BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e parë të vitit 2007

Data e publikimit: 28.09.2007

 

Treguesit makroekonomikë të vendit, pasqyrojnë një situatë të qëndrueshme. Qeveria e Republikës së Shqipërisë vijon të veprojë brenda parametrave të përcaktuar në lidhje me realizimin e treguesve të deficitit buxhetor në fund të vitit financiar. Veprimet në lidhje me huamarrjen dhe me shpenzimet publike, shfaqen më të harmonizuara se në periudhat e mëparshme, por ky është një tipar i cili duhet të fitojë qëndrueshmëri. Banka e Shqipërisë, ka monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën e likuiditetit të tregut ndërbankar, ku veprimet e qeverisë, më konkretisht huamarrja dhe shpenzimet publike, kanë një ndikim të konsiderueshëm. Norma e inflacionit paraqitet pranë objektivit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.

Megjithatë, situata e rënduar energjitike dhe moti i thatë kanë gjallëruar presionet inflacioniste në ekonomi, veçanërisht nga krahu i ofertës. Kostot në rritje për përballimin e krizës energjitike nga ana e bizneseve veçanërisht atyre të vogla dhe të mesme, po i përcillen gradualisht konsumatorit. Nga ana tjetër, megjithë një performancë më të mirë të sektorit të eksporteve, deficiti i bilancit tregtar është thelluar. Në këto kushte, në një lëvizje paraprake për të orientuar më mirë në kohë pritshmëritë për zhvillimet e ardhshme inflacioniste, Banka e Shqipërisë ka rritur normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes/të anasjellta të riblerjes. Situata në tregun e këmbimeve valutore, paraqitet e qëndrueshme. Vlerat e këmbimit të monedhës kombëtare ndaj atyre të huaja, kanë lëvizur brenda intervaleve historike për periudhën, duke reflektuar gjithashtu situatën në tregjet financiare ndërkombëtare.

Në tregjet financiare ndërkombëtare, vazhdon shqetësimi rreth pasojave që mund të rrjedhin si rezultat i situatës së vështirë në huadhëniet për shtëpi, të kryera nga bankat dhe institucionet e tjera të specializuara për huamarrës me aftësi paguese të dyshimtë, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri tani, tregu ka përballuar mirë falimentimin e disa institucioneve financiare, kryesisht jobanka, të cilat ishin aktive në këtë drejtim. Sidoqoftë, për të parandaluar rritjen e mëtejshme të pasigurisë për gjendjen e likuiditetit në treg, Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka befasuar analistët e tregjeve me lëvizjen e saj të shpejtë për uljen e normës së interesit për huatë që iu jep bankave tregtare. Situata po ndiqet me vëmendje edhe në Evropë, ku Banka Qendrore Evropiane, Banka e Anglisë dhe autoritetet përkatëse mbikëqyrëse të tregut, po analizojnë ekspozimet në këto tregje të institucioneve financiare të veçanta.

Megjithatë, nuk pritet që kjo situatë të ketë ndikim të ndjeshëm në bankat amerikane dhe evropiane, të cilat shfaqen të mirëkapitalizuara si rezultat i fitimeve të larta, të realizuara në vitet e fundit. Në tregjet e këmbimit të valutave, dollari amerikan shfaqet i dobësuar veçanërisht ndaj monedhës së përbashkët evropiane, euro dhe paundit britanik.

Sistemi financiar në Shqipëri, ka vijuar rritjen e tij në mënyrë të qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2007. Rezultati mjaft i mirë financiar, veçanërisht në sektorin bankar, ka ardhur si rrjedhojë i përdorimit më të mirë të burimeve financiare dhe i zgjerimit relativisht të shpejtë të veprimtarive me kthim të lartë nga investimi, siç është kreditimi dhe investimi në letrat me vlerë. Siç pritej, ritmi i lartë i zgjerimit të veprimtarisë, ka ruajtur presionin për rënien e mëtejshme të treguesit të kapitalizimit të saj.

