", qëndrueshmëria e kursit të këmbimit dhe niveli i ulët i inflacionit janë reflektuar në ruajtjen e një niveli pothuajse të pandryshuar rreziku pavarësisht nga thellimi i hendekut negativ të prodhimit, në kontekstin e ngadalësimit të rritjes ekonomike. Rreziku vlerësohet i rritur për "bizneset", për shkak të tkurrjes së huamarrjes së tyre, përkeqësimit të mëtejshëm të cilësisë së saj dhe rënies së indeksit të vëllimit të prodhimit ndaj një viti më parë.  Për sa u përket "individëve", rritja e ndjeshme e normës së papunësisë si dhe pritshmëritë pesimiste për ecurinë e ekonomisë për pjesën e parë të vitit 2014, janë reflektuar në rritjen e rrezikut të tyre ndaj një viti më parë, me gjithë përmirësimin relativ të cilësisë së huamarrjes së tyre në fund të vitit 2013. Së fundi, për "qeverinë" rritja e deficitit buxhetor dhe ecuria e të ardhurave tatimore ndikon në rritjen e rrezikut, në krahasim më një vit më parë. Megjithatë, ky ndikim zbutet nga zvogëlimi i konsiderueshëm i primit të rrezikut sovran për shkak të rënies së normave të interesit të borxhit. Rreziqet që vijnë nga "mjedisi i jashtëm ekonomik" vlerësohen në rënie për shkak të përmirësimit relativ të rritjes ekonomike të partnerëve tregtare të Shqipërisë dhe rënies së normave të interesit në tregjet financiare, pavarësisht nga nivelet e larta të normave të papunësisë dhe qëndrueshmërisë së çmimit të naftës dhe lëndëve të para. Për "sektorin bankar", rreziqet vlerësohen në rënie në krahasim me një vit më parë, kryesisht për shkak të përmirësimit të kapitalizimit dhe të nivelit të të ardhurave para taksave në raport me totalin e aktiveve. Vlerësimi i rrezikut që lidhet me strukturën e sektorit bankar është ulur, kryesisht për shkak të zvogëlimit të përqendrimit të aktivitetit të bankave.

Në mënyrë që të fokusohet vlerësimi i rreziqeve për sistemin financiar, përdoret Indeksi i Rrezikut Sistemik Financiar. Ky tregues mat nivelin e stresit financiar për ekonominë duke agreguar në një tregues të vetëm, informacionin financiar mbi segmente të ndryshme të sistemit (sektori bankar, tregu i këmbimeve, tregu i parasë dhe tregu i shtëpive). Për vitin 2013, ai tregon ulje të nivelit të rrezikut sistemik në krahasim me një vit më parë, ndonëse treguesi mbetet mbi nivelin e mesatares së tij afatgjatë. Më konkretisht, ecuria e kredisë dhe e depozitave nën prirjen e tyre afatgjatë është reflektuar në rritjen e kontributit të sektorit bankar në nivelin e përgjithshëm të rrezikut sistemik. Gjatë periudhës, zhvillimet në kursin e këmbimit kanë pasur luhatshmëri të ulët, duke mos dhënë kontribut të shtuar në ecurinë e indeksit. Megjithatë, për shkak të ndikimit të rëndësishëm që ka në sistemin financiar, kontributi i kursit të këmbimit në indeks është ruajtur në nivele të ngjashme me atë të sektorit bankar. Nga ana tjetër, prirja në rënie e spread-eve të normës së interesit ka ulur kontributin e tregut të parasë në nivelin e rrezikut sistemik. Në rënien e indeksit të rrezikut sistemik kanë ndikuar edhe zhvillimet në tregun e banesave, ku Indeksi i Çmimit të Banesave ka pësuar një rritje të lehtë. Së fundi, korrelacioni midis segmenteve të tregut financiar është rritur, në krahasim me pjesën e parë të vitit, dhe ka ndikuar në rritjen e rrezikut sistemik.

