BANKA E SHQIPËRISË
Këshilli Mbikëqyrës

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008

Data e publikimit: 31.03.2009

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69, paragrafi 6 i ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar dhe të nenit 8 të ligjit nr.9962, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, për të informuar Këshillin e Ministrave, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut, mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike.

Përmbledhje

Zhvillimet ekonomike botërore gjatë pjesës së dytë të vitit 2008, dëshmuan për shndërrimin e krizës financiare ndërkombëtare në një krizë ekonomike me ndikim global. Integrimi mjaft i lartë i tregjeve financiare mes vendeve të zhvilluara, lejoi shfaqjen e shpejtë të krizës në këto vende; kurse procesi i hapjes së tregjeve ekonomike po sjell shtrirjen e qëndrueshme të efekteve të krizës për vendet në zhvillim. Autoritetet publike në shkallë botërore, kanë krijuar stimuj të jashtëzakonshëm fiskalë dhe monetarë për t’iu përgjigjur rreziqeve në afat të shkurtër dhe në afat më të gjatë. Në afat të mesëm, pritet që këto masa dhe të tjera, të rivendosin besimin tek tregjet financiare dhe të rikthejnë normalitetin në funksionimin e tyre, në mënyrë që ato të rifillojnë procesin e ndërmjetësimit financiar. Deri në momentin e kthesës, ekonomia botërore do të vazhdojë të vuajë nga rënia e kërkesës, si rezultat i rënies së investimeve private dhe të tregtisë; dhe nga rritja e papunësisë, si rezultat i nevojës së sektorit të biznesit dhe të familjeve për të ulur kostot për shkak të shtrëngimit të financimit. Ky proces korrektimi i mundimshëm por i nevojshëm, pritet të realizohet gjatë vitit 2009. Ekonomia botërore pritet t’i rikthehet gradualisht rritjes së qëndrueshme në vitin 2010.

Aktiviteti ekonomik i vendit gjatë vitit 2008 u zhvillua përgjithësisht në linjë me parashikimet e fillimvitit, si për sa i përket rritjes ekonomike, ashtu dhe në drejtim të ruajtjes së balancave makroekonomike.Megjithatë, në tremujorin e fundit të vitit u shfaq rritja e ndikimit të ngadalësimit të ekonomisë botërore, kryesisht në zhvillimin e zërave të bilancit të pagesave të ekonomisë sonë. Rënia e kërkesës së jashtme dhe rritja e papunësisë, veçanërisht në vendet fqinje anëtare të Eurozonës, ndikoi në rënien e eksporteve dhe të të ardhurave nga emigrantët, duke zbutur kërkesën e brendshme për konsum. Sidoqoftë, të ardhurat dhe shpenzimet në buxhetin e shtetit, me një rritje relative vjetore përkatësisht në masën 15 për qind dhe 23 për qind, u realizuan pranë parashikimeve. Norma vjetore e rritjes së çmimeve të konsumit, zbriti në 2.2 për qind në muajin dhjetor. Lajmet ndaj zhvillimeve të situatës ndërkombëtare në tremujorin e fundit të vitit, rritën ndjeshmërinë e publikut ndaj sigurisë së kursimeve, por sektori bankar, ashtu siç pritej, e përballoi mjaft mirë këtë situatë duke u paraqitur i mirëkapitalizuar dhe likuid në fund të vitit 2008. Banka e Shqipërisë kontribuoi në ruajtjen e niveleve optimale të likuiditetit në sektorin bankar, duke kryer operacionet e nevojshme në tregun ndërbankar. Duke filluar që nga mesi i muajit nëntor 2008, u ndryshua forma e ankandit të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes nga ankand me shumë çmime në ankand me çmim fiks. Përveç kësaj u përdorën instrumente injektimi të likuditetit me afat më të gjatë maturimi deri në shitjet me të drejta të plota.

Banka e Shqipërisë bëri dhe disa modifikime të rëndësishme rregullative nëpërmjet të cilave lehtësoi situatën e likuiditetit në tregun ndërbankar. Më konkretisht:

  • u zgjerua baza e letrave me vlerë që shërbejnë si kolateral për marrëveshjet e anasjellta të riblerjes, duke shtuar edhe obligacionet e emetuara nga qeveria, me maturim të mbetur jo më shumë se 365 ditë;
  • u rrit hapësira e përdorimit të rezervës së detyrueshme nga 20 për qind në 40 për qind në ditë;
  • u ul diferenca midis normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë dhe kredisë një ditore nga 1.75 pikë përqindje në vetëm 0.75 pikë përqindje.

Ritmi vjetor i rritjes së aktiveve të sektorit bankar ishte më i ulët se në vitin e mëparshëm, për shkak të paqëndrueshmërisë së rritjes se depozitave. Ngadalësimi i rritjes vjetore të kredisë, ndikoi në rritjen e peshës së kredisë me probleme ndaj vlerës së përgjithshme të portofolit të kredive. Raporti i kredive me depozitat lejon hapësira të mjaftueshme për kreditim, veçanërisht në monedhën kombëtare. Treguesit vjetorë të rezultatit financiar të sektorit bankar për vitin 2008 rezultuan pozitivë por më të ulët se një vit më parë, për shkak të rënies së ritmit rritës të veprimtarive fitimprurëse dhe rritjes relative të konkurencës. Kursi i këmbimit të monedhës kombëtare ishte përgjithësisht i qëndrueshëm.

Viti 2009, në kushtet e thellimit të mëtejshëm të krizës ndërkombëtare, do ta përballë ekonominë shqiptare me disa sfida të reja. Rritja ekonomike vjetore pritet të jetë pozitive, por ndjeshëm më e ulët se në vitin 2008. Politikat monetare dhe ato fiskale duhet të përshtaten në vazhdimësi, në përputhje me ecurinë e objektivit për të siguruar qëndrueshmërinë e treguesve makroekonomikë dhe financiarë të vendit. Veprimtaria e ndërmjetësimit të sektorit bankar dhe sistemit financiar në tërësi, për financimin e nevojave të sektorit publik dhe veçanërisht të sektorit privat, pritet të jetë në vëllime më të ulëta dhe kosto më të lartë, për shkak të paqëndrueshmërisë së faktorëve që lidhen me kërkesën dhe ofertën. Sektori i sipërmarrjeve të biznesit dhe individët, do të përjetojnë rritje të vështirësive për financim. Ky faktor do të nxisë një proces ristrukturimi, i cili në afat të shkurtër do të rezultojë i mundimshëm dhe do të rrisë pasigurinë për ruajtjen e vendeve të punës. Në afat më të gjatë, efektet e këtij procesi ristrukturimi në rritjen e eficiencës së veprimtarisë së biznesit do të jenë pozitive. Kursi i lirë i këmbimit të monedhës vendase, do të reflektojë ndryshimin e flukseve valutë/lek në tregun e brendshëm dhe zhvillimet në tregun ndërkombëtar, duke shërbyer si një amortizues i mirë në afat të mesëm i goditjeve që vijnë prej këtyre zhvillimeve. Në afat të shkurtër, zhvillimet në kursin e këmbimit do të ndiqen me vëmendje nga Banka e Shqipërisë, për të shmangur lëvizjet e çrregullta dhe të pajustifikuara të kursit të këmbimit dhe për të nxitur funksionimin e tregut në mënyrë të rregullt. Norma vjetore e rritjes së çmimeve të konsumit do të reflektojë zhvillimet në kërkesën e përgjithshme. Treguesi i rritjes vjetore të çmimeve të konsumit mund të bjerë përkohësisht nën kufirin e poshtëm të korridorit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, por pritet të luhatet pranë këtij objektivi në pjesën më të madhe të vitit. Në zbatimin e politikës së saj monetare, Banka e Shqipërisë do të synojë të ruajë stimujt e nevojshëm tek operatorët për të mbajtur mjetet financiare në monedhën kombëtare dhe për të orientuar pritjet inflacioniste pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë, ofrohet një kontribut më afatgjatë në mbështetjen e funksionit ndërmjetësues të sektorit bankar. Përfitueshmëria e sektorit bankar gjatë vitit pritet të ndikohet nga rënia e vëllimit të kreditimit dhe rritja relative e kostos së veprimtarisë.

Megjithatë muajt e fundit Banka e Shqipërisë është duke kryer testime të njëpasnjëshme, për të gjetur reagimin e sistemit bankar në qoftë se ai do të përballej me rrethana nga më pesimistet Analizat e përftuara nga stress-test e shumta që janë bërë si në rang sistemi adhtu dhe në mënyrë individuale për çdo bankë më vete, tregojnë se sistemi në tërësi dhe asnjë nga bankat me rëndësi sistemike në veçanti nuk janë të prekuara në në nivelin e likuiditetit dhe të kapitalizimit. Pavarësisht zgjerimit të spektrit të rreziqeve dhe një viti më të vështirë për zgjerimin e veprimtarisë bankare, sistemi financiar dhe sektori bankar do të mbeten të qëndrueshëm.

