BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e parë të vitit 2005

Data e publikimit: 29.07.2005

 

Në mbështetje të kërkesës së ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë" dhe detyrimit për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve të vendit, të tregut financiar dhe të operatorëve të tij, si edhe të publikut, mbi rreziqet potenciale që kërcënojnë qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe veçanërisht të atij bankar, në vend, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë:

Banka e Shqipërisë nuk konstaton ndonjë element ose zhvillim, i cili të kërcënojë ecurinë e qëndrueshme të sistemit bankar dhe të sistemit financiar, në muajt e ardhshëm.

Megjithatë, si edhe më parë, Banka e Shqipërisë e shfrytëzon këtë mundësi që, krahas identifikimit të rreziqeve potenciale, të ngrejë edhe çështje të tjera që i shërbejnë mbarëvajtjes së sistemit bankar në veprimet e përditshme dhe që ndihmojnë në funksionimin më të mirë të sistemit financiar, në përgjithësi.

1. Banka e Shqipërisë konstaton se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2005, u evidentuan zhvillime pozitive në sistemin bankar, me përfitime të cilat janë ndjerë në një mënyrë më konkrete dhe në një shkallë më të lartë nga klientët e bankave dhe nga ekonomia në përgjithësi. Konkretisht:
a) është zgjeruar kredia dhe janë pasuruar format e dhënies së saj për t'iu përshtatur më mirë kërkesave të tregut. Është realizuar një strukturim më i mirë i kredisë përsa i takon afatit të maturimit. Cilësia aktuale e kredisë është e mirë dhe kushtet e dhënies së saj përfaqësojnë një bazë të shëndoshë për ruajtjen e kësaj cilësie edhe në të ardhmen;
b) normat e interesit kanë ardhur në rënie, duke krijuar kushte më të përshtatshme që sistemi bankar dhe ai financiar në përgjithësi, të asistojnë më mirë zhvillimin ekonomik të vendit;
c) sistemi i pagesave është konsoliduar më tej me zgjerimin e numrit të përdoruesve të kartave të debitit dhe të kreditit të lëshuara nga sistemi bankar, si edhe me finalizimin dhe vendosjen në funksionim të "Sistemit të Kryqëzimit të Pagesave me Vlerë të Vogël" nga Banka e Shqipërisë. Sistemi bankar, ka vijuar të zgjerohet në të gjithë vendin nëpërmjet hapjes së degëve dhe të agjencive të reja. Në fund të muajit qershor 2005, numri i degëve funksionale të sistemit bankar arriti në 110, ndërsa numri i agjencive funksionale të tij arriti në 108.

2. Gjatë periudhës së kaluar, u konsolidua më tej veprimtaria e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Rritja e fondit të sigurimit të depozitave që administrohet nga ky institucion, është shoqëruar me pasurim të mënyrave të investimit të tij. Në vijim të përvojës së deritanishme, Agjencia e Sigurimit të Depozitave synon të rishikojë kuadrin ligjor për të pasuruar instrumentet e saj në drejtim të njohjes më të afërt të situatës financiare në institucionet e siguruara, si edhe për të forcuar rolin e saj në faza të caktuara të veprimtarisë së tyre. Në zbatim të detyrimeve ligjore, Banka e Shqipërisë ka mbështetur nevojat e zhvillimit të këtij institucioni.

3. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2005, u shënuan zhvillime të reja edhe në drejtim të pasurimit të mozaikut të institucioneve financiare. Përmendim rritjen e numrit të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit, si edhe lindjen e fondeve të para jopublike të pensioneve. Këto zhvillime, të cilat pritet të vazhdojnë, duhet të shoqërohen me pasurimin dhe me konsolidimin e kuadrit rregullativ përkatës, si edhe me forcimin e funksionit mbikëqyrës të tyre.

