BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2014

Data e publikimit: 10.10.2014

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006, "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2014, gjendja dhe ecuria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar u paraqit e qëndrueshme. Vëllimi i aktivitetit është zgjeruar dhe performanca financiare është përmirësuar. 

Në sektorin bankar, treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit të sektorit, gjatë periudhës dhe në vijim, paraqiten në nivele të kënaqshme. Cilësia e portofolit të kredisë vijon të mbetet shqetësuese, ndonëse vlerat e raportit të kredive me probleme paraqiten më të stabilizuara në vitin e fundit dhe kredia me probleme në vlerë absolute është me e ulët se një vit më parë. Mbulimi me provigjione dhe kolateralizimi i kredisë me probleme është në nivele të mira.

Kuadri makroekonomik është paraqitur i qëndrueshëm, duke mbështetur ecurinë e sistemit financiar. Përmirësimi i rritjes ekonomike dhe veprimet e politikës fiskale dhe të asaj monetare, janë shoqëruar me një funksionim të mirë të tregjeve financiare dhe ulje të kostove të financimit.

Vlerësimi për ekspozimin e sektorit bankar ndaj rrezikut të kreditit, vlerësohet i ngjashëm me periudhën paraardhëse. Megjithëse konsiderohen në nivele të mira, provigjionet për rrezikun e kreditit duhet të vlerësohen mbështetur mbi një analizë konservatore të zhvillimeve të ardhshme, për t'u mbrojtur nga kostot shtesë me të cilat mund të ndeshen bankat gjatë procesit të ristrukturimit dhe të administrimit të kolateralit që marrin në zotërim, në vijim të procesit të ekzekutimit. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut dhe të likuiditetit mbetet i kufizuar, por kërkon ndjekje të kujdesshme. Zhvillimet në mjedisin e jashtëm, sugjerojnë nevojën për të vlerësuar ndikimin e mundshëm për veprimtarinë bankare në vendin tonë, të veprimeve që po ndërmarrin autoritetet evropiane për rivlerësimin e cilësisë së aktiveve, të niveleve të kapitalizimit dhe të masave të ristrukturimit të grupeve më të mëdha bankare evropiane. Sektori bankar, në tërësi, paraqitet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të supozuara që burojnë prej lëvizjeve në treguesit makroekonomikë dhe në vlerën e portofolit të investimeve të tij.

Në vijim, paraqiten në mënyrë të përmbledhur zhvillimet kryesore në mjedisin ekonomik rrethues dhe në sistemin financiar, dhe vlerësimi për rreziqet me të cilat ndeshet veprimtaria e sektorit bankar, duke përfshirë edhe rrezikun sistemik.

  • Zhvillimet ekonomike dhe financiare

Aktiviteti ekonomik botëror është përmirësuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2014, i ndikuar kryesisht nga ecuria e vendeve të zhvilluara. Përmirësimi i ecurisë ekonomike ka ndodhur me ritme më të ulëta se pritshmëritë dhe me diferenca të dukshme midis rajoneve. Presionet inflacioniste në shkallë globale, kanë mbetur nën mesataren historike, duke reflektuar qëndrueshmërinë e çmimeve të lëndëve të para dhe tepricën e kapaciteteve të lira në ekonomi. Tregjet financiare, në vendet e zhvilluara, mbeten të stabilizuara, duke u mbështetur nga politikat e bankave qendrore dhe pritjet pozitive të pjesëmarrësve të tregut. Në vendet në zhvillim, tregjet financiare kanë qenë të luhatshme, të ndikuara nga dobësimi ekonomik i disave prej tyre, problemeve politike e strukturore, dhe pritjeve për shtrëngim të politikës monetare në SHBA. Këto zhvillime kanë çuar në dobësim të monedhave të këtyre vendeve. Aktiviteti ekonomik botëror pritet të vazhdojë të përmirësohet gjatë pjesës së mbetur të vitit dhe vitit të ardhshëm, mbështetur kryesisht nga ecuria pozitive e vendeve të zhvilluara.

