BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2006

Data e publikimit: 01.03.2007

 

Banka e Shqipërisë konstaton se, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2006, nuk ka patur faktorë të veçantë, të cilët të vendosnin sistemin financiar dhe institucionet e tij, përballë rreziqeve që do të kërcënonin qëndrueshmërinë e tyre. Performanca e mirë financiare, hyrja e investimeve të huaja si edhe zgjerimi i rrjetit të institucioneve financiare, veçanërisht për sektorin bankar, janë zhvillime të cilat tregojnë se mjedisi i përmirësuar i konkurrencës në sistemin financiar, po nxit konsolidimin e veprimtarisë së institucioneve financiare.

Çështjet e stabilitetit financiar ishin në qendër të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të kaluar. Krahas masave të ndryshme me natyrë rregullative, analizave dhe raporteve periodike dhe të veçanta, çështjet e stabilitetit financiar u vendosën në qendër të konferencës vjetore të Bankës së Shqipërisë, e cila u zhvillua në muajin tetor të vitit 2006. Në diskutimet e saj, u theksua se hapja e tregjeve kombëtare dhe integrimi i tyre në zhvillimet rajonale dhe më gjerë, krahas përparësive dhe të mirave, shoqërohet me shtimin e rreziqeve të ndryshme. Për këtë arsye, është e nevojshme që nëpërmjet bashkëpunimit rajonal, të realizohen qëndrime sa më të harmonizuara me qëllim që të mbrohet qëndrueshmëria financiare e institucioneve dhe të garantohet mirëfunksionimi i sistemeve financiare.

Gjatë periudhës së kaluar, mozaiku i autoriteteve mbikëqyrëse të sistemit financiar ndryshoi nëpërmjet krijimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, si rezultat i integrimit të autoriteteve mbikëqyrëse të veçanta, të cilat monitoronin veprimtarinë e shoqërive të sigurimit, të fondeve të pensionit dhe të shoqërive që tregtojnë letrat me vlerë. Ky autoritet, krijon një mjedis më të përshtatshëm për të përmirësuar cilësisht mbikëqyrjen e këtij segmenti të tregut financiar dhe për të rritur bashkëpunimin mes autoriteteve mbikëqyrëse të sistemit financiar, në përgjithësi.

Ndryshimet në infrastrukturën e zhvillimit të veprimtarisë së tregut financiar dhe bankar dhe të mbikëqyrjes së tyre, shënuan zhvillime të rëndësishme nëpërmjet përmirësimeve në legjislacionin bankar, si rezultat i miratimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i ligjit nr.9662, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë". Ky ligj, i cili hyn në fuqi në 1 qershor 2007, vendos standarde më të larta në ushtrimin e veprimtarisë bankare, në fazën e licencimit, të organizimit, të mbikëqyrjes dhe të mbylljes së saj. Krahas ndryshimeve të tjera të rëndësishme, ky ligj parashikon për herë të parë krijimin dhe mbajtjen nga Banka e Shqipërisë, të Regjistrit të Kredive. Qëllimi i ngritjes së këtij regjistri, është të ndihmojë strukturat e bankave për të përmirësuar analizën mbi të cilën mbështeten në vendimmarrjen që lidhet me procesin e kreditimit.

Zhvillimet e sektorit bankar në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2006, thelluan prirjen e shfaqur që në gjashtëmujorin e parë të tij. Konkretisht, rrjeti i bankave është rritur ndjeshëm, duke ndikuar pozitivisht në zgjerimin e veprimtarisë, në rritjen e vëllimit të aktiveve dhe të depozitave. Në fund të vitit, sistemi bankar paraqiti tregues të mirë të likuiditetit dhe të kapitalizimit. Ai realizoi një veprimtari fitimprurëse, me tregues më të mirë krahasuar me vitin 2005. Ritmet e kreditimit të ekonomisë ishin të konsiderueshme, ndërkohë që cilësia e portofolit të kredisë, ndonëse ka treguar një rënie të lehtë, mbetet në nivele të kënaqshme.