Ndër treguesit kryesorë financiarë të sistemit bankar për periudhën e kaluar, përmendim:

 

 

Treguesi

 

dhjetor '04

 

maj '05

 

 

Mjaftueshmëria e kapitalit

 

 

21.63%

 

21.00%

(1)

 

Kapitali aksioner (milionë lekë)

 

 

 

25,949.50

 

28,087.87

 

 

Rezultati neto (milionë lekë)

 

 

 

5,106.11

 

2,583.04

 

 

Kredia e re (milionë lekë)

 

 

 

99,726.57

 

42,298.00

 

 

Kredia me probleme neto / kredia neto

 

1.43%

 

0.95%

 

 

Kredia me probleme, bruto / totali i bilancit

 

0.69%

 

0.51%

 

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2005, sistemi financiar në vend iu nënshtrua një vlerësimi profesional të posaçëm të kryer nga ekspertë të huaj, si pjesë e një programi global (2) të organizuar nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Vlerësimi nuk kufizohet vetëm në njohjen e gjendjes së sistemit financiar dhe në aftësinë e tij për të përballuar rreziqe të ndryshme dhe për t'u zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, por shtrihet edhe në aftësinë e autoriteteve për të mbikëqyrur këtë zhvillim në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Raporti përfundimtar ende nuk është publikuar, por rezultatet papraprake të këtij vlerësimi për sistemin bankar dhe autoritetin mbikëqyrës të tij, janë pozitive. Rekomandimet e këtij raporti, do të jenë pjesë e planit të zhvillimit të mëtejshëm të sistemit bankar, në të ardhmen e afërt.

Pavarësisht nga sa më sipër, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen në çështjet e mëposhtme, të cilat kërkojnë një vlerësim më të madh dhe të vazhdueshëm, nga të gjithë aktorët e sistemit bankar.

Rritja e kreditimit me ritme të përshpejtuara në kushtet e forcimit të konkurrencës në treg, e vendos sistemin bankar përballë rrezikut real të përkeqësimit të cilësisë së saj, nëse ulet vëmendja ndaj respektimit rigoroz të kërkesave për identifikimin e huamarrësve të mirë, të cilët sigurojnë të ardhura të qëndrueshme nga veprimtaria e kredituar. Krahas zbatimit të procedurave për miratimin e kredisë, bankat duhet të vënë në funksionim sa më të shpejtë, strukturat përgjegjëse për monitorimin e vazhdueshëm të tyre. Është e nevojshme gjithashtu, që bankat të tregohen konservatore në provigjonimin e kredisë, në shenjat më të para të vështirësisë së huamarrësit për shlyerjen e saj. Në këtë mënyrë, çdo bankë dhe sistemi në tërësi, do të shmangë thellimin e problemeve që mund të vijnë nga përkeqësimi i cilësisë së kredisë, duke siguruar një qëndrueshmëri më të mirë të rezultatit financiar. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë është e vendosur të vërë në funksionim, në një kohë sa më shpejtë, Zyrën e Informacionit të Kredive, duke synuar të përfitojë në këtë rast edhe asistencën e institucioneve financiare ndërkombëtare.

Në kushtet e rritjes së konkurrencës, është vërejtur një rritje e qarkullimit të personelit, veçanërisht atij me përvojë dhe aftësi të spikatura profesionale, drejt bankave dhe institucioneve të tjera financiare që ofrojnë kushte më të mira pune. Megjithëse ky është një zhvillim i natyrshëm, Banka e Shqipërisë kërkon nga të gjitha bankat të bëjnë përpjekjet maksimale për të nxitur më mirë dhe për të ruajtur personelin e tyre. Objektivi për t'i siguruar kushte më të mira pune personelit të institucionit, nuk kufizohet vetëm në shpërblimin material sipas performancës në punë, por shtrihet edhe në mundësitë që krijon institucioni për trainim dhe ngritje profesionale, për nxitje nëpërmjet zhvillimit në karrierë, për përfitime të ndryshme sociale etj.. Nëse këto mundësi nuk do të shfrytëzohen në maksimum, banka të veçanta rrezikojnë të provojnë rritje të kostos së veprimtarisë së tyre dhe ulje të cilësisë së shërbimit për publikun, me ndikim negativ të ndjeshëm në ruajtjen e pozicionit të tregut dhe në rezultatin e tyre financiar. Nga ana e Bankës së Shqipërisë, lëvizjet e konsiderueshme të personelit në kushtet e mungesës së përpjekjeve reale të drejtimit të bankës për ta motivuar atë, do të konsiderohen si paaftësi e drejtimit dhe do të ndikojnë në vlerësimin e përgjithshëm të bankës.