Megjithatë, kërkesat rregullative për vlera më të larta të kapitalit për bankat që synojnë zgjerimin e shpejtë të veprimtarisë, performanca e mirë financiare e sistemit bankar në tërësi, si edhe gatishmëria e aksionerëve për të injektuar sasitë e nevojshme të kapitalit, janë faktorë që do të ndikojnë në ruajtjen e kapitalizimit të veprimtarisë bankare në nivele të mjaftueshme dhe në zbutjen e ritmit rritës të veprimtarisë në afat të mesëm. Nga ana tjetër, shumëllojshmëria e përbërjes së aktiveve, cilësitë e mira të kthimit të investimit që ofron portofoli i tyre, si edhe madhësia ende e konsiderueshme e aktiveve likuide të sistemit financiar, veçanërisht të sektorit bankar, ofrojnë një mbrojtje të mirë ndaj vështirësive që mund të shfaqen si rezultat i ndikimit të situatës së rënduar energjitike tek gjendja financiare e klientëve të sistemit. Prirja drejt hyrjes në treg të institucioneve të njohura financiare evropiane, veçanërisht në veprimtarinë bankare dhe në atë të sigurimeve, si edhe ecja drejt konsolidimit të mëtejshëm të veprimtarisë, janë faktorë të rëndësishëm që do të vazhdojnë të ndikojnë pozitivisht në aftësinë e sistemit financiar për të administruar rreziqet dhe për të operuar në mënyrë të qëndrueshme.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2007, treguesit financiarë të sektorit bankar, vazhduan të dëshmojnë zgjerimin, relativisht të shpejtë, të veprimtarisë dhe pozitën mjaft të mirë financiare. Politikat aktive të bankave në drejtim të zgjerimit të rrjetit si edhe në drejtim të investimit të burimeve financiare, u shoqëruan me rritje të vëllimit të depozitave dhe të aktiveve fitimprurëse. Ritmet e kreditimit të ekonomisë konsiderohen relativisht të larta, ndërkohë që cilësia e portofolit të kredisë mbetet në nivele të kënaqshme.

Në fund të muajit qershor 2007, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjithë sektorin bankar zbriti në 16.4 për qind, nga 18.1 për qind që ishte në fund të vitit 2006. Krahasuar me të njëjtën periudhë, kapitali aksioner i sektorit bankar është rritur me rreth 5.3 miliardë lekë, duke u ngjitur në fund të muajit qershor 2007 në nivelin 47.4 miliardë lekë. Megjithatë, ritmi i rritjes së kapitalit aksioner dhe i kapitalit rregullator, ka qenë më i ulët se ritmi i rritjes së aktiveve të sektorit bankar që përfshihen në llogaritjen e treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Ndikimin kryesor në rritjen e këtyre aktiveve, e ka dhënë zgjerimi relativisht i shpejtë i veprimtarisë së kreditimit. Kështu, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit kredia është rritur në terma vjetorë me rreth 52 për qind, një normë rritjeje më e ulët por e krahasueshme me rritjen vjetore gjatë vitit 2006. Cilësia e portofolit të kredisë, e përfaqësuar nga raporti i "kredisë me probleme, bruto" me "totalin e kredisë", mbetet e kënaqshme në nivelin 3.1 për qind. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2007, sektori bankar ka shënuar një rezultat financiar pozitiv, në masën 4.9 miliardë lekë.

Ashtu si edhe në periudhën e kaluar, prirja e bankave tregtare për të ruajtur ritme të larta të investimit të burimeve financiare në instrumente që sigurojnë një normë fitimi më të lartë, ka ndikuar në rënien e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit dhe ka ruajtur të pandryshuara karakteristikat e rrezikut mbi cilësinë e portofolit të kredisë. Rritja e shpejtë e kreditimit, ndikon statistikisht në afat të shkurtër dhe në mënyrë të përshpejtuar, madhësinë e kredisë së cilësuar si "standarde", dhe artificialisht krijon perceptime të gabuara mbi madhësinë e rrezikut të moskthimit të kredisë. Ndërkohë, sistemi bankar përllogarit të ardhura, të cilat materializohen vetëm në momentin e pagesës nga ana e huamarrësit, kur do të njihet me saktësi më të madhe cilësia e kredisë. Në këto kushte, nevojitet një mekanizëm për të vendosur në një nivel më të drejtë treguesin rrezik/fitim që merr përsipër sektori bankar gjatë kreditimit të shpejtë, pra për të shpërndarë më mirë në kohë rrezikun e moskthimit të kredisë dhe për të zgjeruar mbrojtjen e nevojshme financiare për sektorin bankar.

Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë do të vendosë s'afërmi në kuadrin rregullativ mbikëqyrës disa kërkesa të reja, të cilat do të plotësojnë masat përkatëse rregullative të miratuara në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Këto masa, do të synojnë në mënyrë më të drejtpërdrejtë zbutjen e rreziqeve që mban kredidhënia në valutë, veçanërisht në ato raste kur kredia jepet për huamarrës që nuk gjenerojnë të ardhura në valutë. Zbatimi i këtyre masave nga ana e bankave, si edhe krijimi i strukturave të posaçme dhe adoptimi prej tyre i metodologjive të ndryshme që synojnë identifikimin dhe miradministrimin e rreziqeve që mbartin veprimtaritë kryesore të bankave, do të vazhdojnë të jenë në fokusin e veprimtarisë mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë.