Në fund të vitit 2006, treguesit kryesorë të sistemit bankar, paraqiteshin si më poshtë:

 Treguesi Dhjetor‘06 Dhjetor'05
     
Mjaftueshmëria e kapitalit (%) 18.10 18.60
Kapitali aksioner (milionë lekë) 42,162.22 33,017.79
Rezultati neto (milionë lekë) 7,450.58 6,597.89
Rritja vjetore e portofolit të kredisë (%) 55.0 83.0
Kredia me probleme neto / kredia neto (%) 1.36 0.95
Kredia me probleme, bruto / totali i bilancit (%) 0.97 0.60

Prirja e bankave tregtare për të ruajtur ritme të larta të investimit të burimeve financiare, në instrumente që sigurojnë një normë fitimi më të lartë, vazhdoi edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar. Kjo prirje, ndikon në rënien e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit dhe ruan karakteristikat e rrezikut mbi cilesinë e portofolit të kredisë.

Për të siguruar një veprimtari bankare të mirëkapitalizuar dhe të ekuilibruar, si edhe për t'i nxitur bankat për një kontroll më të kujdesshëm të rreziqeve të veprimtarisë, në fund të vitit të kaluar Banka e Shqiperisë miratoi disa ndryshime rregullative, të cilat përqendroheshin në veprimtarinë e kreditimit, duke orientuar një kontroll më të mirë të rritjes së saj dhe duke synuar rritjen e transparencës së bankave ndaj klientelës për këtë veprimtari. Në funksion të përcaktimeve në ligjin e ri "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", në bashkëpunim të ngushtë me bankat tregtare, Banka e Shqipërisë është në përfundim të procesit të hartimit të kuadrit nënligjor, i cili përcakton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Regjistrit të Kredive, llojin e informacionit dhe llojin e të dhënave që përdoren, mënyrën dhe afatet kohore për raportimin e tyre, si edhe mënyrën dhe kushtet për përdorimin e informacionit dhe të dhënave të mësipërme nga përdoruesit e autorizuar të Regjistrit e Kredive.

Paralelisht, për të përmirësuar mjedisin e sigurisë në veprimtarinë e kreditimit dhe në kuadër të reformës ligjore të ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë për ndryshimin dhe përmirësimin e Kodit të Procedurës Civile, Banka e Shqipërisë është angazhuar plotësisht në bashkëpunimin me sektorin bankar për plotësimin dhe saktësimin e procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm të titujve ekzekutivë, që përdoren nga bankat tregtare si kolaterale për të garantuar vlerën e kredisë. Propozimet e Bankës së Shqipërisë, të cilat janë marrë në konsideratë në pjesën më të madhe të tyre, kanë synuar zgjidhjen e disa problemeve të vërejtura në veprimtarinë bankare, që lidhen me ekzekutimin e titujve ekzekutivë nga ana e organeve të përmbarimit gjyqësor. Propozimet kanë patur për qëllim përmirësimin e bazës ligjore lidhur me zbatimin me efektivitet të procedurave, duke synuar: shkurtimin e kohës së ekzekutimit të titujve nëpërmjet përcaktimit të afateve konkrete për njoftimin e palëve gjatë procedurës së ekzekutimit; saktësimin e procedurave për përcaktimin e vlerës së sendit që është vënë si garanci për përmbushjen e detyrimit dhe realizimin me efektivitet të ankandeve; parashikimin e disa mundësive alternative për debitorin, për ekzekutimin e detyrimit pas marrjes së vendimit nga gjykata.

Në vijim, Banka e Shqipërisë thekson se me forcimin e mjedisit të konkurrencës në sistemin bankar, krahas rritjes së mundësive për zgjerim të veprimtarisë bankare, shtohen edhe rreziqet e ndryshme financiare që vijnë si rezultat i saj. Karakteristikat e këtyre rreziqeve evidentohen në mënyra të ndryshme në institucione të ndryshme, në varësi të mirëorganizimit dhe të orientimit të drejtë dhe të ekuilibruar të zhvillimit të veprimtarisë në insitucion dhe aftesisë së tij për të përballuar konkurrencën në treg. Banka e Shqipërisë kërkon në vazhdimësi nga strukturat drejtuese të bankave tregtare, që t'i ndjekin me kujdes zhvillimet e tregut, të forcojnë sistemet e kontrollit në institucionet e tyre, të marrin masa për të diversifikuar sa më mirë burimet financiare dhe drejtimet e investimit të tyre, të zhvillojnë në vazhdimësi një veprimtari të mirëkapitalizuar dhe të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme rreziqet e saj. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë t'i trajtojë këto çështje në qendër të politikës së saj mbikëqyrëse.

Banka e Shqipërisë beson se viti 2007, do të vijojë të dëshmojë normalitet në veprimtarinë e sistemit bankar dhe financiar, në ecurinë e vazhdueshme drejt konsolidimit dhe qëndrueshmërisë së tij.