Është e rëndësishme që të ekzistojë një komunikim i hapur dhe i vazhdueshëm mes aktorëve më të rëndësishëm të tregut bankar dhe autoritetit monetar dhe mbikëqyrës. Brenda përgjegjësive respektive ligjore dhe të vetëdijshme për rolin që luajnë, palët duhet të sigurojnë që ky komunikim t'i shërbejë diskutimit konstruktiv të pikëpamjeve respektive, në drejtim të zbatimit të politikës monetare dhe të kuadrit rregullativ e mbikëqyrës. Në këtë mënyrë, do të arrihej një ekuilibër më i mirë mes interesit të autoritetit monetar dhe mbikëqyrës nga njëra anë, dhe aktorëve të rëndësishëm të sistemit bankar nga ana tjetër, duke mënjanuar lëvizje të njëanshme dhe të kushtueshme në politikat dhe në instrumentet që përdorin të dyja palët, për të sinjalizuar objektivat e ardhshëm të veprimtarisë së tyre.

Pjesa e dytë e këtij viti, përfaqëson periudhën kur duhet të përfundojë rishikimi i ligjit ekzistues nr.8365, datë 02.07.1998 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë". Projekti do t'i nënshtrohet një diskutimi të gjerë me industrinë bankare dhe me të gjitha institucionet e tjera që kanë rol në zhvillimin e tregut financiar. Projekti është hartuar me asistencën e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe përmban praktikën më të mirë ndërkombëtare në fushën e zhvillimit dhe të mbikëqyrjes së sistemeve bankare. Banka e Shqipërisë kërkon mbështetjen e institucionit të Qeverisë dhe të Kuvendit, që ky projekt të shqyrtohet dhe të miratohet brenda vitit 2005.

Fillimi i vitit të ardhshëm, përfaqëson periudhën kur me ligj parashikohet hyrja në fuqi dhe zbatimi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit / Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, edhe për bankat e nivelit të dytë. Banka e Shqipërisë, e shfrytëzon edhe një herë këtë deklaratë për të kërkuar nga bankat dhe institucionet e tjera financiare, të cilat kanë rol në zbatimin në praktikë të standardeve të përmendura më sipër, të ndërtojnë një strategji të qartë për mënyrën se si do të realizojnë këtë rol dhe objektivat e tyre. Banka e Shqipërisë thekson se është i nevojshëm të institucionalizohet një proces i përbashkët diskutimi, ku institucionet të diskutojnë problemet që do të dalin në fazën përgatitore dhe në zbatimin e këtyre standardeve, në mënyrë që problemet të kuptohen dhe qëndrimi ndaj zgjidhjeve të tyre të jetë i harmonizuar dhe i qëndrueshëm në kohë.

Banka e Shqipërisë beson se periudha deri në fund të vitit 2005, do të vijojë të dëshmojë normalitet në veprimtarinë e sistemit bankar dhe financiar, në ecurinë e vazhdueshme drejt konsolidimit dhe qëndrueshmërisë së tij.

(1) - Në fundin e muajit mars 2005
(2) - Në anglisht, ky vlëresim njihet me termin "Financial Sector Assessment Program" (FSAP).