Kriza ekonomike botërore do t’i shtrijë efektet e saj në çdo vend. Megjithatë, madhësia e ndikimit nga efektet e kësaj krize për një vend të caktuar do të varet nga pozicioni në të cilin e gjen ekonominë e këtij vendi dhe sistemin e tij financiar, si edhe nga kohëzgjatja e kësaj krize. Gjendja e ekonomisë dhe e sistemit tonë financiar është e ekuilibruar dhe e aftë të përballojë ndikimin e pritshëm të kësaj krize ndërkombëtare. Në këtë proces, ekonomia jonë do të mbështetet nga disa faktorë që lidhen me fleksibilitetin e sektorit real të ekonomisë, përshtatshmërinë e disa treguesve makroekonomikë që lidhen me sferën fiskale dhe monetare, qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe të sektorit bankar dhe aftësinë e autoriteteve publike për të ruajtur disiplinën fiskale e monetare dhe për të vepruar në kohë e në mënyrë të harmonizuar, në rast nevoje.

Pavarësisht nga këta faktorë mbështetës dhe mbrojtës, gjatë këtij viti ekonomia jonë do të kalojë në një fazë përshtatjeje, gjatë së cilës autoritetet publike duhet të realizojnë një monitorim të pandërprerë të situatës. Procesi i kontakteve të ngushta dhe shkëmbimit të rregullt të informacionit mes tyre, do t’i shërbejë harmonizimit të veprimeve që mund të nevojiten për zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe do të jetë e nevojshme të ruhet një komunikim i rregullt me përfaqësues të sektorëve realë të ekonomisë dhe të sektorit financiar, për të diskutuar zhvillimet në sektorët respektivë. Nevoja për harmonizim veprimesh shtrihet edhe në nivel ndërkombëtar e rajonal për sa kohë që kjo krizë mund të ndikojë mbi vendet e rajonit në mënyrë të ngjashme. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa veprime rregullative dhe operacionale të cilat synojnë forcimin e procesit mbikëqyrës dhe ruajtjen e niveleve të likuiditetit në sektorin bankar. Së fundi, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, ka përgatitur propozimet për ndryshimin e ligjit "Për Sigurimin e Depozitave", duke parashikuar mes të tjerash rritjen e vlerës së sigurimit dhe të kompensimit të depozitës deri në shumën 2.5 milionë lekë, si edhe heqjen e përshkallëzimit të vlerës së kompensimit. Kjo masë do t’i kontribuojë forcimit të qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe do t’i ofrojë depozituesit shqiptar një standard shumë të afërt me atë që zbatohet për depozituesit në bankat e vendeve të Bashkimit Evropian. Banka e Shqipërisë është e bindur që kjo masë, prej së cilës përfitojnë si publiku ashtu edhe sektori bankar, do të gjejë mbështetje të plotë edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu, nëpermjet një akti të veçantë rregullativ, Banka e Shqipërisë i ka kërkuar sektorit bankar të mos shpërndajë fitimin e vitit 2008, në formën e dividentit. Në këtë mënyrë kapitalizmi i veprimtarisë bankare forcohet më tej, duke ofruar një garanci më shumë për shëndetin financiar të sektorit bankar në vijim.

Ruajtja e një dialogu konstruktiv me industrinë bankare, mbetet një objektiv i vazhdueshëm i Bankës së Shqipërisë. Por njëherazi, Banka e Shqipërisë do të kërkojë një forcim të kontrollit të strukturave drejtuese të bankave mbi veprimtarinë e institucioneve të tyre dhe një administrim më të mirë të rreziqeve të veprimtarisë. Kjo do të bëhet në përputhje me nevojën për t’iu përshtatur kërkesave të shtuara për informacion nga ana e Bankës së Shqipërisë, për njohjen në kohë reale të zhvillimeve në veprimtarinë bankare. Në mënyrë të posaçme, Banka e Shqipërisë kërkon nga aksionerët e bankave që të jenë të gatshëm, që në rast nevoje të shtojnë kapitalin dhe të ruajnë linjat e financimit për filialet e tyre që veprojnë në Shqipëri. Brenda parametrave të një veprimtarie të sigurtë bankare dhe në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës, sektori bankar duhet të shfrytëzojë mundësitë ekzistuese për të kryer rolin e tij të rëndësishëm në ndërmjetësimin financiar dhe në mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë do të jetë vigjilente dhe e gatshme për të kryer të gjitha veprimet e nevojshme, jo vetëm të sferës mbikëqyrëse, për të mbështetur një rritje të qëndrueshme dhe solide të sektorit bankar në afat më të gjatë.

Zhvillimet ndërkombëtare

Masat e marra nga bankat qëndrore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), në zonën e vendeve evropiane që përdorin euron (Eurozonë), si edhe në vende të tjera të zhvilluara për të zbutur ngërcin në tregjet financiare ndërkombëtare, kryesisht nëpërmjet rritjes së vëllimit të injektimit të likuiditetit, krijuan një lehtësim të përkohshëm të situatës në fillim të gjashtëmujorit të dytë të vitit 2008. Megjithatë, këto masa nuk qenë të mjaftueshme për të rikthyer besimin e investitorëve dhe funksionimin normal të tregjeve, dhe situata u përkeqësua ndjeshëm në tremujorin e fundit të vitit.

  • Vështirësitë e theksuara të disa institucioneve financiare të rëndësishme, detyruan autoritetet publike të ndërhyjnë për mbylljen ose shpëtimin e tyre.

Gjatë periudhës, mjaft banka dhe institucione të tjera financiare, me rëndësi botërore, pësuan humbje të mëdha financiare dhe rënie të ndjeshme të kapitalit. Kjo i detyroi autoritet publike në SHBA dhe në Evrope, të ndërhyjnë për të marrë nën administrim ose për të mbyllur këto institucione. Veçanërisht, vendimi i autoriteteve amerikane për të lejuar falimentimin e bankës së investimit "Lehman Brothers", duke konsideruar pozicionin e saj aktiv në tregjet botërore të instrumenteve financiare që rifinanconin kreditë për shtëpi dhe ato derivative, vuri në alarm tregjet financiare dhe rriti shqetësimin e institucioneve financiare për sigurinë e njëri-tjetrit. Ky shqetësim u shtua për shkak të publikimit të humbjeve të mëdha dhe të problemeve të likuiditetit të bankave dhe të shoqërive të sigurimit me rëndësi botërore. Për këtë arsye, veprimet në tregjet ndërbankare të vendeve të zhvilluara pothuaj u ndërprenë, duke shfaqur rënie të vëllimit, përqendrim të veprimeve financiare në afate tepër të shkurtra dhe rritje të ndjeshme të kostos së financimit. Tregjet për disa produkte financiare të caktuara, u zhdukën plotësisht. Për me tepër, në shkallë botërore, besimi i investitorëve tek bankat dhe institucionet financiare ra në mënyrë të ndjeshme, duke ngushtuar së tepërmi mundësitë e tyre të financimit për të shlyer borxhet dhe për të rritur vlerën e kapitalit. Çmimet e aksioneve të bankave u këputën, ndërkohë që kushtet e financimit në tregjet ndërbankare u shtrënguan më tej. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në përgjithësi, indekset e platformave më të mëdha të tregtimit të aksioneve shënuan një rënie prej 25 për qind në muajin tetor. Vendet në zhvillim ndjenë një presion edhe më të madh. Që prej fillimit të muajit tetor, investitorët kërkonin një kthim prej rreth 6 pikë përqindje më të lartë për borxhin që mund t’iu jepnin qeverive të këtyre vendeve, tregues që shpreh pasigurinë e tyre për aftësinë paguese të këtij borxhi. Tregjet e aksioneve në vendet në zhvillim, humbën rreth 1/3 e vlerës së tyre në terma të monedhës vendase dhe rreth 40 për qind të vlerës së tyre të shprehur në dollarë. Pasiguria nxiti një zhvendosje masive të fondeve në mbarë botën drejt bonove të thesarit të qeverisë së SHBA, tradicionalisht të perceptuara si pa rrezik. Kjo solli uljen e normës së tyre të kthimit nga investimi pothuaj në zero dhe rriti kërkesën për dollarë kundrejt monedhave të tjera. Besimi i publikut gjithashtu u lëkund, duke u shoqëruar me rënie të afateve të maturimit dhe rënie të vlerës së kursimeve në banka.