Për të dalluar më qartë fazat e akumulimit dhe të materializimit të rrezikut sistemik, përdorim dy indekse të posaçme. Indeksi i Akumulimit të Rrezikut Sistemik evidenton rritjen e rrezikut sistemik deri në fund të vitit 2012 dhe rënien e ritmeve të akumulimit, gjatë vitit 2013. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në akumulimin e rrezikut kanë qenë kreditimi i shpejtë (veçanërisht para vitit 2007), rritja e deficitit të llogarisë korrente dhe ecuria në rritje e borxhit publik. Indeksi i Materializimit të Rrezikut Sistemik evidenton shfaqjen e rrezikut sistemik, veçanërisht pas gjashtëmujorit të parë të vitit 2008. Kjo periudhë lidhet me goditjet në likuiditetin e sektorit bankar, nënçmimin e kursit të këmbimit dhe nisjen e ciklit të përkeqësimit të kredisë ndaj individëve dhe bizneseve.

Rreziqet financiare sistemike janë subjekt i perceptimit të agjentëve ekonomikë. Për këtë arsye, përmes një vrojtimi të posaçëm të realizuar dy herë në vit, Banka e Shqipërisë merr perceptimin e industrisë bankare rreth këtyre rreziqeve. Që prej muajit mars 2012 dhe deri në fund të vitit 2013, industria bankare percepton dy dukuri si zhvillime me potencial të lartë rreziku: përkeqësimin e ekonomisë së brendshme dhe rritjen e borxhit publik.

Politika fiskale pritet të luajë një rol aktiv në stabilitetin financiar, gjatë vitit 2014.
Në përgjithësi, ky rol do të përcaktohet nga aftësia për të gjetur një ekuilibër të qëndrueshëm zhvillimi të treguesve fiskale, në mbështetje të rritjes ekonomike. Më në veçanti, ky rol do të jetë posaçërisht i rëndësishëm për sistemin financiar, për shkak të injektimit të likuiditetit përmes shlyerjes së detyrimeve të prapambetura për punët publike të kryera nga sektori privat, të vlerësuara deri në 5% të PBB-së. Për arritjen e objektivave fiskale dhe ato të zhvillimit, autoritetet kanë realizuar një marrëveshje me FMN-në, e cila ofron financim dhe garanci të tjera strukturore për plotësimin e këtyre objektivave. Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për të siguruar stabilitetin makroekonomik dhe për të stabilizuar pritshmëritë e agjentëve ekonomikë. Ajo krijon hapësirat e nevojshme për rritjen e ndërmjetësimit nga sektori bankar dhe të kontributit të këtij sektori në rritjen ekonomike. Në tërësi, marrëveshja parashikon objektivat për treguesit fiskalë, monetarë dhe strukturorë, duke lejuar edhe fleksibilitetin e nevojshëm për realizimin e tyre. Për këtë arsye, mundësitë e realizimit të objektivave finale janë të konsiderueshme, dhe rreziqet lidhen më tepër me cilësinë e planifikimit dhe bashkërendimit të veprimeve të ndërmjetme që do të kryejnë autoritetet për realizimin e tyre.

Rreziku i kreditit në sektorin bankar mbetet një shqetësim për industrinë bankare dhe Bankën e Shqipërisë, por pritshmëritë për vitin në vijim shfaqen më të mira
Prania e stokut të lartë të kredive me probleme në bilancin e bankave e rrit koston e veprimtarisë, dëmton aftësinë e tyre për ndërmjetësim financiar dhe kërkon një përdorim të shtuar e joeficient të kapaciteteve.

Duke u nisur nga niveli aktual i kredive me probleme, rreziku për rritje të ndjeshme të raportit të kredive me probleme në të ardhmen e parashikueshme është i ulët. Madhësia e rrezikut të kreditit pritet të jetë më e kontrollueshme dhe të nisë një prirje rënëse graduale në të ardhmen afatshkurtër. Gjatë vitit 2013, u forcua prirja e dy viteve të fundit dhe u shënua një ulje e dukshme e ritmit të rritjes së kredive me probleme. Kjo ecuri lidhet kryesisht me punën e bërë nga industria bankare dhe Banka e Shqipërisë për evidentimin e hershëm të kredive me probleme, transaksionet për fshirjen e tyre nga bilanci, përmes shitjes, si edhe me disa ndryshime të kuadrit rregullator për nxitjen e ristrukturimit të kredisë. Këta faktorë janë shoqëruar me rritjen e nivelit si të provigjionimit për rrezikun e kredisë edhe të mbulimit me kapital të kredisë me probleme.