Konsumi dhe investimet private po japin ndikimin kryesor në përmirësimin e ekonomisë. Në tremujorin e parë të vitit 2014, aktiviteti ekonomik në vend u zgjerua përkatësisht me 1.65% dhe 0.2% në terma vjetorë dhe tremujorë. Me përjashtim të sektorit të ndërtimit, të gjitha degët e ekonomisë kanë kontribuar pozitivisht në rritjen ekonomike. Rritja ekonomike ka reflektuar përmirësimin relativ të kërkesës së brendshme, të ndikuar kryesisht nga konsumi dhe investimet private. Sidoqoftë, përmirësimi i ekonomisë ka nevojë të bëhet i qëndrueshëm, në mënyrë që të japë efektin e tij në tregun e punës, ku norma e papunësisë rezultoi 17.7%. Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë kanë dhënë një kontribut negativ në rritjen ekonomike. Në qershor 2014, inflacioni vjetor zbriti në nivelin 1.5%, duke reflektuar shfrytëzimin jo të plotë të kapaciteteve prodhuese në vend, ruajtjen e normave të ulëta të inflacionit në vendet partnere, si dhe pritjet afatshkurtra në rënie për inflacionin. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka vijuar të mbetet stimuluese. Në fund të gjashtëmujorit të parë 2014, treguesit fiskalë paraqesin një politikë fiskale konsoliduese, me rritje të të ardhurave dhe mosrealizim të shpenzimeve, në krahasim me planin vjetor. Për të ardhmen, pritshmëritë më të mëdha janë që kërkesa e brendshme, e ndikuar nga konsumi dhe investimet private, të forcojë ndikimin pozitiv për rritjen ekonomike. Parashikimet për një përmirësim të aktivitetit ekonomik të partnerëve kryesorë tregtarë të vendit për pjesën e mbetur të vitit, do të ndikojnë pozitivisht në rritjen e kërkesës së huaj për eksportet vendase.

Individët dhe bizneset mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta të kreditit. Gjatë periudhës, ecuria e kredisë ka reflektuar një zgjerim të lehtë ndaj fundit të vitit 2013 dhe vijon të orientohet nga kredia në lekë. Cilësia e portofolit të kredisë është përkeqësuar lehtësisht, si për bizneset ashtu edhe për individët. Depozitat e bizneseve janë zgjeruar me ritme më të larta se ato të individëve, ndikuar edhe nga pagesa e detyrimeve të prapambetura të qeverisë. Pavarësisht uljes relative të ekspozimit ndaj kredisë së pambuluar për ndryshimet e pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit, individët dhe bizneset mbeten të ekspozuar ndaj këtij rreziku.

Në tregjet financiare, ka vijuar rritja e vëllimi të veprimtarisë dhe rënia e normave të interesit. Gjatë periudhës, situata në tregjet financiare vendase ka qenë e qëndrueshme. Tregjet financiare janë karakterizuar nga norma të ulëta interesi. Ndikimi i stimulit nga Banka e Shqipërisë u ndje kryesisht në tregun primar të letrave me vlerë, normat e kthimit të depozitave dhe në tregun ndërbankar. Kursi i këmbimit është paraqitur i qëndrueshëm dhe monedha vendase u forcua lehtësisht kundrejt dy monedhave kryesore.

Infrastruktura teknike që mbështet veprimtarinë e sektorit bankar, ka funksionuar në mënyrë efektive. Gjatë periudhës, sistemet e pagesave AIPS dhe AECH, kanë operuar në përputhje me kushtet teknike për të plotësuar nevojat e sektorit bankar në shlyerjen e transaksioneve të pagesave në monedhën kombëtare. Në të dy sistemet është konstatuar një rritje e volumit dhe vlerës së transaksioneve, duke u shoqëruar edhe me një rritje të vlerës mesatare për transaksion.

Gjatë periudhës, sistemi financiar ka rritur më tej peshën e tij në aktivitetin ekonomik të vendit. Në qershor 2014, niveli i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri, i llogaritur si raport i aktiveve të sistemit financiar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, ishte 99.3%, pranë nivelit të fundit të vitit 2013. Sektori bankar zë 90.3% të aktiveve të sistemit financiar.