  • Autoritetet publike ndërmorën veprime të shpejta, në sferën monetare dhe fiskale, për të rivendosur tregjet në funksionim dhe për të zbutur ndikimin e kësaj krize në sektorët realë të ekonomisë. Harmonizimi i veprimeve në shkallë botërore, u konsiderua si një domosdoshmëri.

Rritja e vështirësive për financim, si rezultat i mosfunksionimit të tregjeve, ndikoi në rënien e investimeve e të tregtisë, duke goditur kërkesën e brendshme dhe duke nxitur një ngadalësim të ndjeshëm të sektorëve realë të ekonomisë në nivel botëror, e veçanërisht në vendet e zhvilluara. Bizneset u gjendën të detyruara të ulnin kostot e tyre në një situatë të ngadalësimit të përgjithshëm ekonomik, ndaj tregjet e punës u tkurrën në të gjithë botën, duke shënuar rritje të ndjeshme të numrit të të papunëve. Të gjitha ngjarjet deri në këtë moment, treguan qartë përmasat e jashtëzakonshme të kësaj krize si edhe e bënë urgjente nevojën e veprimit të shpejtë e të harmonizuar të bankave qëndrore dhe të qeverive, jo vetëm në nivel lokal por edhe në nivel rajonal e global, duke përfshirë edhe kontributin e institucioneve financiare ndërkombëtare. Në mjaft raporte të institucioneve financiare ndërkombëtare, si edhe në forume e takime të nivelit të lartë, u theksua domosdoshmëria e marrjes së të gjitha masave të mundshme për të ruajtur sistemin financiar dhe për të zbutur ngërcin e likuiditetit në tregjet financiare; për të ruajtur besimin e publikut në sistemin financiar dhe institucionet bankare, si edhe për t’i dhënë ekonomisë botërore stimulin e nevojshëm financiar në mënyrë që ngadalësimi i ndjeshëm ekonomik të përballohej më lehtë nga sektorët jetikë dhe nga shoqëria, duke krijuar kushtet për një rigjallërim sa më të shpejtë.

Me veprime të njëpasnjëshme, bankat qëndrore të vendeve më të zhvilluara thelluan procesin e liberalizimit të injektimit të likuiditeteve në tregjet respektive. Për këtë qëllim, u ndryshuan instrumentet përkatëse, u zgjerua spektri i institucioneve financiare pjesëmarrëse si edhe llojet e kolateralit, si edhe u zgjat afati i financimit. Gjithashtu, në sferën monetare bankat qëndrore synuan gjithashtu që t’i jepnin ekonomisë një stimul financiar më afatgjatë nëpërmjet një politike monetare të lirshme, në kushtet kur pritjet për një ngadalësim të theksuar të zhvillimit ekonomik zbusnin presionet inflacioniste. Kështu, Rezerva Federale e SHBA uli normën e interesit të politikës monetare me 1 për qind gjatë muajit tetor. Gjysma e kësaj uljeje u realizua në datën 8 tetor, si pjesë e një veprimi të harmonizuar me gjashtë banka të tjera qëndrore, duke përfshirë BQE. Në muajin dhjetor, Rezerva Federale e SHBA uli përsëri normën e interesit të politikës monetare, duke përcaktuar zonën e lëvizjes së saj midis 0 për qind dhe 0.25 për qind. Në Eurozonë, BQE ndryshoi formën e instrumentit kryesor të financimit, duke hequr kufizimet për financim nga bankat me normën e interesit të politikës monetare, si edhe e uli tre herë këtë të fundit. Në datën 8 tetor BQE uli me 0.5 për qind normën e interesit të politikës monetare, në nivelin 3.75 për qind. Dy ulje të tjera, u kryen përkatësisht në datat 12 nëntor dhe 10 dhjetor, me një vlerë të përgjithshme prej 1.25 për qind. Në fund të vitit 2008, norma e interesit të politikës monetare të BQE ishte në nivelin 2.5 për qind. Gjatë periudhës, ulje të normës së interesit u realizuan edhe nga banka të tjera qëndrore si Banka e Anglisë, Banka e Kanadasë, Banka e Suedisë, Banka Kombëtare e Zvicrës, etj. Pritjet janë që kjo prirje do të vazhdojë.

Në sferën fiskale, veprimet e qeverive të vendeve të zhvilluara ekonomike kanë qenë të jashtëzakonshme. Në fillim të muajit tetor, Kongresi i SHBA ktheu në ligj Aktin e Stabilizimit Emergjent Ekonomik, i cili parashikonte krijimin e një fondi prej rreth 700 miliardë dollarë, për blerjen e aktiveve jocilësore nga bankat dhe për rritjen e nivelit të kapitalit të tyre. Si rezultat, deri në fund të muajit dhjetor, qeveria e SHBA zgjeroi blerjen e aksioneve të preferuara në kapitalin e dhjetëra bankave për një vlerë të përgjithshme shtesë prej rreth 112 miliardë dollarësh. Gjithashtu, Qeveria dhe Rezerva Federale e SHBA, pranuan ndryshimin e statusit të disa institucioneve financiare të rëndësishme, duke përfshirë shoqëri sigurimi dhe të tjera, me qëllim që ato të plotësonin kushtet për të përfituar prej fondit të kapitalizimit. Përdorimi i këtij fondi nga ana e institucioneve që mbledhin depozita nga publiku ose që zotërojnë banka, shoqërohej me disa kushte të cilat ndryshonin thelbësisht mënyrën e vendimmarrjes së tyre.

Në Bashkimin Evropian, përfaqësuesit më të lartë të vendeve anëtare, organizuan një sërë takimesh për të realizuar një harmonizim më të madh të veprimeve për përballimin e krizës. Në datën 12 tetor u realizua takimi i kryeministrave të vendeve të Eurozonës dhe drejtuesve të BQE. Në deklaratën zyrtare të këtij takimi, përfaqësuesit më të lartë të vendeve të Eurozonës mbështeten masat e marra deri në atë kohë, në drejtim të mbështetjes së institucioneve financiare me rëndësi sistemike dhe të parandalimit të falimentimit të tyre, të sigurimit të transparencës maksimale për njohjen e plotë të ekspozimeve problematike në banka, si edhe të përmirësimit të skemave ekzistuese të sigurimit të depozitave të publikut. Në të njëjtën kohë, këto autoritete shprehën angazhimin e tyre për të vepruar së bashku në mënyrë të vendosur dhe të plotë për të rivendosur besimin në funksionimin normal të sistemit financiar, duke synuar vendosjen e kushteve të përshtatshme të financimit për ekonominë. Në mënyrë më të detajuar, ato theksuan se do të veprojnë në drejtim të: a) sigurimit të kushteve të përshtatshme të likuiditetit për institucionet financiare; b) lehtësimit të kushteve të shtrënguara të financimit të bankave; c) mbështetjes me kapital të institucioneve financiare në mënyrë që ato të ruanin financimin për ekonominë; d) rikapitalizimit eficient të bankave që kishin probleme; e) interpretimit me fleksibilitet të rregullave të kontabilitetit në kushtet e situatës së jashtëzakonshme të tregjeve; dhe f) forcimit të procedurave të bashkëpunimit midis vendeve evropiane.

Në nivel botëror, masat për përballimin e krizës financiare u diskutuan edhe në takimin e Grupit të 20 vendeve (ekonomive) më të mëdha të botës (që përfaqësojnë 80 për qind të ekonomisë botërore), i cili u zhvillua në 15 nëntor. Në takim, përfaqësuesit më të lartë të këtyre vendeve, në praninë edhe të përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të FMN, të Bankës Botërore dhe të Forumit të Stabilitetit Financiar, arritën një marrëveshje mbi disa parime bazë të cilat synonin reformën e tregjeve financiare për të siguruar që një krizë botërore të mos përsëritet në të ardhmen. Parimet shprehnin angazhimin e këtyre vendeve dhe të institucioneve ndërkombëtare, për të forcuar transparencën, përgjegjshmërinë dhe kuadrin rregullativ të tregjeve financiare. Njëkohësisht, këto parime synonin forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, reformimin dhe forcimin e burimeve financiare të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe rritjen e rezistencës ndaj veprimeve që shkaktojnë mbylljen e ekonomive kombëtare ndaj tregjeve.

