BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010

Data e publikimit: 13.10.2010

 

Në mbledhjen e tij të datës 13.10.2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi:

  • Raportin e Stabilitetit Financiar dhe Deklaratën e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", për të njoftuar Këshillin e Ministrave, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet e mundshme që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike, si pjesë e Raportit të Stabilitetit Financiar.

Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2010, gjendja financiare e sistemit financiar dhe e sektorit bankar ishte e qëndrueshme. Nevoja për të stabilizuar dhe përmirësuar cilësinë e kredisë përfaqëson sfidën kryesore me të cilën ndeshet sektori bankar. Gjendja e kapitalizmit dhe e likuiditetit të veprimtarisë paraqitet e mirë. Në nivel sektori, rezultati neto i veprimtarisë është përmirësuar. Kryerja e testimit të qëndrueshmërisë në sektorin bankar ndaj zhvillimeve të supozuara të pafavorshme ekonomike dhe financiare, tregoi përballimin e mirë të tyre.

Lidhur me rreziqet që mund t’i vijnë sistemit financiar dhe atij bankar prej zhvillimeve të brendshme ekonomike të gjashtëmujorit të parë të vitit 2010, vlerësohet se ato janë ulur. Faktorët pozitivë kryesorë përfshijnë uljen e deficitit buxhetor dhe të atij tregtar, qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit presionet e moderuara inflacioniste,dhe rënien e normave të interesit. Gjatë kësaj periudhe likuiditeti në tregun ndërbankar ishte i përshtatshëm për plotësimin e kërkesave afatshkurtra të bankave tregtare dhe tregu financiar ka funksionuar normalisht. Por këto zhvillime pozitive do të kishin një ndikim më afatgjatë nëse do të nxisnin një përmirësim më të shpejtë të gjendjes financiare të bizneseve dhe të individëve/familjeve, duke stimuluar në këtë mënyrë kërkesën e brendshme.

Edhe zhvillimet ekonomike ndërkombëtare paraqesin një situatë më të përmirësuar. Gjatë kësaj periudhe, ekonomia botërore u rrit me 4.7 për qind në terma vjetore. Presionet inflacioniste qenë të moderuara. Tregjet financiare ishin përgjithësisht më të stabilizuara dhe gjendja financiare e grupeve bankare qe përgjithësisht më e mirë. Por nivelet e kreditimit prej sektorit bankar mbetën të kufizuara dhe autoritetet publike kanë marrë masa për konsolidimin fiskal. Për rrjedhojë, investimet e reja në ekonomi janë të dobëta dhe niveli i papunësisë, veçanërisht në vendet e jugut të Eurozonës, mbetet i lartë. Për këto arsye, qëndrueshmëria e ritmit të rritjes ekonomike për periudhën në vazhdim mbetet e diskutueshme.

Përsa i takon zhvillimeve në veprimtarinë e sistemit financiar, vlerësohet se ajo ka njohur rritje gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, duke e rritur peshën e tij ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në nivelin 84.5 për qind. Sektori bankar vijon të mbetet segmenti mbizotërues i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri. Aktivet e sektorit bankar u ngritën në nivelin 934.7 miliardë lekë, duke përbërë 94.4 për qind të totalit të aktiveve të sistemit financiar.

Rritja e aktivitetit të sektorit bankar është mbështetur edhe nga mirëfunksionimi i infrastrukturës së sistemeve të pagesave. Veprimtaria bankare ishte e mirëkapitalizuar dhe treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte i qëndrueshëm, në nivelin 16.2 për qind. Aktivet likuide përfaqësuan 27.8 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar. Raporti i kredive ndaj depozitave arriti në 63.2 për qind. Rezultati financiar i sektorit bankar shënoi vlera pozitive, në vlerën 3.6 miliardë lekë, duke u rritur ndjeshëm në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e rezultatit financiar është mbështetur prej rritjes së të ardhurave neto nga interesat dhe prej kontrollit më të mirë mbi kostot e veprimtarisë. Megjithatë, rezultati pozitiv financiar ka një përqendrim të lartë dhe sektori bankar vazhdoi të përballej me përkeqësimin e cilësisë së kredisë. Kreditë me probleme u rritën në 12.2 për qind të totalit të kredisë. Si rezultat i perceptimit më të lartë të rrezikut të kreditit, sektori bankar ka ulur ritmin vjetor të rritjes së kredisë, ka shkurtuar afatin mesatar të maturimit të saj dhe ka ulur më tej kredinë për konsum. Fondet rezervë për mbrojtjen nga rreziku i kreditit janë rritur me rreth 20 për qind dhe në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit përfaqësonin 52.5 për qind të kredive me probleme.

Banka e Shqipërisë rithekson se bankat duhet të vazhdojnë monitorimin e kujdesshëm të ecurisë së cilësisë së kredive dhe të krijojnë në kohën e duhur fondet përkatëse rezervë. Strukturat përkatëse në banka duhet të vlerësojnë përqendrimin e kredive me probleme në sektorë dhe në kredimarrës të caktuar, si dhe të përpiqen të rrisin diversifikimin e portofolit të kredisë. Subjektet kredimarrëse që gjenden në vështirësi të përkohshme, por që kanë një projekt të vlefshëm, i cili garanton kthimin e kredisë, duhet të mbështeten duke respektuar kërkesat e kuadrit rregullativ. Në rastet kur kjo mundësi paraqitet e ulët, strukturat përkatëse në banka duhet të zbatojnë të drejtat kontraktuare për rikuperimin e vlerës së kredisë.

Në lidhje me vlerësimin e rreziqeve me të cilat ndeshet sektori bankar, Banka e Shqipërisë kryen në mënyrë të vazhdueshme simulime që testojnë rezistencën e sektorit bankar ndaj zhvillimeve të pafavorshme të supozuara në disa tregues makroekonomikë dhe financiarë, veç e veç dhe të kombinuar. Sipas analizës së skenarëve që kombinojnë ndikimin e disa treguesve makroekonomikë dhe financiarë, si edhe ecurisë së disa treguesve të veprimtarisë të sektorit bankar, rezulton se, në tërësi, gjendja financiare e sektorit bankar është e mirë dhe si e tillë e përballon një përkeqësim të mëtejshëm të situatës. Nga analiza e ndjeshmërisë të këtyre simulimeve, rezulton që sektori bankar shfaq një ndjeshmëri më të madhe ndaj rrezikut të kreditit dhe rrezikut të tërthortë të kredisë të shkaktuar prej lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit. Pavarësisht nga këto rezultate, strukturat drejtuese të bankave duhet të testojnë qëndrueshmërinë e institucioneve që drejtojnë nëpërmjet ushtrimeve të ngjashme dhe të vlerësojnë paraprakisht dhe në vazhdimësi nevojat për kapital shtesë.

Në përputhje me sfidat më te cilat ndeshet veprimtaria bankare dhe në zbatim të objektivit ligjor për të siguruar një veprimtari të shëndetshme të sektorit bankar, Banka e Shqipërisë do të vlerësojë nevojën për plotësime dhe përmirësime në kuadrin rregullativ dhe mbikëqyrës. Në vijimësi Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të monitorojë panoramën e rreziqeve te sistemit financiar në vend me qëllim marrjen e masave parandaluese në momentin e duhur.