Ndryshimi dhe plotësimi i kuadrit rregullativ mbikëqyrës, si rezultat i hyrjes në fuqi të ligjit nr.9662, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", përfshin kërkesa më të mëdha në drejtim të transparencës së bankave në marrëdhënien me klientët, përcaktimin më të mirë rregullativ për procesin e bashkimit të bankave, modelimin më eficient të mbikëqyrjes së degëve të bankave të huaja etj.. Ky është një proces i cili do të përfundojë së shpejti. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë është në fazën finale të përgatitjeve për vendosjen në funksionim të regjistrit të kredive, si një instrument i cili do të mbështesë në mënyrë të ndjeshme analizën e bankave për aftësinë paguese të huamarrësve. Mirëmbajtja e regjistrit do të realizohet nga një zyrë e veçantë në Bankën e Shqipërisë, e cila do të fillojë të operojë sipas objektivit, në 1 janar 2008. Për këtë projekt është realizuar një konsultim i gjerë me bankat tregtare dhe me institucionet e tjera financiare.

Pjesa tjetër e sistemit financiar, e përfaqësuar kryesisht nga shoqëritë e sigurimit, fondet e pensionit dhe institucionet që tregtojnë letrat me vlerë, mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Përpjekjet e këtij institucioni mbikëqyrës për të plotësuar dhe për të modernizuar bazën ligjore dhe rregullative, po ndikojnë në standardizimin e veprimtarisë së institucioneve që veprojnë në këtë pjesë të tregut financiar. Konstatohet gjithashtu një rritje e interesit të institucioneve financiare jobankare të huaja, për të hyrë dhe për të operuar në këtë pjesë të sistemit tonë financiar.

Banka e Shqipërisë vlerëson që zhvillimet në performancën e institucioneve financiare, në përbërjen e tyre dhe në hartimin e kuadrit rregullativ dhe mbikëqyrës, kanë krijuar një bazë të shëndoshë për rritjen e thellësisë së sistemit financiar dhe për shtresëzimin e tij. Ky proces do të shoqërohet me rritje të eficiencës së institucioneve financiare nëpërmjet specializimit të tyre dhe konkurrencës, me rritje të aftësisë së sistemit financiar për të përballuar rreziqe të ndryshme dhe me zgjerim të aksesit të publikut tek shërbimet financiare. Këto çështje që lidhen me stabilitetin financiar të vendit në përgjithësi, kërkojnë një ndjekje më të përqendruar dhe më të vazhdueshme. Banka e Shqipërisë ka vendosur të forcojë rolin e saj në këtë drejtim, duke krijuar një njësi të specializuar, e cila do të fokusohet në trajtimin e çështjeve të stabilitetit financiar. Në këtë kuadër, procedurat e brendshme parashikojnë nxitjen e krijimit të grupeve të punës me autoritete të tjera shtetërore që rregullojnë e mbikëqyrin veprimtarinë financiare, si edhe kontakte të ngushta me industrinë financiare, duke përfshirë bankat dhe institucionet e tjera.


Në përfundim, Banka e Shqipërisë rithekson se zhvillimi i sistemit financiar dhe posaçërisht i sektorit bankar, krahas rritjes së mundësive për zgjerim të veprimtarisë, shoqërohet objektivisht edhe me gjallërimin e rreziqeve të ndryshme financiare. Aftësia e institucioneve financiare për të vepruar në mënyrë të mirorganizuar, të ekuilibruar dhe për t'u orientuar drejt në kushtet e rritjes së konkurrencës, është me rëndësi parësore për miradministrimin e rreziqeve financiare. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë kërkon në vazhdimësi nga strukturat drejtuese të bankave tregtare, që t'i ndjekin me kujdes zhvillimet e tregut, të forcojnë sistemet e kontrollit në institucionet e tyre, të marrin masa për të diversifikuar sa më mirë burimet financiare dhe drejtimet e investimit të tyre, të zhvillojnë në vazhdimësi një veprimtari të mirëkapitalizuar dhe të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme rreziqet e saj. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë t'i trajtojë këto çështje në qendër të politikës së saj mbikëqyrëse.

Banka e Shqipërisë beson se viti 2007, do të vijojë të dëshmojë normalitet në veprimtarinë e sistemit bankar dhe financiar, në ecurinë e vazhdueshme drejt konsolidimit dhe qëndrueshmërisë së tij.