Në të ardhmen e afërt pritet që të përdoren më gjerësisht dhe në mënyrë më efektive ndryshimet ligjore që lidhen me ekzekutimin e kolateralit, të hyjnë në fuqi masa të tjera ligjore që lidhen me trajtimin tatimor për kreditë me probleme që fshihen nga bilanci i bankës, si edhe të kryhet pagesa e përshpejtuar e detyrimeve të prapambetura të qeverisë për punët publike të kryera nga sektori privat. Këto zhvillime do të përmirësojnë kushtet për trajtim më sistematik të kredive me probleme nga ana e industrisë bankare, dhe mund të kenë ndikim të rëndësishëm në uljen graduale të nivelit të kredive me probleme. Sidoqoftë, zhvillimet pozitive në këtë drejtim mund të jenë të qëndrueshme, nëse ecuria e treguesve makroekonomikë është e stabilizuar dhe rritja ekonomike përmirësohet. Sa më sipër, këto zhvillime marrin rëndësi për kufizimin e ekspozimit të sektorit bankar ndaj rrezikut të tërthortë të kreditit.

Sektori bankar paraqitet me ekspozim të kufizuar ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë prej lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit
Pozicioni i hapur në valutë i sektorit bankar është brenda niveleve historike dhe vlerat e aktiveve e të detyrimeve të ndjeshme ndaj normës së interesit janë të krahasueshme. Megjithatë, sektori bankar paraqitet i ndjeshëm ndaj ndikimit që kanë lëvizjet në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit mbi klientët e tij. Një nënçmim i ndjeshëm i kursit të këmbimit ose një rritje e tillë e normës së interesit, mund të dëmtojë aftësinë paguese të klientëve të sektorit bankar, veçanërisht të sektorit të biznesit. Kanali kryesor i transmetimit të këtij rreziku është kredia në valutë, kur burimi kryesor i shlyerjes së saj është në monedhën vendase, dhe kredia me normë të ndryshueshme interesi.

Rreziku i likuiditetit për sektorin bankar, vlerësohet në nivele të moderuara. 
Si edhe më parë, depozitat përbëjnë burimin kryesor të financimit për sektorin bankar. Ndonëse me ritme më të ngadalësuara, ato janë rritur edhe gjatë periudhës së kaluar. Afati mesatar i maturimit të tyre është zgjatur, në kushtet kur klientët preferojnë norma më të larta kthimi. Me gjithë një rritje të lehtë, huamarrja nga jorezidentët mbetet në nivele të moderuara. Aktivet likuide të sektorit, në lekë dhe valutat kryesore, janë mbi nivelet minimale që kërkohen nga kuadri rregullator. Vlerat negative të diferencave mes aktiveve likuide dhe detyrimeve afatshkurtra, sipas periudhave të maturimit, deri në një vit, kanë shfaqur rënie. Raporti "kredi/depozita" është në nivele të ulëta, duke reflektuar ecurinë e ndryshme të kredive dhe të depozitave në lek dhe në valutë.

Treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë janë aktualisht në nivele të kënaqshme, por bankat duhet të vlerësojnë me kujdes skenarët e mundshëm të zhvillimeve të ardhshme dhe nevojat e tyre për kapital shtesë
Gjatë kësaj periudhe, kontributin kryesor në ecurinë e kapitalizimit të veprimtarisë e ka dhënë rritja e kapitalit dhe ngadalësimi i rritjes së aktiveve të ponderuara me koeficientët e rrezikut. Rezultati financiar neto i sektorit është përmirësuar në sajë të ngadalësimit të kredive me probleme dhe të provigjioneve për rrezikun e kreditit. Në kushtet e zvogëlimit të stokut të kredisë me probleme për shkak të shitjeve dhe fshirjes nga bilanci, mbulimi me kapital i kredisë me probleme neto është përmirësuar. Megjithëse këto janë zhvillime inkurajuese, është herët për t'i konsideruar si të qëndrueshme. Për këto arsye, si edhe më parë, vlerësimi i kujdesshëm dhe proaktiv i nevojave për kapital shtesë në përputhje me profilin e rrezikut të veprimtarisë mbetet një domosdoshmëri për bankat. Kur del e nevojshme në bazë të këtij vlerësimi, bankat duhet të veprojnë për fuqizimin e gjendjes së tyre të kapitalit.