Në vijim të këtyre direktivave dhe parimeve, në datën 26 nëntor, Komisioni Evropian shpalli Planin e Rigjallërimit Ekonomik Evropian, i cili synonte: a) vendosjen e masave për rritjen e kërkesës së brendshme, ruajtjen e niveleve të punësimit dhe rivendosjen e besimit në sistemin financiar në afat të shkurtër; dhe b) realizimin e investimeve eficiente për të ruajtur rritjen ekonomike dhe një mirëqenie të qëndrueshme në afat të gjatë. Ky plan, ofronte një stimul fiskal me një vlerë të përgjithshme prej 200 miliardë eurosh, ose 1.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Bashkimit Evropian, i cili duhej të ofrohej në kohën e duhur, të ishte i fokusuar dhe njëkohësisht i përkohshëm. Në mënyrë individuale, përpara finalizimit të këtij plani, disa vende si Britania e Madhe, Gjermania, Suedia, Portugalia, Hollanda, Franca, Italia, Greqia (28 miliardë euro), Finlanda, Spanja, Austria (100 miliardë euro) dhe Sllovenia, kishin përgatitur planet e tyre kombëtare për mbështetjen e sektorit financiar dhe për lehtësimin e kushteve të kreditimit, në përputhje me parashikimet e rregullave të Komisionit Evropian për ndihmën shtetërore. Paketat e këtyre vendeve kishin ngjashmëri dhe pothuaj të gjitha parashikonin disa veprime të përkohshme të cilat përfshinin: përcaktimin e një fondi për kapitalizimin e bankave, dhënien e garancive për borxhin e ri të krijuar nga bankat vendore si edhe vendosjen e disa kushteve në mënyrën e drejtimit dhe orientimin e veprimtarisë së bankave që do të përdornin këtë fond. Lehtësimi i kushteve të kreditimit parashikonte krijimin e programeve të caktuara për mbështetjen e financimit (në shuma më të mëdha, me norma interesi më të ulëta, me garanci etj.) të sipërmarrjeve në sektorë të rëndësishëm, veçanërisht të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme që deri para vjeshtës së vitit 2008 kishin pasur një gjendje të mirë financiare.

Ndër vendet e tjera të mëdha edhe Kina, Brazili e India ndërtuan paketat e nevojshme financiare për stimulimin e rritjes ekonomike. Në Kinë, këto masa u shpallën në muajin nëntor dhe përfshinin kryesisht projekte për ruajtjen e mirëqenies publike, për investime në infrastrukturë, për mbrojtjen e mjedisit dhe për rinovimin e teknologjisë, në një vlerë të përgjithshme prej 585 miliardë dollarë. Qeveria kineze beson se këto masa dhe të tjera nëse do të nevojiten, do të rikthejnë ekonominë në ritmin e lartë të rritjes në vitin 2010.

  • Vendet e tjera të kontinentit evropian janë prekur nga kriza dhe në disa prej tyre efektet e krizës kanë shkaktuar një proces korrektimi të mundimshëm të ekuilibrave makroekonomikë.

Gjatë vitit 2000, vendet e Balltikut dhe ato të Evropës Qëndrore dhe Juglindore kanë njohur përgjithësisht rritje ekonomike të qëndrueshme dhe stabilitet financiar në sajë të reformave strukturore të nxitura nga procesi i integrimit, rritja e flukseve të parasë në formën e investimeve direkte dhe të portofolit, rritja e produktivitetit dhe forcimi i pozicionit konkurrues në tregtinë e jashtme, qëndrueshmëria e kursit të këmbimit, rritja e të ardhurave dhe konsolidimi i gjendjes fiskale. Në sektorin financiar, këto vende kishin pësuar një transformim të rëndësishëm, i dëshmuar edhe prej rritjes së investimeve të institucioneve financiare të fuqishme, kryesisht të vendeve të Eurozonës. Ky proces ishte nxitur falë përparësisë që këto vende ofronin prej rritjes më të lartë ekonomike, hapësirave për rritjen e ndërmjetësimit bankar veçanërisht në drejtim të kreditimit, afërsisë dhe integrimit të kënaqshëm me qendrat e zhvilluara financiare etj.. Sipas studimeve te eksperteve te FMN, pesha e aktiveve të bankave të huaja në sistemin financiar të këtyre vendeve ka ardhur në rritje që prej vitit 2000 dhe në fund të vitit 2006, ky tregues shtrihej nga 80 për qind deri në 100 për qind në Serbi, Bullgari, Hungari, Çeki, Rumani, Kroaci, Lituani, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Estoni. Në këto vende si edhe në ato të Evropës Juglindore, në vitet 2000 – 2007, kreditimi nga sektori bankar u rrit mesatarisht 23 për qind në terma realë vjetorë. Shpejtësia më e madhe e rritjes ishte në vitet 2004-2007, kur për disa prej këtyre vendeve rritja mesatare vjetore e kreditimit luhatej nga 30 për qind deri në 50 për qind. Si rezultat, gjatë kësaj periudhe rritja kumulative e raportit të kredisë së sektorit privat ndaj PBB, për disa prej këtyre vendeve kapërceu 20 pikë përqindje. Në disa prej këtyre vendeve, rritja e depozitave ishte e pamjaftueshme për të përballuar ritmin e shpejtë të rritjes së kredisë, ndaj procesi i kreditimit u mbështet nga financimi prej burimeve të tjera, kryesisht huamarrjeve nga tregjet financiare. Kjo ishte më e theksuar për veprimtarinë në valutë. Raporti midis kredisë dhe depozitave u rrit në shumicën e këtyre vendeve, veçanërisht në vendet e Balltikut ku ai u dyfishua që prej vitit 2000 dhe në Ukrainë, Hungari e Rusi ku ky raport u luhat nga 120 për qind deri në 150 për qind. Siç u përmend, në disa nga këto vende kreditimi në valutë i sektorit privat, veçanërisht në ato me norma interesi tepër të ulëta (franga zvicerane, jeni japonez), pati rritjen më të shpejtë si rezultat i kërkesës së huamarrësve për kosto sa më të ulët të kredisë, perceptimit për qëndrueshmëri të kurseve të këmbimit dhe mundësisë së financimit të këtyre kredive në tregjet financiare ndërkombëtare. Lehtësia e financimit në tregjet ndërkombëtare, si për sektorin privat ashtu edhe për atë publik, ka nxitur rritjen e kërkesës së përgjithshme përtej ritmit të rritjes së ekonomisë dhe ka sjellë përkeqësim të bilancit të pagesave dhe të atij fiskal, për disa prej këtyre vendeve. Për këtë arsye, kjo situatë i bënte ato veçanërisht të ndjeshme ndaj qëndrueshmërisë së tregjeve financiare ndërkombëtare.

Në fakt, kriza financiare ndërkombëtare e ndryshoi këtë ekuilibër të brishtë. Shtrëngimi i kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare, e bëri mjaft të vështirë huamarrjen nga bankat e huaja për të rifinancuar borxhet e tyre në afat të shkurtër. Në të njëjtën kohë, rënia e çmimeve të lëndëve të para dhe të energjisë, ndikoi në pakësimin e flukseve hyrëse dhe prishjen e ekuilibrit të pozicionit valutor, duke përkeqësuar edhe situatën fiskale. Investitorët e portofoleve, prej natyre afatshkurtër dhe spekulative, filluan të largohen prej mjeteve financiare të këtyre vendeve. Presioni mbi kursin e këmbimit të monedhave vendase u rrit së tepërmi. Hungaria ishte vendi i parë i rajonit, ku autoritetet u detyruan të ndërmarrin një sërë masash për të rikthyer besimin në sistemin financiar vendas. Këto masa përfshinin rritjen e normave të interesit, për të inkurajuar investimet në mjetet financiare të denominuara në monedhën vendase. Nga ana tjetër, përpjekjet e Hungarisë për të përmirësuar gjendjen financiare të buxhetit si edhe bilancin e saj të pagesave, u mbështetën me shpejtësi nga Komisioni Evropian dhe FMN. Në datën 4 nëntor, Këshilli i Ministrave të Ekonomisë të Bashkimit Evropian miratoi një hua në mbështetje të bilancit të pagesave të Hungarisë për 6.5 miliardë euro. Në datën 6 nëntor, FMN dhe Banka Botërore miratuan dhënien e huave, përkatësisht në vlerat 12.5 miliardë euro dhe 1 miliard euro. Vende të tjera të cilat përfituan të drejtën për të marrë hua nga FMN, ishin Ukraina, Serbia (412 milionë euro) etj.. Në Bashkimin Evropian po diskutohet rreth mundësive dhe formave për të ndihmuar vendet e këtij rajoni, nëse do të jetë e nevojshme në vijim.