Ecuria e sektorit është e qëndrueshme dhe treguesit e kapitalizimit e të likuiditetit të veprimtarisë bankare janë në nivele të kënaqshme, mbështetur edhe nga përmirësimi i rezultatit financiar neto. Në fund të qershorit 2014, aktivet e sektorit bankar u ngjitën në nivelin 1,253 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 4.1% gjatë vitit të fundit. Në krahun e aktiveve, zëri me rritjen kryesore ka qenë ai që përmbledh veprimet në tregun ndërbankar dhe atë të letrave me vlerë. Financimi i veprimtarisë është siguruar prej rritjes së depozitave nga publiku, ndonëse me ritme më të ulëta. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj subjekteve jorezidente, është i ngjashëm me periudhën paraardhëse, duke reflektuar një varësi të ulët të sektorit bankar ndaj burimeve të huaja të financimit. Gjatë vitit, kredia u tkurr me 2.2%, në kushtet kur rritja e kredisë në lek me 4.5% nuk mjaftoi për të kompensuar tkurrjen e kredisë në valutë me 5.9%. Kredia e re e sektorit bankar gjatë periudhës në analizë, ka qenë 16.1% më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

Në fund gjashtëmujorit në fjalë, raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë shënoi vlerën 24.1%. Për kredinë në lekë, raporti shënoi vlerën 18.8%, me një rënie prej 1.3 pikë përqindje prej qershorit 2013. Për kredinë në valutë raporti shënoi vlerën 27.3%, me një rritje prej 0.8 pikë përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë.

Depozitat shënuan vlerën 1,038 miliardë lekë, duke u rritur me 3% prej një viti më parë. Rritja vjetore për depozitat në lekë ishte 1.4%, ndërsa për depozitat në valutë ishte 4.9%. Ritmi vjetor i rritjes së depozitave u ngadalësua në 3% kundrejt 4.7% në qershor 2013. Depozitat e individëve, të cilat përfaqësojnë rreth 87.5% të totalit, u rritën me një normë më të ulët vjetore prej 2%, kundrejt rritjes 4.9% të një viti më parë. Depozitat e bizneseve u rritën më rreth 9.8% në terma vjetorë, kundrejt rritjes me 8% një vit më parë. Në këtë ecuri mund të ketë ndikuar edhe shlyerja e pagesave të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit. Raporti i kredive ndaj depozitave shënoi nivelin 54.7%.

Në nivel sektori, rezultati financiar neto ishte pozitiv në vlerën 5.4 miliardë lekë, krahasuar me 1.5 miliardë lekë një vit më parë. Në rezultatin financiar, "Të ardhurat neto nga interesat" arritën vlerën 20.8 miliardë lekë, duke qenë 9.7% më të larta se një vit më parë. Ndërkohë, provigjionet për humbjet nga kreditë ishin rreth 5.7 miliardë lekë, 42% më të ulëta se një vit më parë. Gjatë periudhës, nuk ka patur ndryshim të rëndësishëm në vlerën e kapitalit të paguar. Kapitali rregullator ka shënuar rënie me 1.6%, ndërsa aktivet me rrezik janë rritur me 1%. Si rezultat, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit zbriti në nivelin 17.5%.

  • Vlerësimi i rreziqeve

Në vlerësimin e rreziqeve, është konsideruar performanca e sektorit bankar dhe ndërveprimi i tij me zhvillimet në ekonominë reale, me gjendjen financiare të agjentëve ekonomikë dhe me segmente të tjera të sistemit financiar, si edhe janë përdorur disa indekse përfaqësuese.
 
Për të vlerësuar në mënyrë të sintetizuar rreziqet në sektorin bankar, ekonominë reale dhe agjentët ekonomikë, është përdorur Harta e Stabilitetit Financiar (HSF). Në krahasim me fundin e vitit 2013, HSF-ja tregon se, gjatë periudhës në analizë, rreziqet ndaj stabilitetit financiar kanë vijuar të zhvendosen drejt agjentëve ekonomikë.