Ushtrimi i provës së rezistencës duhet t'u shërbejë bankave si instrument për të mbështetur vlerësimin e nevojave të mundshme për kapital shtesë.
Banka e Shqipërisë realizon rregullisht ushtrimet e provës së rezistencës, për të vlerësuar ndjeshmërinë e treguesve kryesorë të kapitalizimit të sektorit bankar ndaj lëvizjeve në treguesit makroekonomikë. Skenarët, bazë dhe të rrezikut, përfshijnë supozime lidhur me lëvizjet në normën e rritjes së PBB-së, në nivelin e kursit të këmbimit dhe të normës së interesit, si edhe në nivelin e kreditimit, dhe shtrihen deri në fund të vitit 2015.

Rezultatet e ushtrimit tregojnë që, në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm në rast të realizimit të supozimeve për treguesit përkatës. Niveli i kapitalizimit për të gjithë sektorin mbetet mbi nivelin minimal të kërkuar në rastin e skenarit bazë. Në rastin e skenarëve më të rënduar, që përfshijnë supozimet përkatëse për uljen e normës së rritjes së PBB-së, uljen e nivelit të kreditimit dhe nënçmimin e kursit të këmbimit, banka të veçanta mund të kenë nevojë për kapital shtesë. Kuadri rregullator mbikëqyrës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare kërkojnë që ushtrime të tilla të kryhen rregullisht nga vetë bankat, për të mbështetur vendimmarrjen.

Vlerësimi, nëpërmjet programit FSAP, evidentoi kapacitetet e sistemit financiar për zhvillimin e qëndrueshëm të veprimtarisë dhe identifikoi rekomandimet e nevojshme për administrimin sa më efektiv të rreziqeve
Në tetor-nëntor të vitit 2013, pas kërkesës së autoriteteve publike shqiptare, sistemi financiar dhe kuadri mbikëqyrës i veprimtarisë së tij iu nënshtruan procesit të vlerësimit nga ana e grupit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB). Vlerësimi përfshiu të gjitha segmentet e sistemit financiar, në lidhje me mënyrën e mbikëqyrjes së tyre, përafrimin me standardet ndërkombëtare, aftësinë e autoriteteve publike për të identifikuar dhe administruar rreziqet e ndryshme, si edhe bashkëpunimin ndërinstitucional në këtë drejtim.

Në përfundim të këtij procesi, vlerësimi i FMN-së dhe BB-së është publikuar në raportet përkatëse. Në mënyrë realiste, këto raporte jo vetëm që njohin progresin e arritur në funksionimin dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar (që prej vlerësimit të vitit 2005), por edhe evidentojnë një sërë rekomandimesh për përmirësimet e nevojshme. Fokusi është në forcimin e kuadrit institucional, ligjor dhe operacional për administrimin e rreziqeve të mundshme për veprimtarinë e sistemit financiar. Për këtë arsye, rekomandimet për përmirësim përfshijnë të gjitha segmentet e sistemit financiar, për mënyrën e mbikëqyrjes së tyre, si edhe evidentojnë një sërë veprimesh të natyrës strukturore që shtrihen në politikat ekonomike dhe financiare të vendit, të cilat kanë ndikim në këtë drejtim. Rekomandimet shtrihen nga afati i shkurtër deri në atë të gjatë. Disa nga këto rekomandime janë bërë edhe pjesë e termave të marrëveshjes së fundit me FMN-në. Ndaj, realizimi i tyre në kohë dhe me cilësi merr një rëndësi të veçantë.