  • Pavarësisht masave të marra nga autoritetet publike në shkallë botërore, ngjarjet e vjeshtës theksuan përkeqësimin e rritjes ekonomike për vitin 2008. Pritjet e institucioneve financiare ndërkombëtare për ecurinë e ekonomisë botërore në vitin 2009 mbeten pesimiste, ndërkohë që rigjallërimi gradual i ekonomisë pritet në fillim të vitit 2010. Parashikimet kanë një shkallë të lartë pasigurie.

Efekti pozitiv i masave të marra gjatë vitit 2008, ishte i pjesshëm. Injektimet e likuiditetit ndikuan në rënien e normave të interesit në tregjet ndërbankare, ndërkohë që angazhimi i autoriteteve për të mbrojtur bankat e rëndësishme dhe për të rritur vlerën e garantimit të depozitave, ndaloi rënien e besimit tek institucionet financiare. Megjithatë, tregjet financiare vazhduan të veprojnë të segmentuara dhe ndërmjetësimi financiar mbeti i kufizuar. Efekti i stimulit fiskal dhe monetar, nuk mund të jepte efektet që në vitin 2008. Në fakt, shifrat e rritjes ekonomike botërore rezultuan edhe më të dobëta se parashikimet (të cilat në vetvete kishin ardhur në rënie) e institucioneve financiare ndërkombëtare. Rritja vjetore e prodhimit të përgjithshëm botëror ishte 3.4 për qind në fund të vitit 2008, ndërkohë që vëllimi i tregtisë botërore për mallra dhe shërbime u rrit me 4.1 për qind (7.2 për qind në vitin 2007). Ekonomitë e zhvilluara u rritën vetëm me 1 për qind gjatë këtij viti, ndërkohë që kontributin kryesor në rritjen e ekonomisë botërore e dhanë vendet në zhvillim (veçohet Kina, Brazili e India) me një rritje vjetore prej rreth 6.3 për qind. Tregjet financiare të kapitaleve vijuan të shënonin vlera negative, të ndikuara nga publikimet e humbjeve financiare për banka dhe korporata jofinanciare. Në tregjet valutore, dollari amerikan ishte i qëndrueshëm ndaj euros, në kushtet e kërkesës së investitorëve për të blerë borxhin e shtuar të SHBA dhe shpresës se stimuli fiskal, i cili pritej të rritej me ardhjen e administratës së re në Shtëpinë e Bardhë, do të ndikonte pozitivisht në përmirësimin e situatës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në dokumentin e tij "Parashikimi Ekonomik Botëror" të janarit 2009, thekson se rritja e ekonomisë botërore për vitin 2009, pritet të jetë vetëm 0.5 për qind. Ekonomitë e vendeve të zhvilluara do të tkurren me rreth 2 për qind (për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore), ndërsa ekonomitë e vendeve në zhvillim do të rriten vetëm me 3.3 për qind. Nën ndikimin e masave për të lehtësuar financimin si edhe mbështetur nga politika ekspansioniste monetare dhe fiskale, ekonomia botërore parashikohet të nisë një rigjallërim gradual në vitin 2010, kur rritja ekonomike pritet 3 për qind. Ekonomia e SHBA pritet të tkurret me 1.6 për qind në vitin 2009 dhe të rritet vetëm me 1.6 për qind në vitin 2010. Norma e rritjes vjetore të çmimeve të konsumit, do të jetë përkohësisht negative gjatë vitit 2009. Financat publike do të përkeqësohen, duke u shoqëruar me rritjen e deficitit buxhetor në 12.3 për qind të PBB për vitin 2009. Për vendet e Eurozonës, pritjet e FMN-së janë edhe më të dobëta. Ekonomia e këtij rajoni do të tkurret me 2 për qind në vitin 2009 dhe do të rritet vetëm me 0.2 për qind në vitin 2010. Sipas dokumentit "Parashikimi i ndërmjetëm" i janarit 2009, Komisioni Evropian pret që ekonomia e Italisë të tkurret me 2 për qind në vitin 2009 dhe të rifillojë rritjen në vitin 2010. Për Greqinë, parashikimet janë më optimiste, ndonëse rritja ekonomike pozitive për vitin 2009 do të jetë shumë e ulët. Të dyja këto vende, do të përjetojnë një rritje të normës së papunësisë pranë nivelit mesatar të Eurozonës në vitin 2009. Për vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore, pritjet e FMN janë për një tkurrje të ekonomisë me 0.4 për qind në vitin 2009 dhe një rritje të ekonomisë prej 2.5 për qind për vitin 2010. Në dokumentin "Parashikimi i Ndërmjetëm" i janarit 2009, Komisioni Evropian thekson se papunësia në vendet e Bashkimit Evropian do të rritet me 3.2 milionë vetë duke bërë që norma e papunësisë në 2009 të arijë nivelin 8.75 për qind. Sipas Komisionit Evropian, financat publike do të goditen ndjeshëm gjatë vitit 2009. Në vendet e BE, parashikohet rritja e deficitit primar në 4.5 për qind të PBB-së krahasuar me 2 për qind në 2008. Parashikimet për financat publike janë negative edhe për vitin 2010. Presionet inflacioniste në vendet e Bashkimit Evropian pritet të jenë të dobëta gjatë vitit 2009, për shkak të dobësisë së kërkesës për energji dhe lëndë te para. Norma e rritjes vjetore të çmimeve të konsumit pritet të jetë 1 për qind për vitin 2009, dhe rreth 2 për qind në vitin 2010, si për vendet e Eurozonës ashtu edhe vendet e Bashkimit Evropian.

Zhvillimet e brendshme

Aktiviteti ekonomik i vendit gjatë vitit 2008 u zhvillua përgjithësisht në linjë me parashikimet e fillimvitit, si përsa i përket rritjes ekonomike, ashtu dhe në drejtim të ruajtjes së balancave makroekonomike. Rritja ekonomike u mbështet nga një stimul fiskal dhe monetar i qëndrueshëm, në kuadër të shpenzimeve të buxhetit si edhe kreditimit të sektorit bankar. Megjithatë, efektet e krizës financiare ndërkombëtare filluan të ndjehen në tremujorin e fundit të vitit, siç u tregua nga zhvillimet në bilancin e pagesave, ngadalësimi i rritjes së veprimtarisë së sektorit bankar, si edhe pritjet e bizneseve dhe të individëve për situatën ekonomike në afat të shkurtër.

  • Politika fiskale kontribuoi në rritjen e qëndrueshme ekonomike gjatë vitit 2008. Realizimi i stimulit fiskal të parashikuar për vitin 2009, mund të ndeshet me vështirësi, për shkak të rënies së kërkesës së brendshme dhe të nevojës për të gjetur burime shtesë të financimit të shpenzimeve.

Gjatë vitit 2008, të ardhurat e përgjithshme në buxhet u realizuan në masën 290.1 miliardë lekë, 97.3 për qind të vlerës së planifikuar; ndërsa shpenzimet e përgjithshme u realizuan në masën 350.3 miliardë lekë, 98.7 për qind të vlerës së planifikuar. Në fund të vitit 2008, të gjithë zerat e të ardhurave dhe të shpenzimeve të përgjithshme në buxhet, shënuan rritje në vlerë absolute. Ritmi i realizimit të të ardhurave dhe të shpenzimeve të buxhetit, në krahasim me vlerat e realizuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ishte përkatësisht 15.3 për qind dhe 22.6 për qind më i lartë. Ecuria e mësipërme në realizimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve ndikoi në krijimin e një teprice negative në llogarinë e buxhetit për rreth 60.2 miliardë lekë, rreth 5.7 për qind e vlerës së pritshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2008. Kjo diferencë u financua nga burime të brendshme në masën 24.5 miliardë lekë dhe nga burime të huaja në masën 35.7 miliardë lekë. Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar ecurisë së shpenzimeve kapitale të cilat u rritën me rreth 3 pikë përqindje në raport me PBB, diktuar nga objektivat për investime në projektet e rëndësishme të infrastrukturës. Për vitin 2009, qeveria parashikon realizimin e deficitit buxhetor në masën 4.2 për qind të PBB. Pjesa më madhe e tij pritet të financohet nga burime të huaja duke nënkuptuar një fluks relativisht të madh hyrjesh valutore në formën e financimit të huaj.

Në një kohë kur ekonomia e vendit mund të ngadalësojë ritmet e rritjes, poshtë parashikimeve të mëparshme dhe kur lërkesa e sektorit bankar për letra me vlerë të qeverisë rezulton në rënie, është e nevojshme të përgatiten mënyra alternative të veprimit. Në rast se të dy rreziqet e sipërpërmendura do të materializohen, atëherë do të ballafaqohemi me një situatë më të vështirë përsa i takon financimit të shpenzimeve. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë vlerëson se është e nevojshme ristrukturimi i shpenzimeve në përputhje me përparësitë dhe ecurinë e të ardhurave fiskale, përgjatë vitit.