Më konkretisht, në rastin e "ekonomisë së brendshme", zgjerimi i hendekut negativ të prodhimit dhe rritja e nevojave për financim të jashtëm të ekonomisë kanë kontribuar në rritjen e rrezikut, i cili qëndron në nivele të moderuara. Edhe për "individët" dhe "bizneset", rreziku vlerësohet i moderuar, nën ndikimin e kombinuar të faktorëve që lidhen me pritshmëritë e tyre për zhvillimet e ardhshme ekonomike, ekspozimin ndaj rrezikut të kreditit dhe në përgjithësi, për burimet e financimit. Për "qeverinë", niveli i rrezikut vlerësohet në rënie, në kushtet e uljes së deficitit buxhetor dhe ecurisë pozitive të të ardhurave tatimore. Gjithsesi, brenda këtij dimensioni, madhësia e kostos së borxhit vlerësohet me notën maksimale të rrezikut, që prej fundit të vitit 2012. Rreziku që vjen nga "mjedisi i jashtëm ekonomik" vlerësohet si mesatar, në kushtet e dobësisë në zhvillimet ekonomike dhe normave të larta të papunësisë në vendet me lidhje më të forta ekonomike me Shqipërinë. Për "sektorin bankar", ecuria e treguesve të kapitalizimit dhe përfitueshmërisë ofron një rrezik të moderuar. Treguesit e likuiditetit dhe të financimit përmbajnë një nivel rreziku më të lartë, në kushtet e zgjerimit të diferencës negative midis vlerës së aktiveve dhe të pasiveve afatshkurtra, ngadalësimit të mëtejshëm të normës së rritjes së depozitave dhe rritjes relative të financimit nga jorezidentët. Vlerësimi për rrezikun që lidhet me strukturën e sektorit bankar është mesatar, ndonëse ka ardhur në rënie për shkak të zvogëlimit të përqendrimit të aktivitetit të sektorit bankar tek bankat më të mëdha të sektorit, si në krahun e aktiveve ashtu edhe në krahun e detyrimeve.

Në mënyrë që vlerësimi i rreziqeve të fokusohet tek sistemi financiar, përdoret Indeksi i Rrezikut Sistemik Financiar. Ky tregues mat nivelin e stresit financiar për ekonominë, nëpërmjet agregimit në një tregues të vetëm të informacionit financiar mbi segmente të ndryshme të sistemit (sektori bankar, tregu i këmbimeve, tregu i parasë dhe tregu i banesave). Për periudhën, indeksi mbetet mbi nivelin e mesatares së tij afatgjatë. Sektori bankar ka kontribuar në rritjen e rrezikut sistemik, për shkak të thellimit të hendekut negativ të ecurisë së kredisë (tkurrje) dhe të depozitave (ngadalësim) ndaj prirjes afatgjatë. Ky zhvillim është zbutur nga ulja e kontributit të tregut të banesave, për shkak të rënies së çmimit të tyre. Ndërkohë, ndërlidhja midis segmenteve të ndryshme të tregut është zvogëluar, duke zbutur nivelin e agreguar të rrezikut sistemik.

Për të dalluar më qartë fazat e akumulimit dhe të materializimit të rrezikut sistemik në sistemin financiar, përdorim dy indekse të posaçme: indeksin e "akumulimit" dhe indeksin e "materializimit" të rrezikut. Në fund të gjashtëmujorit të parë të 2014, akumulimi i rrezikut sistemik është në rritje, kryesisht për shkak të përkeqësimit të borxhit të jashtëm, borxhit publik dhe deficitit të llogarisë korrente. Ndërkohë, tkurrja e kredisë në valutë dhe rënia e çmimit të banesave kanë zbutur akumulimin e rrezikut sistemik. Materializimi i rrezikut sistemik është rritur, duke reflektuar përkeqësimin e cilësisë së kredisë për bizneset dhe individët, si dhe rritjen e normës së papunësisë.
 
Rreziqet financiare janë subjekt i perceptimit të agjentëve ekonomikë. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë, përmes një vrojtimi të posaçëm të realizuar dy herë në vit, merr në mënyrë të rregullt perceptimin e industrisë bankare rreth këtyre rreziqeve. Që prej muajit mars të vitit 2012 dhe deri në qershor 2014, industria bankare percepton si zhvillime me potencial të lartë rreziku dy fenomene: përkeqësimin e ekonomisë së brendshme dhe rritjen e borxhit publik.

Rreziqet që vijnë nga treguesit fiskalë nuk janë zgjeruar më tej gjatë periudhës. Nivelet e borxhit publik konsiderohen të larta dhe madhësia e përqendrimi i financimit të huamarrjes së qeverisë nga sektori bankar dhe ai financiar jobankar, shoqërohen me nivele të caktuara rreziku. Megjithatë, vlerësohet se nivelet e rrezikut nuk janë zgjeruar gjatë periudhës, në kushtet e zhvillimit të një politike fiskale konsoliduese, të mbështetur edhe nga marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar; vijimit të zgjatjes së afatit dhe uljes së kostos së huamarrjes; nivelit të mirë të likuiditetit në sektorin bankar; si dhe masave për të përmirësuar aksesin në likuiditet për institucione financiare jobankare që investojnë në titujt e borxhit të qeverisë. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të thellohen reformat për nxitjen e rritjes ekonomike, në mënyrë që ecuria pozitive e treguesve fiskalë të fitojë qëndrueshmëri.

Rreziku i kreditit mbetet një shqetësim për veprimtarinë bankare. Gjatë periudhës, është konstatuar rënie e vlerës absolute të kredisë me probleme, në krahasim me një vit më parë. Në të njëjtën kohë, është vënë re zhvendosje brenda kategorive të kredive me probleme drejt kategorisë së kredive "të humbura" dhe rritje e kredive me vonesë deri në 90 ditë. Gjithashtu, procesi i ristrukturimit të kredisë në banka mund të jetë me efektiv nëse konceptohet jo vetëm si një ndryshim i afatit dhe këstit të kredisë. Këto zhvillime e mbajnë të pranishëm rrezikun e përkeqësimit të mëtejshëm të cilësisë së kredisë dhe kërkojnë të vlerësohet me kujdes nga bankat niveli i provigjionimit për rrezikun e kreditit, duke sugjeruar rritjen e tij në mënyrë proaktive. Për trajtimin e kredisë me probleme, bankat po ndjekin veprime më të vendosura në drejtim të ekzekutimit të kolateralit, i cili është kryesisht pasuri e paluajtshme. Si rezultat i këtij procesi, vlera e pasurive të paluajtshme që po përfundojnë në administrimin e bankave po rritet në mënyrë të qëndrueshme. Kjo dukuri, mund të vërë në presion burimet e bankave për administrimin dhe mirëmbajtjen e tyre, veçanërisht nëse ritmet e shitjes së tyre në treg janë të ulëta. Njëherazi, ecuria e çmimit të banesave po shfaq shenja rënieje, duke ndikuar negativisht në aftësinë e bankës për të realizuar vlerën e synuar nga shitja e kolateralit. Administrimi i pasurive të paluajtshme nuk është një funksion tipik i një banke tregtare, ndaj është e nevojshme që bankat të eksplorojnë dhe të ndërtojnë strategjitë e nevojshme për trajtimin me efektivitet te kësaj dukurie.

Sektori bankar paraqitet me ekspozim të kufizuar ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë prej lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit, i cili, megjithatë, duhet monitoruar me kujdes. Pozicioni i hapur në valutë i sektorit bankar është brenda niveleve historike dhe "në blerje", ndërsa vlerat e aktiveve e të detyrimeve të ndjeshme ndaj normës së interesit janë të krahasueshme, por, sidoqoftë, diferenca mes tyre është negative. Megjithëse ndikimi i drejtpërdrejtë nga zhvillimet në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit mbetet i kufizuar, sektori bankar paraqitet i ndjeshëm ndaj ndikimit negativ që mund të shkaktojnë mbi gjendjen e klientëve lëvizjet e pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit. Një nënçmim i ndjeshëm i kursit të këmbimit ose një rritje e tillë e normës së interesit, mund të dëmtojë aftësinë paguese të klientëve të sektorit bankar, veçanërisht të sektorit të biznesit. Kanali kryesor i transmetimit të këtij rreziku përfaqësohet nga kredia në valutë, kur burimi kryesor i shlyerjes së saj është në monedhën vendase dhe nga kredia me normë të ndryshueshme të interesit.