Kjo situatë mund të zbutet nëse qeveria do të materializojë të gjithë synimet e saj të parashikuara për financimet e huaja. Shpërndarja sa më e njëtrajtshme në kohë e shpenzimeve të pritshme, do t’i kontribuojë më mirë ekuilibrave të vendosur në tregun financiar dhe posaçërisht në tregun ndërbankar, ku ecuria e huamarrjes dhe e shpenzimeve publike, kanë një ndikim të konsiderueshëm.

  • Megjithë zhvillimin e qëndrueshëm për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, sektori real i ekonomisë ka ndjerë efektet e krizës ndërkombëtare veçanërisht në tremujorin e fundit të vitit 2008. Situata për vitin 2009, mbështetur në zhvillimet ndërkombëtare dhe në pritjet e biznesit dhe të familjeve, parashikohet të karakterizohet nga një ngadalësim i rritjes ekonomike.

Në lidhje me zhvillimet në sektorin real të ekonomisë, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008 u konstatua një rritje e aktivitetit e mbështetur kryesisht nga sektori i ndërtimit, me 66 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar dhe sektori i shërbimeve me 15 për qind. Gjithashtu, u vu re një ecuri pozitive e qëndrueshme e sektorit të transportit dhe tregtisë. Niveli i punëzënies mbeti i njëjtë me fundin e gjashtëmujorit të parë dhe ka çuar në një rënie të lehtë të treguesit të papunësisë nga 12.9 për qind në 12.6 për qind. Zhvillimet në bilancin tregtar në fund të vitit, reflektuan qëndrueshmërinë e kërkesës së brendshme në pjesën më të madhe të vitit, si edhe përkeqësimin e krizës ndërkombëtare. Kështu, në fund të vitit deficiti tregtar ishte 17.8 për qind më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007, ndërkohë që hyrjet nga emigrantët ishin rreth 27 për qind më të ulëta. Për tremujorin e katërt të vitit 2008 disa tregues të kërkesës agregate reflektojnë mundësinë e fillimit të një ngadalësimi të rritjes së saj. Vrojtimet e besimit të biznesit dhe konsumatorit, për tremujorin e fundit të vitit 2008 kanë regjistruar një rënie prej 10 pikë përqindje të treguesit të pritjes ekonomike, i cili megjithatë është mbi nivelin mesatar të 5 viteve të fundit. Vlera e këtij treguesi pasqyron pritjet e mbi 90 për qind të bizneseve të anketuara, për një ecuri më të dobët të nivelit të prodhimit, të punësimit, të kërkesës dhe të situatës së tyre financiare. Në veçanti, sektorët e industrisë dhe të shërbimeve paraqesin pritshmëri negative për performancën e tyre në vitin 2009, ndërkohë që gjendja në sektorin e ndërtimit paraqitet relativisht më optimiste. Vështirësitë e bizneseve dhe zhvillimet e ekonomisë reale gjatë vitit 2009, do të ndikojnë në nivelin e punësimit duke kufizuar rritjen e të ardhurave të familjeve. Për këtë arsye, edhe treguesi i besimit të konsumatorit për tremujorin e fundit të vitit 2008, paraqitet në rënie dhe nën mesataren e tij historike. Në veçanti, pritjet e konsumatorëve për vitin 2009 tregojnë për një rënie të punëzënies, duke qenë kështu plotësuese me pritjet e bizneseve. Pritjet më të ulëta për kushtet ekonomike gjatë këtij viti, mund të ndikojnë sjelljen e biznesit dhe të konsumatorit në drejtim të uljes së investimeve dhe të konsumit. Ngadalësimi i ekonomisë ndërkombëtare, rënia e çmimeve të lëndëve të para të energjisë dhe të produkteve ushqimore, si edhe pritjet për një rënie të kërkesës nga ana e sektorit real të ekonomisë sonë, pritet të ulin vëllimin e tregtisë dhe të mbajnë nën kontroll deficitin e bilancit tregtar për pjesën më të madhe të vitit 2009.

  • Ne tregun e këmbimeve valutore, lëvizjet e kurseve të këmbimit të valutave kundrejt lekut, reflektuan situatën e brendshme të kërkesë-ofertës si edhe zhvillimet në tregun ndërkombëtar.

Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2008, situata në tregun e këmbimeve valutore u paraqit relativisht e qëndrueshme. Vlerat e këmbimit të monedhës kombëtare ndaj euros dhe dollarit amerikan kanë lëvizur pranë intervaleve historike për periudhën, duke reflektuar gjithashtu situatën në tregjet financiare ndërkombëtare. Kështu, në fillim të periudhës, euro është tregtuar rreth nivelit mesatar 122 lekë, ndërsa në fund të periudhës rreth nivelit mesatar 123.5 lekë. Në të njëjtat momente, dollari është tregtuar përkatësisht rreth niveleve mesatare 78.4 lekë dhe 91.2 lekë, duke reflektuar forcimin e monedhës amerikanë në tregjet ndërkombëtare të këmbimit. Luhatshmëria e këmbimit të lekut ndaj dy valutave kryesore, ka qenë më e lartë në pjesën e fundit të vitit. Krahas faktorëve sezonalë dhe atyre që lidhen me kërkesën e operatorëve të ndryshëm për veprimet e tyre të fundvitit, situata ka reflektuar edhe një lëkundje të ekuilibrit valutor në tregun e brendshëm për shkak të rënies së ritmit të hyrjeve të valutës nga ana e emigrantëve dhe rritjes së importeve. Në vijim, kursi i lirë i këmbimit të monedhës vendase, do të reflektojë ndryshimin e flukseve valutore në tregun e brendshëm, duke shërbyer si një amortizues i mirë në afat të mesëm i goditjeve që vijnë nga zhvillimet në ekonominë ndërkombëtare. Në afat të shkurtër, Banka e Shqiperise do të ndjekë me vëmendje zhvillimet në kursin e këmbimit, që të evidentojë dhe të shmangë lëvizjet e çrregullta dhe të pajustifikuara të kursit të këmbimit, si edhe që të nxisë funksionimin e tregut në mënyrë të rregullt. Në afat më të gjatë, ky proces është i rëndëishëm për të vlerësuar ndikimet e mundshme në nivelin e cmimeve të konsumit dhe në treguesit e stabilitetit të sistemit financiar.

  • Veprimet e tregut të hapur të Bankës së Shqipërisë dhe politika e saj monetare, në kushtet e zbutjes së presionit inflacionist, i kanë shërbyer vendosjes së kushteve optimale të likuiditetit në tregun ndërbankar dhe ruajtjes së stimujve të publikut për mbajtjen e mjeteve në monedhë kombëtare.

Gjatë kësaj periudhe, në tregun ndërbankar Banka e Shqipërisë ka kryer veprimet e nevojshme të injektimit të likuiditetit, me qëllim që sektori bankar të vijojë plotësimin e kërkesave të sektorit privat dhe atij publik për financime, në kushtet kur sektori bankar u përball me një situatë të paqëndrueshme të depozitave të publikut veçanërisht në tremujorin e fundit të vitit. Për të arritur më mirë këtë objektiv, Banka e Shqipërisë kaloi në formën e injektimit të likuiditetit pa shumë të përcaktuar në afatin njëjavor, duke e ofruar atë me normën bazë të interesit të politikës monetare. Injektimi i likuiditetit u realizua edhe në afate më të gjata, deri në tre muaj. Në këtë kuadër, u ndryshua kuadri rregullativ për veprimet operacionale, duke parashikuar zgjerim të llojeve të kolateralit për marrëveshjet e riblerjes, rritje të normës së përdorimit të rezervës së detyrueshme si edhe ulje të normës së interesit të kredisë një ditore. Në fund të vitit, vëllimi i likuiditetit të injektuar nga Banka e Shqipërisë në formën e marrëveshjeve të pamaturuara të anasjelljta të riblerjes, ishte rreth 24.5 miliardë lekë kundrejt 2.65 miliardë lekë në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit. Si rezultat i sasive të bollshme të likuiditetit, vëllimi i tregtimit në tregun ndërbankar, ku bankat japin/marrin hua nga njëra-tjetra, pësoi rënie. Niveli mesatar ditor i tregtimit zbriti nga 2.3 miliardë lekë në fund të muajit qershor, në 1.25 miliardë lekë në fund të vitit.

Presionet inflacioniste, të cilat ishin të ndjeshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, u dobësuan ndjeshëm në gjysmën e dytë të tij. Rënia e presionit inflacionit, u shkaktua nga rënia e çmimeve të lëndëve të para të energjisë dhe të produkteve ushqimore, si rezultat i dobësimit të kërkesës botërore për shkak të krizës financiare ndërkombëtare. Ndonëse me një prirje rënëse, rritja vjetore e nivelit të çmimeve të konsumit, qëndroi brenda korridorit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë gjatë gjithë gjashtëmujorit të dytë të vitit, për t’u mbyllur në nivelin 2.2 për qind në muajin dhjetor. Për këtë arsye, gjatë gjithë periudhës Banka e Shqipërisë e ruajti të pandryshuar nivelin e normës bazë të interesit prej 6.25 për qind. Sinjalet që vijnë nga ekonomia rajonale dhe ajo evropiane mbështesin një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes ekonomike për vitin 2009, duke favorizuar rënien në vijimësi të presionit inflacionist, që shkaktohet prej mallrave të importit. Si rezultat, treguesi i rritjes vjetore të çmimeve të mallrave të konsumit mund të bjerë përkohësisht nën kufirin e poshtëm të korridorit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, por pritet të luhatet pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë në pjesën më të madhe të vitit. Në vijim, nëpërmjet politikës së saj monetare, Banka e Shqipërisë do të synojë të ruajë stimujt e nevojshëm tek operatorët për të mbajtur mjetet financiare e jofinanciare në monedhën kombëtare dhe për të orientuar pritjet inflacioniste pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

  • Performanca e sektorit bankar gjatë vitit 2008 është kushtëzuar nga zhvillimet në tremujorin e fundit të vitit, kur rritja e veprimtarisë pranë mesatares së viteve të kaluara është penguar nga një dobësim i ndjeshëm i rritjes së depozitave të publikut. Megjithatë, sektori bankar mbeti i mirëkapitalizuar dhe likuid.

Në fund të vitit 2008, aktivet e sektorit bankar ishin 834.1 miliardë lekë, duke zënë rreth 86 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe duke qene 12.3 për qind me te larta në krahasim me fundin e vitit 2007. Rritja e ndjeshmerise se publikut per sigurine e kursimeve te tyre ne sektorin bankar, e përqendruar ne tremujorin e fundit te vitit per shkak te zhvillimeve ne krizen financiare nderkombetare, ndikoi ne uljen e ritmit te rritjes se vepritmarise bankare gjate vitit 2008. Rritja vjetore e depozitave të sektorit bankar për të gjithë vitin 2008 ishte 2 për qind, krahasuar me rreth 20 për qind që ishte në vitin 2007. Paqëndrueshmëria e ecurise se depozitave ndikoi edhe veprimtarinë e ndërmjetësimit të sektorit bankar, duke u shoqëruar me ngadalësim të ritmit të rritjes së kredisë. Kështu, gjatë vitit, ritmi i rritjes vjetore të kredisë ishte rreth 35 për qind, kundrejt rreth 48 për qind në vitin 2007. Edhe ngadalësimi i ritmit të rritjes së kredisë u përqendrua në fund të vitit. Në përfundim, në fund të dhjetorit 2008, kredia zinte rreth 43 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar, duke u ngjitur në rreth 37 për qind të PBB. Në fund të vitit 2008, kapitali aksioner i sektorit bankar zinte rreth 8.6 për qind të totalit të aktiveve, krahasuar me rreth 7.6 për qind në fund të vitit 2007. Rezultati financiar i sektorit bankar në fund të vitit 2008, ishte pozitiv për rreth 7.3 miliardë lekë.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar, rezultoi 17.2 për qind në fund të muajit dhjetor 2008, duke mbetur pothuaj i pandryshuar gjatë gjithë vitit. Minimumi i kërkuar nga kuadri rregullativ mbikëqyrës është 12 për qind. Të gjitha bankat gjendeshin mbi nivelin minimal të kërkuar, duke evidentuar kapitalizimin e përshtatshëm të veprimtarisë. Në fund të vitit, treguesi i likuiditetit, i shprehur në raportin "aktive likuide ndaj totalit të aktiveve", ishte në nivelin 43 për qind, kundrejt 47 për qind që ishte në fund të muajit qershor. Treguesi i likuiditetit konsiderohet i kënaqshëm. Cilësia e portofolit të kredisë, e treguar prej raportit "vlera e kredive me probleme ndaj vlerës së përgjithshme të portofolit të kredisë" shënoi rënie gjatë vitit 2008, duke arritur në nivelin 6.6 për qind në fund të vitit. Rritja e këtij raporti, ka qenë e përqendruar kryesisht në tremujorin e fundit, dhe krahas efektit statistikor që vjen si rezultat i rënies së ritmit të kredisë në këtë periudhë, shpreh edhe një kujdes më të madh nga ana e sektorit bankar për të identifikuar në rastin më të parë kreditë me probleme dhe për të krijuar rezervat e nevojshme. Treguesi "kredi mbi depozita" në fund të vitit 2008, u ngjit në nivelin 62 për qind, kundrejt 53 për qind që ishte në fund të muajit qershor. Në valutë, ky raport arriti vlerën 103 për qind, kundrejt 90 për qind që ishte në fund të muajit qershor. Aktualisht, rritja e këtij treguesi, reflekton kryesisht rënien e depozitave gjatë kësaj periudhe. Në lidhje me treguesit e rezultatit financiar të sektorit bankar, në fund të vitit 2008 treguesi i "kthimi mbi kapitalin" rezultoi 11.4 për qind, kundrejt 20.7 për qind që ishte në fund të vitit 2007. Treguesi "kthimi mbi aktivet" rezultoi 0.9 për qind, kundrejt 1.6 për qind që ishte një vit më parë. Rënia e këtyre dy treguesve ka reflektuar rënien e rezultatit financiar pozitiv të sektorit bankar gjatë vitit 2008, e kushtëzuar kryesisht nga ulja e ritmit të rritjes së veprimtarive fitimprurëse, rritja e fondeve rezervë për kredinë me probleme dhe rritja e shpenzimeve të veprimtarisë. "Detyrimet ndaj jorezidentëve" dhe "aktivet nga jorezidentët" ishin përkatësisht në nivelet 10.1 për qind dhe 9.7 për qind, duke reflektuar një ekspozim të kufizuar ndaj institucioneve financiare të huaja si edhe një pozicion të ekuilibruar në bilanc. Ky fakt konfirmohet edhe nga pesha pothuaj e njëjtë që zënë në bilancin e sektorit bankar, aktivet në valutë dhe detyrimet në valutë, përkatësisht pranë nivelit 49 për qind.

  • Spektri i rreziqeve për sektorin bankar është zgjeruar por ai do të jetë i qëndrueshëm në vitin 2009, në kushtet e ruajtjes së niveleve të kënaqshme të kapitalizimit të veprimtarisë dhe veprimeve për të ruajtur treguesit e likuiditetit. Sidoqoftë, roli i tij ndërmjetësues, i shfaqur në formën e mobilizimit të depozitave të publikut dhe financimit të nevojave të sektorit privat dhe publik të ekonomisë, do të jetë më i ulët se një vit më parë.

Për shkak të zhvillimeve në tremujorin e fundit të vitit 2008, spektri i rreziqeve për sektorin bankar është bërë më i larmishëm. Ne muajt e pare te vitit 2009, ritmi i rritjes së depozitave është më i ulët se ai i shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pavarësisht angazhimit të grupeve bankare zotëruese për të mbështetur veprimtarinë kredituese të filialeve të tyre në vendin tonë, mundësia e sektorit bankar për të kredituar në mënyrë të qëndrueshme do të kushtëzohet nga qëndrueshmëria e rritjes së depozitave. Treguesit e dy muajve të parë të vitit 2009, konfirmojnë pritshmëritë për një rënie të ritmit të rritjes së kredisë gjatë vitit 2009. Kjo situatë, do t’i bëjë bankat më të kujdesshme në përzgjedhjen e projekteve që do të financojnë, si edhe ka mundësi të orientojë veprimtarinë e kreditimit në afate më të shkurtra dhe drejt monedhës kombëtare, për të cilën ato kanë mundësi të sigurojnë burime më të qëndrueshme financimi. Si rezultat, stimuli më i ulët financiar që mund të japë sektori bankar në plotësimin e nevojave për financim të sektorit privat dhe atij publik, përfaqëson një tjetër faktor kufizues me të cilën do të përballet rritja ekonomike e vendit gjatë vitit 2009. Për sa i takon rezultatit financiar të sektorit bankar, ai pritet të jetë më i dobët gjatë këtij viti, si rezultat i rënies së të ardhurave nga interesat (për shkak të rënies së kreditimit dhe ndryshimit të strukturës së interesave), rritjes së kostos së përgjithshme të veprimtarisë si edhe rritjes së fondeve rezervë për kredinë me probleme.

  • Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa veprime për të forcuar mbikëqyrjen e veprimtarisë së sektorit bankar gjatë kësaj periudhe, si edhe po punon për një sërë masash të tjera në këtë drejtim të cilat e shtrijnë efektin e tyre në një periudhë kohe më të gjatë. Këto veprime do të zbatohen në konsultim me sektorin bankar. Ndërkohë, nga drejtuesit e sektorit bankar kërkohet të rrisin forcën kontrolluese dhe kujdesin për veprimtarinë e institucioneve që drejtojnë.

Krahas pranisë së vazhdueshme në media për sqarimin e publikut, Banka e Shqipërisë ka vendosur një regjim të përforcuar të monitorimit të zhvillimeve, duke nisur nga marrja e një informacioni ditor kryesisht për zhvillimet në situatën e likuiditetit të sektorit bankar dhe së fundi edhe për ato të kredisë. Gjithashtu, për të ruajtur gjendjen likuide të sektorit bankar, janë ndërmarrë operacionet e nevojshme të tregut të hapur duke ofruar likuiditet të bollshëm për bankat tregtare, kryesisht me maturime javore por edhe me maturime mujore e tremujore. Janë përforcuar kontaktet me përfaqësuesit e bankave tregtare, për të njohur këndvështrimin e tyre mbi zhvillimin e situatës. Në të njëjtën kohë po monitorohet ecuria e grupeve bankare të huaja që veprojnë në vendin tonë, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit, vizitave, kontakteve me autoritetet mbikëqyrëse në Austri, Greqi dhe Itali. Janë rishikuar procedurat e brendshme të reagimit tonë në rast nevoje për tregun financiar, duke synuar një nivel më të lartë fleksibiliteti në përputhje me përvojat e vendeve të tjera gjatë kësaj krize financiare. Me qëllim që t’i kontribuojë forcimit të qëndrueshmërisë së sektorit bankar, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, ka përgatitur propozimet për ndryshimin e ligjit "Për Sigurimin e Depozitave", duke parashikuar mes të tjerash rritjen e vlerës së sigurimit dhe të kompensimit të depozitës deri në shumën 2.5 milionë lekë, si edhe heqjen e përshkallëzimit të vlerës së kompensimit. Kjo masë do t’i ofrojë depozituesit shqiptar një standard shumë të afërt me atë që zbatohet për depozituesit në bankat e vendeve të Bashkimit Evropian. Në vijim, Banka e Shqipërisë po punon për një sërë ndryshimesh rregullative, të cilat synojnë ruajtjen e ekuilibrit të veprimtarisë bankare. Kështu, pas miratimit të disa ndryshimeve të rregulloreve në drejtim të administrimit të ekspozimeve të mëdha në banka, të kërkesave për licencim të veprimtarisë bankare etj., së shpejti pritet të miratohet rregullorja e re për likuiditetin e bankave, e cila do të synojë të ruajë dhe të forcojë treguesit e likuiditetit të sektorit bankar në vazhdimësi. Në vijim, do të punohet për një sërë ndryshimesh të tjera të kuadrit rregullativ mbikëqyrës, të cilat do të synojnë forcimin e aftësive mbrojtëse të sektorit bankar, duke e vendosur veprimtarinë bankare në një model më të ekuilibruar zhvillimi në afat të mesëm dhe të gjatë.

Banka e Shqipërisë shfrytëzon edhe këtë mundësi për të kërkuar nga përfaqësuesit e industrisë bankare, angazhimin dhe kujdesin maksimal në monitorimin dhe përballimin e zhvillimeve gjatë këtij viti. Banka e Shqipërisë do të nxisë një dialog konstruktiv me përfaqësuesit e industrisë bankare si edhe do të mirëpresë çdo propozim të tyre në lidhje me veprimet që duhet të ndërmerren dhe vlerësimin e efekteve të tyre. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të kërkojë një forcim të kontrollit të strukturave drejtuese të bankave, mbi veprimtarinë e institucioneve të tyre. Kjo do të behet në përputhje me nevojën për t’iu përshtatur kërkesave të shtuara për informacion nga ana e Bankës së Shqipërisë, për njohjen në kohë reale të zhvillimeve në veprimtarinë bankare. Në mënyrë të posaçme, Banka e Shqipërisë kërkon nga aksionerët e bankave që të jenë të gatshëm që në rast nevoje të shtojnë kapitalin dhe të ruajnë linjat e financimit për filialet e tyre që veprojnë në Shqipëri. Brenda parametrave të një veprimtarie të sigurtë bankare dhe në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës, sektori bankar duhet të shfrytëzojë mundësitë ekzistuese për të kryer rolin e tij të rëndësishëm në ndërmjetësimin financiar dhe në mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit.

  • Ekonomia e vendit është në gjendje që t’i përballojë efektet e kësaj krize, falë disa faktorëve që mundësojnë një shkallë të kënaqshme fleksibiliteti dhe përshtatshmërie, si edhe angazhim të autoriteteve publike për të mbështetur rritjen ekonomike, brenda hapësirave që lejon objektivi kryesor i ruajtjes së disiplinës fiskale dhe monetare.

Banka e Shqipërisë vlerëson që aktualisht ekonomia jonë është në gjendje të përballojë ndikimet e njohura të krizës ndërkombëtare. Në këtë proces, ekonomia e vendit tonë do të përfitojë nga:

a) fleksibiliteti i kënaqshëm, i cili është ndërtuar me reformat strukturore që janë ndërmarrë në vite, për të hapur tregjet dhe për të rritur konkurencën, duke e bërë ekonominë më të pavarur ndaj zhvillimeve në sektorë të veçantë që mund të ndikoheshin më tepër nga kriza ndërkombëtare;

b) niveli i përshtatshëm i disa treguesve ekonomikë ndaj PBB, si deficiti buxhetor, borxhi i brendshëm, kredia e dhënë nga sektori bankar etj., të cilat tregojnë se detyrimet aktuale të sektorit publik dhe të sektorit privat janë të kontrolluara e krejtësisht të përballueshme, duke kufizuar vlerën e rifinancimeve në rast nevoje;

c) fleksibiliteti i kursit të këmbimit, i cili do të shërbejë si një zbutës automatik i goditjeve të ekuilibrit valutor të ekonomisë së vendit;

d) ekzistenca e diferencave reale pozitive mes normës së interesit të kthimit nga investimet në lekë dhe të atyre në valutë, e cila nxit investimet në mjete të shprehura në monedhën kombëtare;

e) ekspozimi i ulët i sektorit bankar dhe sistemit financiar në instrumente që përfaqësojnë detyrime ose mjete të institucioneve financiare jorezidente;

f) pozicioni i ekuilibruar valutor i sektorit bankar, si edhe ruajtja e raporteve të ekuilibruara midis aktiveve në valutë dhe detyrimeve në valutë;

g) përshtatshmëria e treguesve të sektorit bankar që lidhen me raportin "kredi mbi depozitat", kapitalizimin dhe likuiditetin e veprimtarisë. Këto raporte janë në nivele më të mira se në vendet e rajonit dhe mundësojnë vijimin e veprimtarisë së ndërmjetësimit financiar;

h) masat që kanë ndërmarrë autoritetet publike për të ruajtur besimin e publikut në sektorin bankar dhe sistemin financiar në përgjithësi.

Pavarësisht nga këta faktorë mbështetës dhe mbrojtës, gjatë këtij viti ekonomia jonë do të kalojë në një fazë përshtatjeje, gjatë së cilës autoritetet publike duhet të realizojnë një monitorim të pandërprerë të situatës. Procesi i kontakteve të ngushta dhe shkëmbimit të rregullt të informacionit mes tyre, do t’i shërbejë harmonizimit të veprimeve që mund të nevojiten për zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe do të jetë i nevojshëm të ruhet një komunikim i rregullt me përfaqësues të sektorëve realë të ekonomisë dhe të sektorit financiar, për të diskutuar zhvillimet në sektorët respektivë. Nevoja për harmonizim veprimesh shtrihet edhe në nivel ndërkombëtar, rajonal, për sa kohë që kjo krizë mund të ndikojë mbi vendet e rajonit në mënyrë të ngjashme. Është e rëndësishme që në këtë situatë autoritetet të ruajnë dispilinën fiskale dhe monetare, duke shfrytëzuar sidoqoftë hapësirat që ekzistojnë për të mbështetur rritjen ekonomike.