Rreziku i likuiditetit për sektorin bankar, vlerësohet në nivele të moderuara. Si edhe më parë, depozitat përbëjnë burimin kryesor të financimit për sektorin bankar dhe ato janë rritur, ndonëse me ritme më të ngadalësuara, edhe gjatë periudhës së kaluar. Huamarrja nga jorezidentët, pavarësisht një rritjeje të lehtë, mbetet në nivele të moderuara. Aktivet likuide të sektorit, në lekë dhe valuta kryesore, janë mbi nivelet minimale që kërkohen nga kuadri rregullativ. Raporti "kredi/depozita" është në nivele të ulëta, duke reflektuar ecurinë e ndryshme të kredive dhe të depozitave në lekë dhe në valutë.

Treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë janë aktualisht në nivele të kënaqshme, por bankat duhet të vlerësojnë me kujdes skenarët e mundshëm të zhvillimeve të ardhshme dhe nevojat e tyre për kapital shtesë. Gjatë periudhës, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ka rënë lehtë, duke mbetur sidoqoftë në nivele të kënaqshme. Rezultati financiar neto i sektorit është përmirësuar, në sajë të ngadalësimit të kredive me probleme, përmirësimit të vlerës së letrave me vlerë të borxhit dhe rënies së provigjioneve për rrezikun e kreditit të aktiveve. Megjithatë, bankat mund të përballen me shpenzime të rritura, për shkak të kostove shtesë që shoqërojnë procesin e ristrukturimit dhe të ekzekutimit të kolateralit. Për këto arsye, si edhe më parë, vlerësimi i kujdesshëm dhe proaktiv i nevojave për kapital shtesë në përputhje me profilin e rrezikut të veprimtarisë, si dhe rritja e kapitalit, mbeten një domosdoshmëri për bankat.

Ushtrimi i provës së rezistencës duhet t'iu shërbejë bankave si instrument për të mbështetur vlerësimin e nevojave të mundshme për kapital shtesë. Banka e Shqipërisë realizon rregullisht ushtrimet e provës së rezistencës, për të vlerësuar ndjeshmërinë e treguesve kryesorë të kapitalizimit të sektorit bankar ndaj lëvizjeve në treguesit makroekonomikë dhe rënies së vlerës së investimeve në tregjet e parasë dhe të letrave me vlerë.

Për ushtrimin që përfshin ndjeshmërinë e sektorit ndaj skenarëve makroekonomikë, skenarët bazë dhe të rrezikut përfshijnë supozime lidhur me lëvizjet në normën e rritjes së PBB-së, në nivelin e kursit të këmbimit dhe të normës së interesit, si edhe në nivelin e kreditimit, dhe shtrihen deri në fund të vitit 2015. Për ushtrimin që përfshin ndjeshmërinë e sektorit ndaj madhësisë së humbjes së vlerës së investimit, skenarët përfshijnë humbje të vlerës së portofolit të letrave me vlerë dhe të investimeve në grupet bankare zotëruese.

Rezultatet e ushtrimit të parë tregojnë që, në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm në rast të realizmit të supozimeve për treguesit përkatës. Niveli i kapitalizimit për të gjithë sektorin mbetet mbi nivelin minimal të kërkuar në rastin e skenarit bazë. Në rastin e skenarëve më të rënduar që përfshijnë supozimet përkatëse për uljen e normës së rritjes së PBB-së, uljen e nivelit të kreditimit dhe nënçmimin e kursit të këmbimit, banka të veçanta shfaqin nevojën për kapital shtesë.

Rezultatet e ushtrimit të dytë tregojnë se banka të veçanta janë të ekspozuara më tepër ndaj rrezikut të tregut, në lidhje me vlerën e investimeve në letra me vlerë të subjekteve private, ndërkohë që ekspozimi ndaj rrezikut sovran është i kufizuar. Ekspozimi ndaj vendosjeve në grupet bankare zotëruese është i ndjeshëm për bankat e mesme dhe ato me kapital grek dhe francez.
Kuadri rregullativ mbikëqyrës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, kërkojnë që ushtrime të tilla të kryhen rregullisht nga vetë bankat, për të mbështetur vendimmarrjen dhe kontrolluar rrezikun në veprimtarinë e tyre.

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu